Met Metani, kapiteni i një “dinastie sportive”

Në krye të listës së kësaj “Dinastie”, në mënyrë të padiskutueshme qëndron ai Met Metani, portieri i Tiranës në vitet 50-60 – të, “gardiani” që e mbrojti me fanatizëm katërkëndorin bardheblu, 15 vite me radhë në një periudhë vërtet tejet të vështirë.


Nga Bedri Alimehmeti
Gazetar, shkrimtar – “Mjeshtër i Madh” & “Fisnikëria Tiranse”

Kështu e kanë pas etiketuar shokë, miq e të afërt Ahmet (Met) Metanin. “Ti, – i thonin shpesh, – vërtet nuk ke qenë asnjëherë kapiten në asnjë nga ekipet me të cilët ke luajtur, por për djemtë, nipat e mbesën tënde, që përbëjnë një “dinasti sportive” gjithnjë ke qenë i tillë”. Dhe nuk ishte aspak i rastësishëm ky fakt. Të katër djemtë e tij: Luani, Blerimi, Agroni e Altini, tre nipat e tij Erdisi, Mikeli (djemtë e Luanit) dhe Ronaldi (djali Blerimit) kanë derdhur djersë dhe kanë kontribuar nëpër fushat e blerta të stadiumeve tona dhe më gjerë, kurse Merlina (vajza e Agronit) është dalluar mbi parketin e basketbollit.

Kur filloi të ngjisë shkallët e mjeshtrisë së futbollit, sigurisht nuk e pati menduar, madje edhe as i kishte shkuar ndër mend, që do të vinte një ditë, dhe sporti i magjishëm i topkëmbës, do të bëhej pjesë e pandarë e familjes së tij dhe jo pak por në tetë dekada. Themi kështu sepse ishin ditët e para të vitit 1945 teksa vendi ynë kish nisur të merrte frymë tashmë i çliruar nga pushtuesit nazi-fashistë, kur me disa bashkëmoshatarë të mëhallës si Shyqyri Rreli, Osman Caslli, Remzi Bulku, Osman Reçi etj, të cilët bashkë do të spikatinin nëpër fushat e blerta, u inkuadruan nëpër ekipet e të rinjve të FK Tirana. Por duhet thënë se

Met Metani, njeri pasionant pas sporteve njihte mirë gjithashtu volejbollin e basketbollit, madje në këtë aspekt atë e ndihmonte shumë shtatlartësia. Ndërkohë zemra e tij rrihte vetëm për futbollin dhe fillimet e para në këtë sport i ka pasur si sulmues me FK Tiranën në kampionatin e vitit 1947. Pas këtij debutimi kur ai ishte vetëm 17 vjeç në kampionatin e vitit 1948 kalon tek Erzeni i Shijakut, që në ato vite rivalizonte me sukses në kategorinë e parë (sot superiore). Dhe pavarsisht se në rolin e sulmuesit të Erzenit, në radhët e të cilit luante edhe Tefik Jashari futbollist legjendë i futbollit shijakas emrin e të cilit mban sot stadiumi qytetit, shquhet shumë si golashënues, madje vlerësohet ndër “bomberët” më të mirë të kampionatit. Por një ditë gjatë një seance stëvitore, krejt rastësisht zë vend mes katërkëndorit të portës, ku shquhet për hedhje e pritje spektakolare, aq sa specialistët e vendosën përfundimisht në rolin e “gardianit”. Natyrisht fillimi qe paksa i vështirë, madje dhe nuk i bësohej se do të ishte i zoti ta kryente. Por aq u desh, Meti u dashurua shumë pas këtij roli, të cilin nuk e ndërroi deri në fund të karrierës.

Kështu në rolin e “gardianit” të portës Met Metani u rikthye sërisht tek skuadra e qytetit të tij Tirana, duke luajtur për ngjyrat e saj në kampionatet e viteve1949 dhe 1950. Pas kësaj kalon tek Dinamo e sapokrijuar, e cila që në pjesmarrjen e parë në kampionatin e topkëmbës shqiptare më 1950 shpallet kampione. Me Dinamon fiton edhe Kupën e Shqipërisë dhe në vitin 1951 rikthehet përfundimisht tek skuadra bardheblu, katërkëndorin e së cilës e mbron deri në vitin 1965, kur mbyll përfundimisht karrierën sportive. Për kohën që u aktivizua dhe për kontigjentin e futbollistëve që kishte skuadra bashkë me shokët e tij: Osman Caslli, Enver Shehu, Bedri Stërmasi, Enver Rada, Besim Boriçi, Sadik Struga, Xhaferr Merja, Aristidh Parapani, Galip Caushi, Hysni Skëndëri, Aristidh Papadhopulli, Remzi Bulku, Osman Reçi etj., bëri të pamundurën për ta mbajtur skuadrën në elitën e futbollit dhe në këtë drejtim ia doli mbanë. Themi kështu ngaqë në ato vite skuadrës bardheblu ia “rrëmbenin” njëri pas tjetrit sapo shfaqeshin në fushën e blertë talentë të shkëlqyer si Skënder Halili, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Osman Mema, Luigj Bytyçi, Pavllo (Ben) Bukoviku, Tomor Gjoka, Ali Mema etj., të cilët më pas bën epokë dhe lanë gjurmë në futbollin tonë.

Portën e Tiranës, Met Metani e ka mbrojtur me sukses edhe në mjaft takime miqësore ndërkombëtare, që në ato vite ishin të shpeshtë. Kështu ai u dallua në turneun miqësor disa javor, që skuadra bardheblu bëri në vitin 1958 në qytete të ndryshme të Bashkimit Sovjetik (sot Rusia) duke filluar në Odesa, vijon në Kishinjev dhe përfundon në Moskë. Pas kësaj Meti u dallua edhe në ndeshjet për Kupën Ballkanike, ku Tirana garoi me sukses.

Në ato vite falë performancës dinjitoze, Met Metani “gardiani” që në mes të katërkëndorit të portës zuri vend absolutisht gjithnjë me kasketë, pa thënë që asnjëherë dhe në asnjë ndeshje të Tiranës nuk mbahet mend pa të në kokë, qe vlerësuar nga specialistët ndër portierët më të mirë të kampionatit shqiptar. Në detyrën delikate të “gardianit” ai ishte tejet i qartë e zotërues i situatave të vështira. Mbi të gjitha shquhej për lojën pozicionale, e cila padyshim ishte një nga dhuntit e tij më të vyera. Ndërkohë duhet theksuar fakti, që në ato vite pikërisht për këto cilësi të vecanta ka rivalizuar shumë me të mirënjohurin Qemal Vogli, që kur ishin bashkë te Dinamo, ashtu edhe “kundërshtarë”, pa harruar edhe në rastin e “gardianit” të kombtares kuqezi.

Pas ndërprerjes së karrierës Meti nuk iu nda skuadrës bardheblu. Kujtojmë, që në ato vite ekipet tona nuk kishin si sot trajnerë enkas për portierët. Pikërisht për këtë gjë Met Metani, vullnetarisht shkonte shpesh në fushën e qytetit të nxënësve ku stërvitej Tirana dhe merrej me përgatitjen e portierëve Bujar Tafaj, Shpëtim Habibi e Gut Tafaj, që vijuan të mbrojnë më pas portën bardheblu. Ndërkohë nuk reshti së frymëzuari fillimisht djemtë e tij, më pas nipërit për t’iu përkushtuar sportit magjik të futbollit.

“Dinastia” sportive Metani

Në krye të listës së kësaj “Dinastie”, në mënyrë të padiskutueshme qëndron ai Met Metani, portieri i Tiranës në vitet 50-60 – të, “gardiani” që e mbrojti me fanatizëm katërkëndorin bardheblu, 15 vite me radhë në një periudhë vërtet tejet të vështirë. Më pas stafetën e “Dinastis” Metani, pra kur Meti u largua për herë të fundit nga fusha e lojës e morën djemtë e tij. Kështu i pari spikati Luani, djali i madh njohur nga të gjithë me emrin Ili, i cili u shqua futbollist golashënues së pari në radhët e Shkëndisë më pas tek Tirana, ndërkohë që me ekipin Shpresa U-21 ka fituar titullin kampion i Ballkanit në vitin 1981 në Vollos të Greqisë. Tashmë prej vitesh trajner Ili, ka drejtuar në kohë të ndryshme Kamzën, Turbinën, Albpetrolin, Tërbunin, Kukësin etj. Bashkëshortja e tij Engjëllushja ka qenë gjimnaste e dalluar. Djali i madh Erdisi u dallua në ekipin e të rinjve të Partizanit, madje edhe në ekipin e parë të të kuqve, por për shkak të një dëmtimi u detyrua të ndërpresë karrierën. Djali tjetër Mikeli luajti fillimisht me Tiranën, kaloi tek Gramozi dhe më pas në Bundesligën 2 të Austrisë. Sot Mikel Metani luan për ngjyrat e Tërbunit të Pukës, ku mban edhe shiritin e kapitenit. Djali i dytë Blerimi, ndoqi rrugën e të atit, zuri vend në roje të katërkëndorit të portës së Shkëndisë. Kurse i biri i tij Ronaldi (Gërcaliu), spikati në radhët e skuadrës austriake Sturm të Gracit, Salsburgut etj. Në ekipet kombëtare të grupmoshave të Austrisë, Ronaldi ka qenë futbollist i formacionit bazë, më pas tek U-21, madje edhe titullar në ekipin përfaqsues austriak, për ngjyrat e të cilit luajti në finalet e europianit 2008. Në sezonin 2015-2016 luajti në radhët e skuadrës bardheblu. Edhe dy djemtë e tjerë të Met Metanit, Agroni e Altini kanë veshur fanellën bardheblu. Kurse vajza e Agronit, Merlina u shqua në basketboll me Tiranën dhe me Studentin.

Skeda

Emri: Ahmet
Mbiemri: Metani
Datëlindja: 30 mars 1930
Ekipet për të cilët ka luajtur:
Tirana, Erzeni, DInamo.

Trofe:

Kampion Kombëtar me Dinamon më 1950
Fitues i Kupës së Shqipërisë:
Me Dinamon më 1950
Me Tiranën më 1963

Vlerësime:

“Mjeshtër Sporti”, “Simbol i qytetit të Tiranës”

U nda nga jeta: 30 prill 2003

Autori Bedri Alimehmeti

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…