Efekti i finales Euro 2020, vetëm sot do të futen tre miliardë paund në ekonominë e Londrës
Është vlerësuar se rreth tre miliardë paund do të derdhen në ekonominë e Londrës nga bastet, ushqimet dhe pijet alkoolike vetëm gjatë ditës së sotme
Kanë mbetur edhe pak orë deri në nisjen e finales së madhe të Kampionatit Evropian, Euro 2020. Italia dhe Anglia do të përballen me njëra-tjetrën në një ndeshje fantastike që pritet të zhvillohet në stadiumin legjendar “Wembley” të Londrës.
Por që nga orët e para të mëngjesit Londra ka gjallëri jashtëzakonisht të madhe, pasi mijëra tifozë anglezë e italianë janë nëpër rrugët e kryeqytetit britanik.
Raportimet e fundit nga Anglia bëjnë të ditur se nuk ka asnjë tavolinë të lirë në baret e Londrës të cilat janë të stërmbushura me tifozë.
Në kryeqytetin anglez Londër ka afërsisht 4000 bare, por as edhe një tavolinë nuk është e lirë ditën e sotme.
Është vlerësuar se rreth tre miliardë paund do të derdhen në ekonominë e Londrës nga bastet, ushqimet dhe pijet alkoolike vetëm gjatë ditës së sotme (e diel).
Kujtojmë që finalja e madhe mes Italisë dhe Anglisë zhvillohet sonte me fillim nga ora 21:00.