Historike! “HatTrick” i UEFA, për herë të parë në Shqipëri
Mbledhja e ardhshme e Komitetit “HatTrick” të UEFA-s do të zhvillohet në Tiranë më 30 shtator. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka mban postin e Nënkryetarit të “HatTrick”.
Mbledhja e ardhshme e Komitetit “HatTrick” të UEFA-s do të zhvillohet në Tiranë më 30 shtator.
Për shkak të ndryshimit të axhendës mbledhja e parashikuar fillimisht për t’u zhvilluar më 23 shtator në kryeqytetin shqiptar është spostuar me një javë.
Kjo do të jetë hera e parë që një mbledhje e një prej organeve më të rëndësishme të UEFA-s do të zhvillohet në vendin tonë, njëkohësisht një vlerësim për FSHF-në.
Komiteti i “HatTrick”, është komiteti me buxhetin më të lartë në UEFA, duke evidentuar këtu edhe faktin që ky organ merret me projektet më madhore që kanë federatat kombëtare të të gjitha vendeve në Europë, si dhe është një formë investimi i projekteve që UEFA ka krijuar që nga viti 2004 për të gjitha vendet anëtare.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka mban postin e Nënkryetarit të “HatTrick” që nga data 1 korrik 2017. Ky ishte një vlerësim i lartë për kreun e qeverisë së futbollit shqiptar, që prej disa vitesh është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Kryetari i Komitetit “HatTrick” është Karl-Erik Nilsson, njëkohësisht Zv.President i UEFA-s.
Një mbledhje e këtij komiteti në Tiranë ishte parashikuar edhe gjatë vitit të kaluar, por për shkak të pandemisë Covid-19 dhe pamundësisë për të zhvilluar mbledhje me prezencë fizike të anëtarëve axhenda është ndryshuar disa herë dhe mbledhjet gjatë vitit të fundit janë zhvilluar gjithmonë online përmes video-konferencave./ FSHF.org/