Kreshnik Tartari, trajneri mitik që tronditi Europën

Në Kupën e Kampioneve (1989-1990) në volejbollin e femrave, “Dinamo” u rendit e treta në Europë


Nga Dash Frashëri, botues i Tifozet.al

Në Kupën e Kampioneve të edicionit 1971-1972, Kreshnik Tartari, u rendit i katërti në Europë si volejbollist i meshkujve të Dinamos; në sezonin 1989- 1990 u rendit i treti si trajner me volejbollin e femrave; në Lojërat Mesdhetare “Latakia 1987” fiton “Medalje e Artë” me Kombëtaren e femrave. “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, njeriu i mbi 400 ndeshjeve ndërkombëtare dhe mbi 2000 ndeshjeve zyrtare ka fituar gjithçka në karrierën e tij si sportist e trajner: 26 herë kampion kombëtar si volejbollist e trajner; 18 herë fitues i Kupës së Republikës, si lojtar e trajner, 17 herë pjesëmarrës në edicionet e kupave të Europës, si lojtar dhe trajner, u nderua nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin prestigjioz “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport” gjatë ceremonisë “Gala” të zhvilluar më 15 dhjetor 2014 në Hotel “Tirana International”. Por, “Mjeshtri i Madh i Punës”, nuk mund ta merrte të gjithin për vete çmimin, por ai e ndau me volejbollistet e ekipit mitik që ai krijoi në vitet 1975-1990. Medalja kaloi dorë më dorë. “Mund të isha bërë një trajner i suksesshëm, por pa këto vajza të jashtëzakonshëm, sinqerisht nuk do të isha bërë kurrë!”, – tha Tartari atë mbrëmje. Ai është dekoruar midis të tjerave edhe me titujt “Nder i Kombit” të akorduar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, “Nderi i Sportit Shqiptar” të akorduar nga ish-Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe “Urdhri Olimpik” i akorduar nga Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

KAMPION SI LOJTAR

Kreshnik Tartari, sot 71, vjeç ka më shumë se 55 vjet i lidhur me rrjetën e volejbollit. Duke filluar qysh kur ishte sportist në vitin 1958, nën urdhrat e një tjetër trajneri të madh, Vangjel Kojës, Xhelës së famshëm të Dinamos së meshkujve, madje Koja e bëri kapiten të skuadrës që zuri vendin e katërt në Europë. 15 vjeç ai shijoi kënaqësinë që të jep titulli kampion: me të Rinjtë e Dinamos në vitet 1958 dhe 1959. Titullin e parë me kampion më të rriturit në vitin 1964. Skuadra është kjo: Franc Jakova, Ylli Shehu, Andrea Gjika, Kreshnik Tartari, Asllan Rusi, Zhani Bonati, Enis Terihati, Alfred Radi, Hazbi Kotoni, Anastas Panteqi. Trajner: Vangjel Koja. Suksesi përsëritet radhazi: 1965; 1966; 1967; 1968–69; 1969–70; 1970–71; 1971 –72. “Tartari & Co” fituan edhe Kupës e Shqipërisë në vitet: 1962; 1965; 1967; 1968; 1972, si dhe “Medaljet e Arta” në spartakiadën Kombëtare të vitit 1969, me kulmin e tij si lojtar në Kupën e kampioneve të Europës të sezonit sportiv 1971– 1972, kur Dinamo renditet në katër vendet më të mira të Europës, ndërsa Tartari është në rolin e kapitenit të skuadrës.

KAMPION SI TRAJNER

Sezoni 1971-1972 është viti i fundit si lojtar, për të filluar aventurën më magjepse të një trajneri të volejbollit të femrave. Ai është arkitekti i Dinamos, një nga monumentet e sportit shqiptar, sidomos në arenën ndërkombëtare. Dinamo lind si një ide e Skënder Vilës, asokohe drejtor në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja. Tartari ishte mësuesi i edukimit fizik, por edhe volejbollist me Dinamon me trajner Vangjel Kojën, përfshirë pjesëmarrjet në kompeticionet ndërkombëtare.

Disa vajza të Shkollës Pedagogjike dhe të Gjuhëve të Huaja morën pjesë në aktivitetet e shkollave të mesme të Tiranës. Më pas s’u promovua në kategorinë e parë me të rejat. Kanë qenë emra të tillë si Sejfulla Shtëpani, Teodor Koci, i plejadës së Petrit Murzakut, që kanë drejtuar fillimisht skuadrën. Gjurmën zyrtare ia vendosi mjeshtri Harun Dojaka, i cili tentoi në kategorinë e dytë, më pas e futi në të Parën.

Tartari e mori skuadrën në vitin 1972. Ishte në vendin e shtatë të kampionatit të kaluar dhe brenda vitit të parë doli e treta në kampionat dhe në Kupën e Republikës. Në vitin 1974 Dinamo doli kampione dhe fitoi Kupën. Atëherë kapitene e skuadrës ishte Donika Muka, ndërsa si lojtare, midis të tjerash, kanë qenë Eva Kavaja, Semiha Sulejmani, Fatmira Dreni, Brikena Çabej, Zana Bekteshi.

Më pas u afruan edhe Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Silva Turdiu, Fatmira Podgorica, Zana Karagjozi, Emona Gripshi, Lulëzime Duka, Agi Babuli, Jorgjeta Qirici, Darina Nishku e deri te brezi i Alketa Doçit. Dinamo arriti në perfeksion natyrshëm. Tartari kishte një Ela Tase të pamëshirshme në lojë, e shpallur disa herë më e mira e Ballkanit. Kishte një organizatore të shkëlqyer si Mimoza Ibrahimi, e cila disa herë u shpall pasuesja më e mirë e Ballkanit.

DIKTATI I DINAMOS
Dinamo e mjeshtrit Tartari ka përjetuar disa kulme. Si trajner i ekipit “Dinamo” femra dhe atij kombëtar, ka arritur rezultatet si më poshtë vijon: Fitues i Kampionatit Kombëtar në vitet: 1973–74; 1974–75; 1975–76; 1976-77; 1977–78; 1978–79; 1979–80; 1980-81; 1981-82; 1982-83; 1986-87; 1987-88; 1988–90; 1990–91; si dhe më pas në sezonet 2001–02; 2003 2004. Suksese këto të shoqëruara me fitimin e Kupës së Shqipërisë në vitet: 1974; 1977; 1980; 1981; 1982; 1985; 1986; 1987; 1988; 1989; 1990; 1991; 2001; 2002; 2003; 2009 (UMB Volley); 2010 (UMB Volley).

BALLAFAQIMI I PARË NË EUROPË

Në edicionin 1978-1979, shorti i Kupës së Europës e vuri Dinamon përballë me një ekip austriak, Post Viena. Për arsye se ai nuk erdhi në Shqipëri, pasi donte t’i luante të dyja takimet në vendin e tij, atëherë Dinamo kaloi në raundin tjetër. Në turin e dytë i ra të luanim me kampionen e Çekosllovakisë së asaj kohe, Slavia e Bratislavës, e cila një vit më parë ishte në finalet e Europës. Dy muaj grumbullim në dhoma tmerrësisht të ftohta te shkallët e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Bënin gati pesë orë stërvitje. Kur kanë luajtur pas dy muajsh në Bratislavë ato ishin shndërruar në makina lufte. Dinamo fitoi 3-1 në Çekosllovaki, ndërsa humbi 3-1 në Shqipëri dhe ndeshjen në total me një pikë të vetme, 111-110. Po të kishte fituar shkonim në finalen e parë të Europës.

VENDI I TRETË NË EUROPË

Pas disa pjesëmarrjeve radhazi në Europë (në 1979-1980 u fut në katër ekipet më të mira), kulmi i Dinamos u regjistrua në sezonin 1989-1990. Në gjysmëfinale Stal Bielsko (Polonia), Dinamo Berlin (Gjermani) dhe Dinamo e Bukureshtit (Rumani). Në ndeshjet finale të zhvilluar në Itali, Dinamo humbi me Uralochka Sverdlovsk (Bashkimi Sovjetik), Teodora Ravena (Itali) dhe fitoi me Racing Paris (Francë), duke zënë vendin e tretë dhe merituar medaljen e bronzit. Ky është suksesi më i madh i volejbollit të femrave në Europe, me një plejadë të madhe lojtaresh: Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Alketa Doçi, Dorina Nishku, Agi Babuli, Jorgjeta Qirici, etj.

TRAJNER I PALERMOS NË ITALI

Me ndryshimet demokratike në vend dhe hapjen e kufijve, dhe krijimin e mundësive për të lëvizur drejt Europës, trajneri Kreshnik Tartari shkoi vitin 1991 shkuat në Itali për të punuar si trajner i Palermos. Në fakt, ai kishte pasur gjithmonë oferta, madje shumë intriguese nga pikëpamja e nivelit të skuadrave në disa vende të Europës, aje ku Dinamo shkonte të luante. Tartari, “Trajner i Kategorisë Ndërkombëtare” i dhënë nga Akademia Ndërkombëtare e Volejbollit, pati atëherë një arsye të fortë për të shkuar në Itali: “Lidhej me jetën e vajzës sime të madhe, e cila kishte nevojë për para për një ndërhyrje kirurgjikale, e cila ishte programuar. Më duhet ta bëja këtë me çdo kosto. Doja ta mbaroja këtë mision dhe të kthehesha, pasi më dukej e pamundur të rija jashtë Shqipërisë. Nuk u nisa për të ikur përfundimisht”, – thotë Kreshniku. Në fakt, drejtuesit e Palermos ia kishin bërë ofertën edhe para vitit 1990. “Drejtori sportiv i klubit quhej Armando Sabato dhe kishte një post hierarkik në drejtimin e volejbollit të femrave të Italisë. I kisha premtuar se nëse do të drejtoja një skuadër jashtë shtetit do të vija pikërisht atje. Në horizont ata kishin plan të më jepnin Kombëtaren e të rejave të Italisë, me bindjen që unë do të rija në Itali dhe do të hyja në kanalet e natyralizimit si italian. Ishte me të vërtetë një projekt ambicioz”, – tregon ai. Te Palermo mbërriti edhe organizatorja e famshme e Dinamos, Mimoza Ibrahimi.

KAMPION I EUROPËS ME SAN MARINON

Dy vjet te Palermo, për të kaluar më pas te San Marino, ku punoi pesë vjet. San Marino është eksperienca e dytë si trajner i një ekipi të huaj, madje ai arriti të fitonit titullin e kampionit europian të vendeve të vogla. Kreshniku del me San Marinon kampion i Europës me ekipin e meshkujve dhe nënkampion i Europës me ekipin e femrave.

ME EKIPIN KOMBËTAR

Kreshniku është fitues i medaljeve të arta me ekipin Kombëtar femra në Lojërat Mesdhetare “Latakia 1987” dhe fitues i vendit të katërt në Lojërat Mesdhetare, Greqi 1991. Ai e çoi në finale ekipin në Kampionatin Europian të vitit 1991. Në kampionatet Ballkanike ka fituar 2 medalje ari, 2 medalje argjendi dhe 4 medalje bronzi. Si trajner i ekipit kombëtar femra të Rritura – pjesëmarrës në Kampionatin Botëror në Angli dhe Lojërat Mesdhetare në Spanjë në vitin 2005. Pas viteve 1990, Tartari ka qenë në Shqipëri trajner me Dinamon (femra) në vitet 1998-2004, Aulonën (femra) në vitet 2005-2007 dhe “UMB Volley” (Universiteti Marin Barleti) në vitet 2008–2012. Në vitet 1997-2001, Tartari ishte zëvendësministër përgjegjës për sportet në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve.

Skeda
Kreshnik Tartari

Datëlindja: 21 korrik 1943

Titujt: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajneri i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri”, klasi I, II, III; “Mjeshtri i Madh i Punës”, “Nderi i Kombit”, Trajner i Kategorisë I në Itali
Trajner i Kategorisë Ndërkombëtare, dhënë nga Akademia Ndërkombëtare e Volejbollit (FIPAV)
1958-1972, volejbollist me Dinamon dhe ekipin Kombëtar
1972-1990, trajner me ekipin e femrave të Dinamos dhe ekipit Kombëtar
1991-1992, trajner me ekipin e femrave të Palermos, Itali
1992-1997, trajner i ekipeve për meshkuj e femra të San Marinos dhe i Kombëtares së atij vendi
1997-2001, zëvendësministër përgjegjës për sportet në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve
2002-2006, trajner i ekipit “Aulona”
2008-2012 trajner i ekipit të femrave të Universitetit “Marin Barleti”, UMB
– 26 herë kampion kombëtar si volejbollist e trajner
– 18 herë fitues i Kupës së Republikës, si lojtar e trajner
– 17 herë pjesëmarrës në edicionet e kupave të Europës si lojtar e trajner, nga të cilat 4 herë si finalist, 1 herë si lojtar, 3 herë si trajner
– disa herë kampion i Ballkanit, nënkampion e vendi i tretë në gadishull
– Medalje ari në Lojërat Mesdhetare
– Mbi 400 ndeshje ndërkombëtare dhe 2000 ndeshje zyrtare

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…