Fatmir Frashëri, “Mimi” mbrojtësi i hekurt i Tiranës dhe i Kombëtares
Fatmir Frashëri është një nga 15 futbollistët që janë pjesë e “Librit të Artë të Sport Klub Tiranës”.
Nga Dash Frashëri
Fatmir Frashëri është një nga 15 futbollistët që janë pjesë “Librit të Artë të Sport Klub Tiranës”, së bashku me emra të mëdhenj si Riza Lushta, Xhavit Demneri, Skënder Halili, Arben Minga, etj.
Ai është i vetmi që ka fituar tituj kampion si futbollist, trajner dhe president i Tiranës, duke vendosur kështu edhe një rekord unik në futbollin shqiptar.
Më 23 korrik 2012, ish-Presidenti i Republikës e dekoroi Fatmir Frashërin me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm, si lojtar dhe trajner, duke u shndërruar në pikë referimi në historinë e sportit shqiptar”, së bashku edhe me Agustin Kolën, Petrit Dibrën, Ali Memën, Arben Mingës (pas vdekjes), Skënder Halilin (pas vdekjes), Adem Karapicin (pas vdekjes) dhe Selman Stërmasin (pas vdekjes).
Më 15 dhjetor 2014, televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” e nderuan “Mjeshtrin e Merituar të Sportit” me çmimin prestigjioz “Medalja e Meritës”, për rezultate të shkëlqyera në sport. Ai ndërroi jetë më 19 korrik 2019, në moshën 8-vjeçare.
LOJTAR KAMPION
Tirana u shpall kryeqytet, më 11 shkurt 1920, ndërkohë që më 16 gusht 1920 u krijua Sport Klub Tirana nga një grup intelektualësh tiranas, si Bahri e Said Toptani, Stefan Shundi, Anastas Koja, Selman Stërmasi, Adem Karapici, Anastas Shundi, Irfan Gjinali, Reshat Tafalla, Jonuz Tafaj. Fatmir Frashëri u lind më 3 prill 1941, pikërisht katër vjet pasi ishin ndërprerë kampionati kombëtar i futbollit (1930-1937), me Tiranën që dominoi futbollin shqiptar me gjashtë tituj të fituar. Vetë mbrojtësi i famshëm i Tiranës dhe i Kombëtares fitoi katër tituj kampion me Tiranën, pikërisht në sezonet 1964-1965, 1965-1966, 1969 dhe 1969-1970 (të gjitha me trajneri e famshëm Myslim Alla), kur bardheblutë thyen hegjemoninë absolute të asaj kohe midis Partizanit dhe Dinamos.
Atëherë te Tirana bënin pjesë futbollistë të tillë të jashtëzakonshëm si Nuri Bylyku, Luigj Bytyci, Skënder Halili, Gezim Kasmi, Niko Xhaçka, Skënder Hya, Pavllo Bukoviku, Bahri Ishka, Ali Mema, Bujar Tafaj, Ilir Elini, Gëzim Saraçi, Osman Mema, Vaso Konomi, Aurel Verria, Ali Mema, Petraq Ikonomi, etj. “Mimi”, siç thirrej shkurt Fatmiri, ka fituar tituj kampionë edhe më Partizanin, madje dy të tillë: 1962-1963 dhe 1963-1964 (të dy me trajner Loro Boriçin), e në skuadër kishte emrra të tillë si Panajot Pano, Mexhit Haxhiu, Refik Resmja, Lin Shllaku, etj.
NDESHJET NDËRKOMBËTARE
Mbrojtësi i shquar ka luajtur një numër të madh ndeshjesh ndërkombëtare në nivel klubesh, kryesisht me Tiranën dhe Partizanin. Me Partizanin ai ka luajtur në ndeshjen e parë ndërkombëtare, ndaj IFK Norkeping, njëherësh edhe takimi i parë i në klubi shqiptar në Europë: 1-1 në Tiranë dhe 2-0 Suedi. Me Partizanin luajti edhe kundër Spartak Plovdivit, Këlnit.
Të paharrueshme janë ndeshjet e tij dhe të Tiranës me Ajaksin e Amsterdamit për Ligën e Kampioneve, në atë barazim të madh 2-2 në Tiranë, më 16 shtator 1970.
Një rezultat i pabesueshëm i arrtitur me mjeshtëri nga strategu Myslim Alla. Heronjtë në “Qemal Stafa” ishin këta: Gani Xhafa, Gëzim Kasmi, Fatmir Frashëri, Perikli Dhales, Niko Xhaçka, Ali Mema, Iljaz Çeço, Skënder Hyka, Arben Çela, Mihallaq Konomi. Ndeshja e kthimit në Amsterdam përfundoi 2-0 për holandezët e drejtuar nga “gjenerali” Rinus Mishels e që patën në gjirin e tyre lojtarë të tillë si Rud Krol, Johan Neskens, Vim Surbir, Beri Hulshof, Pit Keizer. Me Tiranën, ndër të tjera luajti edhe kundër skocezëve të Kilmarnokut dhe belgëve të Standardit të Liezhit.
ME KOMBËTAREN
Fatmir Frashëri ka pasur fatin të jetë pjesë e Kombëtares në dy ndeshjet debutuese, për eliminatoret e Kampionatit Europian kundër Danimarkës (4-0, më 29 qershor 1963, Kopenhagen) dhe për eliminatoret e Kampionatit Botëror kundër Holandës (2-0, 24 maj 1964, Amsterdam).
Ai është pjesë e formacionit fitues të ndeshjes së parë në Europë, ajo 1-0 kundër Danimarkës (30 tetor 1963, me gol të Panajot Panos). Formacioni historik ishte ky: Shefqet Topi, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Lin Shllaku, Andon Zaho, Mehdi Bushati, Panajot Pano, Pavllo Bukoviku, Enver Ibërshimi. Trajner Zyber Konçi.
Frashëri ishte pjesë e Kombëtares shqiptare në 12 ndeshje, 1 prej tyre miqësore (1-1 me Algjerinë). 9 ndeshje i ka zhvilluar si lojtar i Tiranës dhe 3 si i Partizanit.
Mbrojtësi Frashëri ishte pjesë e skuadrës së drejtuar nga legjenda Loro Boriçi në barazimin 1-1 kundër Irlandës së Veriut për eliminatoret e Kupës së Botës “Angli 1966”, ndaj lojtarëve të tillë si Xhorxh Best, Terry Neil, Pat Xhanings, etj, Ndeshjet e tjera janë ato kundër Danimarkës (2), Holandës (2), Zvicrës (2), Gjermanisë Perëndimore (1), Polonisë (1). Lojërat e mbrojtësit energjik u pëlqyen si në Tiranë, ashtu edhe në Kopenhagen, Roterda, Gjenevë, Dortmund, Belfast.
Ai ka pasur kundërshrtarë të mëdhenj si Gerd Myler, Volfgang Overat të Gjermanisë Përëndimore, e cili kishte edhe lojtarë të tjerë të kalibrit botëror si Franc Bekenbauer, Vili Shulc, etj.
TRAJNER KAMPION
Fatmir Frashëri e ka drejtuar tri herë Tiranën në periudha të ndryshme: 1985-1987, 1992-1994 dhe 2002-2003. Ai e shkruar emrin e tij edhe si trajner fitues me Tiranën, ai fitoi kampionatin në sezonin 2002-2003 me lojtarë të tillë si Nevil Dede, Rezart Dabulla, Ardian Mema, Ervin Bulku, Sokol Prenga, Eldorado Merkoçi, Mahir Halili, etj., duke u bashkuar kështu në “Librin e Artë” të trajnerëve të tillë si: Selman Stermasi (5 tituj), Myslim Alla (4), Enver Shehu (3), Shkëlqim Muça (3), Shyqyri Rreli (2), Sulejman Mema (2), Samo Singer (1, 1934), Mirel Josa (1), Sulejman Starova (1) dhe Alban Tafaj (1). Por, Frashëri ka fituar edhe një titull kampion me Dinamon e sezonit 1985-1986, me lojtarë të tillë si Muhedin Targaj, Agim Canaj, Ilir Luarasi, Arben Vila, Sulejman Demollari, Eduart Abazi, Naum Kove, etj.
Ai është trajneri i pestë që ka fituar tituj kampion me dy skuadra të ndryshme, së bashku edhe me Myslim Allën (4 Tirana, 1 Partizani); Bejkush Birçen (2 Partizani/1 Dinamo), Shkëlqim Muçën (3 Tirana/1 Dinamo), Mirel Josën (2 Skënderbeu/1 Tirana). Si trajner ai ka punuar me lojtarë të shquar si Muhedin Targaj, Sulejman Demollari, Arben Minga, Agustin Kola, etj.
PRESIDENT KAMPION
Fatmir Frashëri mbetet një nga figurat më të respektuara në ambientin bardheblu, me madhështinë e fisnikërinë e tij të pashoqe. Katër donatorët: Agron Papuli, Avni Nuri, Shefikat Ngjela dhe Refik Halili ranë dakord që në postin (honorifik) të presidentit të ishte Fatmir Frashërin (ish-lojtar dhe ish-trajner i Tiranës). Në sezonin e tij të parë dhe të vetëm te Tirana në rolin e presidentit, 2005-2006, Frashëri fitoi titullin kampion, duke u bërë kështu ndoshta një rast i rrallë dhe në botë, që një individ fiton me të njëjtin klubi titullin kampion si lojtar, trajner dhe president.
SKEDA
Datëlindja: 3 prill 1941
Vendlindja: Tiranë
Shtatlartėsia: 1,79 cm
Roli: Mbrojtës i djathtë
Numri në fanellë: 3
Arsimimi: Teknikumi i Fizkulturës, Universiteti i Sporteve, dega mësuesi
Gjuhë të huaja: Anglisht, Italisht
Karriera si futbollist: Të rinjtë e Tiranës në dy sezone 1957 dhe 1958
Me ekipin e të rriturve: Partizani: 1962-1963 dhe 1963-1964; 17 Nëntori: 1964-65, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970
Me ekipin kombëtar: 12 ndeshje titular.
Ndeshja e parë me Danimarkën qershor 1963 e fundit me Poloninë tetor 1970
Karriera si trajner: 17 Nëntori 1970-1980 ekipi i të rinjve, ekipi Shpresa dhe ekipin e të rriturve; Naftëtari 1980; Besa 1981-1982; Dinamo 1985-1986; Tirana 1990-1991; Tirana 1993-1994; Tirana 2003.
Tituj e trofe si futbollist: Kampion me Partizanin 1962-1963 dhe 1963-1964; Medalje e argjend – Vendi II me Partizanin në Hanoi (Vietnam) 1963 në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës.
Fitues në anketën “11-shi më i mirë në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës”.
Trofe e tituj me Tiranën: 1957 dhe 1958 Kampion me të rinjt; 1959 Fitues i Kupës XV Vjetori i Clirimit.
Kampion me 17 Nëntorin: 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970. Pozicione drejtuese: 1992-1995 Sekretar I FSH; 2004 President i FK Tirana; President nderi I FK Tirana.
Vlerësime: “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”; “Mjeshtër i Merituar”; “Nderi i Sportit Shqiptar”; “Legjenda e Futbollit Shqiptar; Urdhëri “Naim Frashëri” Kl. II.