Leonard Liti, mesfushori energjik dhe i kudondodhur!
Dosier/ Karriera e një prej protagonistëve në sukseset e bardhebluve të viteve 80-të
Nga Bedri Alimehmeti
Gazetar, shkrimtar – “Mjeshtër i Madh” & “Fisnikëria Tiranse”
17 shtator 1986. Në një “Qemal Stafa” të tejmbushur në kuadër të turit të parë eliminator të Kupës së Kupave të Europës bardheblutë e teknikut Enver Shehu përballjen me skuadrën e njohur rumune Dinamo e Bukureshtit, një nga më të mirat në futbollin europian të asaj kohe. Baraspeshë e plotë, në nivel e në raste, teksa vetëm në aspektin territorial ekipi ynë është dominues. Grupi i djemve bardheblu me në krye Mingën, Kolën, Muçën, Omurin, Litin, Hodjen, Bimon, Josën, Lekbellon me shokë nuk lëshon edhe pse po shkohej drejtë përfundimit të takimit. Por kur shumëkush kishte menduar se ndeshja po shkonte drejtë një rezultati të bardhë, aq më tepër nga që ishin duke u luajtur dhjetë minutat e fundit të kohës së rregullt, ka qenë mesfushori Leonard Liti, që pasi u ka rrëmbyer me zgjuarsi një top rumunve ka shpërthyer fuqishëm në të djathtë të sulmit, deri në limitet e vijës fundore, nga ku ka krosuar në brendësi të zonës së mbrojtjes rumune dhe i ka dhuruar një asist ideal Agustin Kolës, që pasi e ka kuptuar bukurfort manovrën e shokut është gjendur në kohën e në vendin e duhur. Kola ka goditur shpejtë e saktë dhe topi ka përfunduar në rrjetë, 1-0 për bardheblutë. Entusiazëm i papërshkrueshëm nëpër tribunat e “Qemal Stafës”. Dhe nuk ka më kohë. Minutat e mbetura janë vetëm një formalitet. Dinamo e Bukureshtit është mposhtur nga bardheblutë. Fitore e merituar. Aq më tepër bëhej e tillë nga fakti që ishte arritur ndaj një skuadre me zë në Europë, që në përbërje kishte jo pak futbollistë të kombëtares rumune. Meritë e të gjithëve, sidomos e Kolës por në veçanti e Litit, që dhuroi atë asist, falë të cilit erdhi goli i fitores. Edhe në ndeshjen e kthimit më 1 tetor bardheblutë në Bukuresht triumfojnë sërish 2-1 me gola të Mingës e Josës. “Ka qenë një moment i paharrueshëm, – kujton Liti – atë mbrëmje i gjithë Bukureshti, tifozë të Rapidit, të Steaos e të Nationalit brohoritnin për ne”.
Dhe nuk ishte ky i pari rast ku kontributi i Litit spikaste dukshëm në lojën e bardhebluve. Ai kishte që në vitin 1979, kur ishte vetëm 18 vjeç, që kishte ndjerë mbi shpatulla fanellën peshërëndë të ekipit të parë të 17 Nëntorit për të cilin më pas kishte kontribuar në fitoret e dy titujve kampion në sezonet futbollistikë 1981-1982 dhe 1984-1985 dhe në tri kupa të republikës në vitet 1983, 1984 dhe 1986. Dhe ky bilac trofesh nuk ishte aspak i rastësishëm. Në gusht të vitit 1979 në kampionatin ballkanik të të rinjve zhvilluar në Bullgari, Leonard Liti ishte shpallur mbrojtësi më i mirë i kampionatit dhe për këtë ishte vlerësuar me kupën përkatëse. Pas kësaj ai do të inkuadrohet me sukses në radhët e bardhebluve edhe të ekipit kombëtar Shpresa U-21. Aktivizimi i tij në radhët e U-21 do të kulmoj në vitin 1983, kur ekipi ynë kombëtar Shpresa do të renditej midis tetë skuadrave më të mira të kontinentit. Ndërkohë ai kontribuon dukshëm edhe në ndeshjet për kupën ballkanike në kuadrin e së cilës Tirana u ndesh me skuadra të njohura të gadishullit si Larisa e Trikallës (Greqi) dhe Boreoe e Stara Zagorës (Bullgari).
Në kompeticionet e Kupave të Europës si në atë të Kampioneve, të Kupës së Kupave e të Kupës UEFA kontributi i Litit në mesfushën e bardhebluve, do të jetë vërtet i nivelit të lartë. Kështu pati ndodhur së pari në Kupën e Kampioneve në vitin 1982 në eliminimin që Tirana i bëri ekipit Linfilld të Belfastit kampion i Irlandës së Veriut, pas të cilit u bë ekipi i parë shqiptar që kalon në turin e dytë dhe e sheh veten mes 16 skuadrave më të mira të Europës sëbashku me Liverpulin, Milanin, Barcelonën, Bajernin e Mynihut etj. Për fat të keq në turin e dytë shorti bardheblutë i vuri përballë Dinamos së Kievit kampione e BRSS, shtet me të cilin në atë kohë vendi ynë i kishte të mbyllura të gjitha portat e komunikimit. Madje mospranimi për t’u ndeshur me rusët i kushtoj Tiranës një vit jasht kompeticioneve të kontinentit.
Por pas kësaj bardheblutë sigurisht me Litin në mesfushë, teksa arrijnë të shpallen edhe dy herë të tjera kampionë në sezonet 1987-1988 dhe 1988-1989 do të prekin sërish suksese e do të lënë gjurmë nëpër kupat e Europës. Kështu pas suksesit në vitin 1986 në turin e parë të kupës së kupave ndaj rumunëve të Dinamos së Bukureshtit, në kompeticionin e kupës së kampioneve në sezonet e viteve 1988 dhe 1989 do të eleminojnë dy herë radhazi skuadrat kampione të Maltës Hamrun Spartans (1-2, 2-0) dhe Sliema Wandërers (1-0, 5-0). Pas kësaj nuk vazhduan më tej edhe pse bënë një performancë dinjitoze në përballjet për turin e dytë ndaj kampiones së Suedisë IFK Goteborg dhe ndaj asaj të Gjermanisë FC Bajern i Mynihut.
Rritur e formuar më së miri si futbollist nëpër ekipet e grupmoshave të klubit bardheblu. Fillimisht në atë të para të rinjve, ku është përgatitur nga plejmejkeri i njohur i mesfushës së Tiranës së viteve 60-të Luigj Bytyçi (Bixhi) e më pas në atë të të rinjve nga sulmuesi i spikatur i po atyre viteve Prof. Dr. Bahri Ishka. Pas kësaj mesfushori i palodhur e i kudondodhur Leonard Liti do të ketë një karrierë brilante afro dymbëdhjetë vjeçare pa u shkëputur asnjëherë në radhët e ekipit të të rriturve të Tiranës së viteve 80-të të shekullit të kaluar, ku bashkë me Mingën, Kolën, Muçën, Memën, Josën, Omurin, Hodjen, Lekbellon, Bimon, Alimehmetin, Ramadanin, Mersinin, Sharrën, Rizën etj., nën drejtimin e trajnerëve Enver Shehu e Shyqyri Rreli në pankinë i kthyen klubit lavdinë e triumfeve të skuadrës së paharruar të viteve 60-të.
Kanë kaluar vërtet jo pak por dy dekada nga dita kur ai i tha lamtumirë futbollit, për të iu përkushtuar biznesit familjar, por për lojën model, grintën e pashtershme nga fillimi e deri në minutën e fundit e sidomos për korrektesën e mirësjelljen shembullore në fushë Leonard Liti si për ish shokët e skuadrës edhe për dashamirësit e shumtë të bardhebluve vijon të mbetet futbollisti energjik, i papërtueshëm e i kudondodhur, shoku e miku i të gjithëve.
Skeda
Emri mbiemri: Leonard Liti
Vendlindja: Tiranë
Datëlindja: 12 qershor 1961
Arsimimi: Universiteti i Sporteve, mësues i edukimit fizik
Trofe të fituar si futbollist:
Katër herë kampion me Tiranën në sezonet:
1981-1982, 1984-1985, 1987-1988 dhe 1988-1989
Tri herë fitues i Kupës së Shqipërisë:
1983, 1984 dhe 1986
Tituj nderi:
Mbrojtësi më i mirë në kampionatin ballkanik për të rinj në Bullgari 1979
Në tetë ekipet më të mira të Europës për Shpresat U-21 në vitin 1983
“Mjeshtër Sporti”