“Q-Bomber” – Qazim Laçi, goleadori i Ajaccio në Francë!
Qazim Laçi ka bërë heroin në Francë për Ajaccio, duke ndihmuar skuadrën e tij të marrë një barazim 2-2 në transfertën e Tuluzës.
Një tjetër lojtar i Kombëtares ka qenë protagonist me klubin në fundjavë. Qazim Laçi ka bërë heroin në Francë për Ajaccio, duke ndihmuar skuadrën e tij të marrë një barazim 2-2 në transfertën e Tuluzës.
Mesfushori kuqezi ka shënuar dy gola për ekipin e tij në barazimin 2-2, teksa Ajaccio u detyrua të luante për rreth 50 minuta me 10 lojtarë.
Laçi do të barazonte fillimisht shifrat në minutën e 35 të sfidës dhe pasi vendasit kaluan sërish në avantazh me anë të një autogoli, mesfushori shënoi edhe golin e 2-2 për skuadrën e tij në minutën e 59.
Pavarësisht përpjekjeve shifrat nuk ndryshuan më deri në fund e kështu Ajaccio mori një barazim shumë të rëndësishëm në ndeshjen e parë në edicionin e ri në kategorinë e dytë franceze. Një natë për t’u mbajtur mend nga Laçi që e nis me këmbën e mbarë premierën në Ligën e dytë të Francës.