Duro, “Shpëtimi” i Laçit
Trajneri 61-vjeçar i dha dimensionin futbollistik që Laçi meritonte falë edhe një investimi dhe projekti të qartë afatgjatë.
Nga Dash Frashëri, botues i Tifozet.al
Kur Pashk Laska ia besoi Laçin e tij, një trajneri me përvojë ndërkombëtare si Shpëtim Duro, presidenti simpatik i kurbinasve ishte i bindur në aftësitë e ish-teknikut të Partizanit dhe disa skuadrave të tjera shqiptare, por edhe Shkëndijës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut dhe Dritës në Kosovë.
Duro me qetësinë dhe maturinë e tij tipike për një trajneri elite riformatoi një Laç me mentalitet fitues, protagonist në kampionat dhe kupën e Shqipërisë dhe një fuqi futbollistike në Conference League.
Eliminimi i dy skuadrave: Podgorica (Mali i Zi) dhe Universitea Craiova (Rumani) në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të UEFA-s për klubet – pas Champions League – është një sukses i jashtëzakonshëm për Laçin, e shoqëruar me miliona euro të ardhura për klubin.
61-vjeçari Shpëtim Duro, i vlerësuar në ambientet e trajningut shqiptar, si “dijetari” i futbollit, i dha dimensionin futbollistik që Laçi meritonte falë edhe një investimi dhe projekti të qartë afatgjatë, teksa për skuadrën kurbinase kjo është hera e tetë që merr pjesë në Europa League (sot Conference League).
Ndeshja e radhës është ndaj gjigantëve belg të Anderlecht, për turin e tretë të Conference League.
Një supersfidë futbolli, por edhe një sfidë historike për klubin e madh të një qyteti të vogël, si Laçi.
Një skuadre që luan ndoshta futbollin më modern në Shqipëri.
Falë lojtarëve. Falë Duros!