“Tokyo 2020”, peshëngritësi Erkand Qerimaj, i 9-ti në botë!
Qerimaj garoi në baterinë B në peshën deri në 81 kilogram dhe e mbylli në krye me 338 kilogram të ngritura në dygarësh, por pas përfundimit të garës edhe në baterinë A, shtangisti shkodran zbriti në vendin e 9 të renditjes së përgjithshme,
Ka përfunduar aventura në Lojërat Olimpike të “Tokyo 2020” edhe për peshëngritësin shkodran Erkand Qerimaj, i cili nuk ia doli të shkojë përtej vendit të nëntë në dygarësh, me vetëm 338 kilogram të ngritura.
Qerimaj garoi në baterinë B në peshën deri në 81 kilogram dhe e mbylli në krye me 338 kilogram të ngritura në dygarësh, por pas përfundimit të garës edhe në baterinë A, shtangisti shkodran zbriti në vendin e 9 të renditjes së përgjithshme.
Peshëngritësi 33-vjeçar e nisi me 151 kilogram në stilin e shkëputjes dhe ia doli me sukses, teksa po kaq mirë bëri edhe në dy provat e radhës me 155 dhe 157 kilogram të ngritura, ose 17 kilogram më tepër se ndjekësit më të afërt.
Jo aq e mirë performanca e Erkand Qerimajt në shtytje, pasi ngriti me sukses 181 kilogram në provën e parë, por më pas dështoi në dy të radhës për të ngritur përkatësisht 185 dhe 187 kilogramë, duke mbyllur dy-garëshin me 338 kilogram në total.
Kampion Olimpik në peshën deri në 81 kilogram u shpall kinezi Lyo Xiaojun, i cili ngriti 170 kilogram në shkëputje, 204 në shtytje dhe 374 në dygarësh, duke vendosur tre rekorde olimpike, teksa në podium u ngjitën edhe domenikani Michel Zacarias me 367 kilogram në dygarësh dhe italiani Antonino Pizzolato me 365 kilogramë të ngritura.