Faruk Kalleshi: Briken Calja, peshëngritësi më rezultativ shqiptar i të gjitha kohërave!
Për një ish-rekordmen dhe ekspert të shtangës shqiptare si Faruk Kalleshi, Briken Calja, me rezultatin e arritur dhe vendin e katërt në botë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, hyn në panteonin e peshëngritësve më të mëdhenj shqiptar dhe shtangistin më rezultativ të të gjitha kohërave në arenën ndërkombëtare.
Për një ish-rekordmen dhe ekspert të shtangës shqiptare si Faruk Kalleshi, Briken Calja, me rezultatin e arritur dhe vendin e katërt në botë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, hyn në panteonin e peshëngritësve më të mëdhenj shqiptar dhe shtangistin më rezultativ të të gjitha kohërave në arenën ndërkombëtare.
Në fakt, nga “Sidney 2000”, kur Ilirjan Suli zuri vendin e pestë dhe deri te “Tokio 2020”, peshëngritjes shqiptare iu deshën 20 vjet për të arritur në këtë nivel (Romela Begaj zuri vendin e 6-të në “Pekin 2020”).
“Briken Calja është sportisti më rezultativ i të gjitha kohërave. Edhe pse pa trajnerin e tij, ai tregoi vlerat e një sportisti model, ndonëse me trajnerin e tij mendoj se dhe psikologjikisht do të ishte më komod. Është në periudhën më të mirë të karrierës, e cila duhet të menaxhohet mirë dhe të mos shkojë si mall pa zot. Fatkeqësisht vetëm në Shqipëri ndohh ky skandal. Do zoti të mos përsëritet më. I uroj përzemërsisht suksese në vazhdimësi”, tha Kalleshi për gazetën “Tifozët.al”.
Faruk Kalleshi ka qenë peshëngritës, trajner, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Gjatë karrierës së tij ka fituar 21 vite kampion kombëtar dhe ka fituar 15 herë Kupën e Republikës. Ka fituar medalje ari dhe argjendi në aktivitetet ndërkombëtare. Faruk Kalleshi është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”.
Briken Calja e humbi për vetëm një kg medaljen e bronztë në “Tokio 2020”. Peshëngritësi nga Shtërmeni iu afrua ëndrrës për t’i dhuruar një medalje olimpike Shqipërisë në këtë olimpiadë, por në fund u rendit në vendin e katërt.
Briken Calja e mbylli në vendin e shtatë garën në stilin e shkëputjes në “Tokio 2020”, duke mos arritur rezultatin që pretendonte. Peshëngritësi kuqezi mundi të ngrinte 151 kg në provën e dytë, pasi dështoi të kishte sukses në të parën, ndërsa në provën e tretë e pati të pamundur ta çonte mbi sup shtangën, me peshë 155 kg.
Në stilin e shtytjes Calja pati sukses në provën e parë me 184 kg, dështoi në të dytën me 188, por bëri mrekullinë në provën e fundit me 190 kg. Në dygarësh, Calja ngriti në total 341 kg dhe vetëm për një kg, mbeti jashtë zonës podiumit, pasi indoneziani Abdullah Rahmat Erwin, që garonte në baterinë B, ngriti në dygarësh 342 kg. Për medaljen e artë nuk pati konkurrencë, pasi kinezi Shi Zhiyong ngriti 198 kg në shtytje, duke thyer rekordin olimpik, ndërsa në dygarësh me 364 kg, theu rekordin olimpik dhe botëror.
Medaljen e argjendtë në kategorinë deri 73 kg e meritoi Julio Ruben Mayora Pernia me 346 kg në total.