Besnik Dizdari: Vizita ime në Federatën Angleze të Futbollit dhe kontributi i Nimet Canit, kryetarit të FSHF-së
Në krye të Kombëtares kësaj radhe ishte vetëm kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Nimet Cani, një anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, për njëfarë kohe një futbollist pa shumë karrierë i 17 Nëntorit, sjellja e të cilit duhet thënë se qe e shkëlqyeshme
Nga Besnik Dizdari
E kam fjalën për shkollën e gazetarisë të regjimit komunist, sepse edhe ajo në Shqipëri ka qenë një shkollë. Natyrisht një shkollë e çuditshme, paradoksale, pse jo, e një nënshtrimi politik të rrallë ndaj partisë në fuqi. Brezi ynë që për vite kemi lexuar shkrime të gazetave të vendeve të tjera komuniste, kryesisht të Bashkimit Sovjetik, e kemi përjetuar, madje mbajtur mbi shpinë, këtë lloj “shkolle” të tyre që do të përvetësohej edhe nga Shqipëria.
Mirëpo, më vonë, sidomos mbas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e raportit të Nikita Hrushovit kundër kultit të individit të Stalinit, ndërsa atje situata ndryshoi tejet, tek ne ajo mbeti po ajo. E pamëshirshme!
E megjithatë, gazetaria sportive sado e nënshtruar dhe e politizuar edhe ajo, deri diku ruajti një origjinalitet pavarësie, qoftë dhe të vogël. Kjo, edhe ngaqë siç dihet, përshkrimi i një ndeshjeje sportive nuk mund të ndryshonte nga ajo e Perëndimit. Temë për një herë tjetër kjo, që sidoqoftë, ia vlen të përimtohet sadopak…
Por le të qëndrojmë te historia e këtij shkrimi të vitit 1989, që përkon me gati dy vjet para vendosjes së pluralizmit dhe rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri. Një histori që e nxit edhe shorti i Kupës së Botës 2022, ku përsëri Shqipëria është në një grup me Anglinë, madje edhe me Poloninë.
Për herë të parë në histori do të shkonte Shqipëria në Anglinë armiqësore e pakta për bukur 45 vjet. Do të shkonte për t’u ndeshur për Kupën e Botës, mbasi më 8 mars 1989, kishte humbur me të 0-2 në Tiranë. U caktova pra, që si kryeredaktor i “Sportit popullor” të shoqëroja ekipin si i vetmi gazetar. Kuptohej që Shqipëria ende komuniste, donte t’i jepte një farë rëndësie shoqërimit kësisoj të kësaj ndeshjeje të Londrës.
Në të vërtetë kisha fatin të isha i pari gazetar shqiptar i Mbasluftës që shkoja në Angli për një shërbim zyrtar, një lloj i dërguar i posaçëm për një ngjarje (në këtë rast, sportive). Do të gjenim një mikpritje të jashtëzakonshme. Së bashku me presidentin Nimet Cani ishim në rangun e parë të tribunës së nderit, mû aty ku çdo vit Mbretëresha Elizabetë, i dorëzonte skuadrës fituese Kupën e Anglisë.
Kësisoj, në Londrën, paksa edhe gazetareske “shqiptare” të një Tajar Zavalani e Anton Logoreci të “BBC”- së, mbështetës të shquar të Luftës NacionalÇlirimtare, por më mbas po aq dhe të përmbysjes së komunizmit. 24 vjet më parë, më 1965, ndërsa Shqipëria shkonte të luante në Belfast me Irlandën e Veriut, Tajar Zavalani shkonte e vinte me magnetofon në dorë në hollin e hotelit ku ishte Kombëtarja e Shqipërisë, por ku asnjë shqiptar nuk kishte guxuar t’i jepte një intervistë Zavalanit, tashmë “tradhtar”. Ndërsa në këtë vit 1989, pra 24 vjet më vonë, ishte diçka tjetër, megjithatë.
Nuk mund të thuhej se përveç ndonjë marksist-leninisti, të na afrohej ndokush. Ndonëse diku aty afër, siç kam shkruar kohët e fundit për prishjen e pamëshirshme të Teatrit Kombëtar, më dukej se mbërrija tek i mirënjohuri Anton Logoreci, i famshmi i “BBC”-së në shqip, publicist, shkrimtar, politikan! E, shtëpia e tij nuk ishte shumë larg hotelit tonë, siç ma tregonte disi me mllef, një shqiptar i Kosovës, tip enveristi.
Situata politike e kësaj periudhe të vitit 1989, merret me mend se ishte deri diku tronditëse për atë çka kishte nisur të ndodhte në Europën Lindore. Shqipëria nuk lëvizte, por shenjat e revoltave që nuk do të vononin, po dukeshin qartë. Për sa i përket Kombëtares së futbollit, për çudi ajo të dukej se ishte diçka krejt e ndarë nga ai zgjim rezultatesh që sapo kishte shpërthyer me klubet. Kishin ndodhur Flamurtari – Barcelona 1-1 e 0-0, 17 Nëntori – Dinamo e Bukureshtit 1-0 e 1-0 për Kupat e Europës.
Skualifikimi i bujshëm i skuadrës së Vlorës mbas dy ndeshjeve legjendë në Vlorë e në stadiumin mitik “Camp Nou” të Barcelonës dhe kualifikimi bindës i skuadrës së Tiranës me superklubin rumun.
Ndërkaq, më 3 dhjetor 1986 Shqipëria zhvillon një ndeshje të madhe me Spanjën në Tiranë, kur për 66 minuta jemi 1-0 për Shqipërinë me golin e Shkëlqim Muçës dhe më vonë Musta pret 11-metërshin e Cendos, po në fund të fundit Spanja triumfon 2-1, kur barazimi duhej të ishte përtej meritës për Shqipërinë. Mandej Kombëtarja që shkatërrohet 5-1 në Bukuresht prej Rumanisë e 5-0 në Sevilje prej Spanjës. Siç kam shkruar te “Libri i Kombëtares” (2001), qysh nga ky çast nervozizmi, pasiguria përshkon gjithë administratën e futbollit të regjimit.
Dhe si gjithmonë gjithçka përmblidhet te faje trajnerësh. Shkarkohet Agron Sulaj. Ndërkaq, më 6 gusht 1988 në ndeshjen e miqësisë komuniste, shfaqet miqësorja e Beratit, Shqipëria – Kuba, nën drejtimin e papritur të Shyqyri Rrelit të rikthyer po nën presionet e këtij nervozizmi të administratës së padurueshme. Kështjella tashmë ishte çarë keqas.
As Shyqyri Rreli nuk mund ta shpëtonte. Rezultatet janë vetëm humbje radhazi: 0-3 prej Rumanisë, 0-1 prej Polonisë, 1-2 prej Suedisë në Tiranë, 0-2 prej Anglisë në Tiranë. Dhe mû këtu nis e sendërtohet aventura londineze.
Ka qenë 26 prill 1989. Jam i vetmi gazetar shqiptar që shoqëron skuadrën, në një përvojë profesionale që në ato vite izoluese, ishte vërtet fatmadhe. Askush nuk mund ta merrte me mend se si do të ishte ajo ndeshje. Ndonëse sot, se çka ndodhi në Londër të gjithë e dinë. Pa harruar se nuk e di fort mirë brezi i ri i futbolldashësve, e kësisoj më tepër për ata po ribotojmë reportazhin e asaj ndeshjeje.
Ajo është një ndeshje historike për ne, sepse për herë të parë Shqipëria dukej në stadiumin mitik “Uembli” të Londrës. Është një ëndërr e çdo futbollisti për ta prekur tokën e tij tejendanë të blertë. Shkrimi i këtij shërbimi të rrallë gazetarie është botuar në “Sporti popullor” në numrin e së premtes të 28 prillit 1989. Dhe pat ngjallë shumë diskutime, deri aty sa u quajt tejet liberal, e për kaq e kaq ditë më ka bërë të mbajë peshën e një enigme për mijëra lexues. Ndonëse për mua enigma është zgjidhur andej nga mesdita e atij 26 prilli.
Kam pasë një zakon që ditën që dilte gazeta, unë dilja në zyrë dhe qëndroja për shumë orë, gjithnjë në pritje se çka mund të thuhej për gazetën. Kryesisht nëse mund të kisha ndonjë telefonatë, sidomos nga zyra e Drejtorisë së Shtypit të Komitetit Qendror të PPSH që drejtonte politikisht dhe ideologjikisht krejt shtypin. Nuk ka qenë si sot, kur edhe nëse ka kritika për shkrime, madje dhe polemike, të gjitha këto në fund të fundit veçse gjallërojnë publicitetin e jetës sportive të vendit. Ndërsa asokohe, për të gjitha gazetat e rëndësishmja qëndronte te gabimi i mundshëm politik, te shkelja sado pak e vijës së partisë.
Duke ku kthyer asaj dite të botimit të shkrimit të Anglisë, teksa isha pra, në zyrë, më vjen shoku im i hershëm dhe i ngushtë ing.Naim Tyli, disi duke ia marrë fryma dhe sapo ulet me shqetësim më thotë: “A kemi ndonjë të re?” “Për çfarë”, iu përgjigja unë pyetjes së tij po me pyetje. “Takova në rrugë K.L., i cili më tha se më duket e kanë pushuar nga puna Besnikun për shkrimin e sotëm të Anglisë”. Unë shtanga. Po afrohej mesi i ditës, por asgjë e këtij lloji nuk kishte ndodhur.
E përcolla jo pak i tronditur Naimin dhe u riktheva në zyrë. Menjëherë vendosa të marr në telefon drejtorin e shtypit, Miti Tona, me të cilin kisha marrëdhënie shumë të mira, dashamirëse e inkurajuese. Për të kuptuar sado pak diçka për jehonën atje lart të shkrimit, e pyeta për pasqyrimin e një veprimtarie të vogël politike që do të ndodhte ato dit, pra, nëse duhej ta pasqyronte edhe gazeta “Sporti popullor”. Dhe mbasi mbaroi kjo, papritmas ai më përgëzon për shkrimin e Anglisë. Lehtësimi im ka qenë i jashtëzakonshëm. U qetësova tejet. Duhet të hysh në atë kohë për të kuptuar se çka ishte një kryeredaktor i regjimit, qoftë edhe i gazetës sportive.
Por ishte prill 1989 dhe shteti komunist ishte bërë edhe ai po aq enigmatik në “fshehtësitë” e tij të fundit., teksa vendet e lindjes po zienin për përmbysjen e regjimeve komuniste. Ndërkaq, Londra kishte një risi për Shqipërinë. Ishte hera e parë në historinë e Kombëtares që ajo nuk shoqërohej nga njerëz të Sigurimit të Shtetit, zakonisht në rolin e zëvendësit të përgjegjësit të ekipit. Në krye të Kombëtares kësaj radhe ishte vetëm kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Nimet Cani, një anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, për njëfarë kohe një futbollist pa shumë karrierë i 17 Nëntorit, sjellja e të cilit duhet thënë se qe e shkëlqyeshme. Nuk mund të harroj kurrë kur i thashë se kam dëshirë të bëj një vizitë në Federatën Angleze të Futbollit, selia e së cilës nuk ishte larg hotelit tonë.
Ai as që e vuri në diskutim një gjë të tillë. Unë shkova në selinë e Federatës Angleze të Futbollit dhe nuk po zgjatem rreth kësaj vizite të pashlyeshme, sepse e kam përshkruar paksa një herë tjetër… E vërteta ishte se Shqipëria dukej se kishte filluar aty-këtu, doemos me shumë pakicë të ndryshonte. Dhe shkrimi-reportazh për Anglia – Shqipëria që do të mbërrinte deri në bujë. Për disa ditë nuk guxoja të kaloja në rrugë. Miq e shokë më ndalonin e më përgëzonin. Prapë them nuk ka qenë si sot. Në njëfarë mënyre mund të them se ato dit të kthimit kam pritur deri vizita të posaçme në shtëpi prej miqve të cilët më shumë se për ndeshjen donin të dëgjonin për Anglinë. Kaq e izoluar ka qenë Shqipëria.
Nuk do ta zgjas, sepse lexuesi i sotëm besoj se do ta lexojë shkrimin. Vetëm mendoj se risia e shkrimit për asokohe qëndronte te përshkrimi disi në aspektin historiko-kulturor për se çka ishte Londra e Anglisë. Dhe kjo duke zënë një pjesë të mirë të shkrimit. Dikush thoshte se kështu e ka orientuar partia gazetarin. Dikush tjetër se do ta pësojë.
E vërteta ishte se asnjë orientim nuk mora prej askujt për se si dhe se çka duhej të shkruaja. Kështu më kishte thënë mendja. Dhe jo prej një naiviteti. Më shumë prej një pasioni për gazetarinë e kësaj gjinie, por edhe ngaqë e kuptoja se dritëhijet e një liberalizimi sado të vogël të asaj Shqipërie komuniste datuar 1989, së cilës nuk i kishin mbetur më shumë se edhe nja 20 muaj jetë, nuk mund të më pengonte për të paraqitur deri diku edhe Anglinë jashtësportive e sportive bashkë, në një përshkrim të shpejtë kulturoro-historik, çka natyrisht niste me vizitën në varrin e Karl Marksit.
Dhe vetëm kaq. Siç shihet, shkrimi sundohet edhe prej tregimit të dy ndeshjeve, të Shpresës dhe të Kombëtares. Prapë me një lirshmëri disi tjetër. Problemi ishte se në gjithë një faqe gjysmë gazete me format shumë të madh, që niste dukshëm nga faqja e parë, u kushtohej dy humbjeve, njëra prej të cilave dërmuese 0-5! “Truku” i tregimit qëndronte te Blendi Nallbani 17-18-vjeçar të cilin nuk e emocionoi aspak madhështia e një “Uembli”.
Dhe po aq tek episodi i golit të anuluar të mjeshtërisë së përsosur të goditjes të një Sulejman Demollari, “princ” i hershëm i futbollit shqiptar. Mirëfilli pak kush u mor me humbjen 0-5, po aq edhe me ndeshjen dinjitoze mund të them, të Shpresës të trajnerit Medin Zhega. Dukej qartë se ajo që diskutohej më fort kishte të bënte me përshkrimin e mjedisit londinez “josportiv” prej autorit.
Tash nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të ëndërrojmë ndeshjen e ardhshme Anglia – Shqipëria të 28 marsit 2021 po për Kupën e Botës mbas bukur 31 vjetëve të reportazhit zëmadh të 28 prillit 1989, pa dyshim ndër më të lirët, që kam arritur të shkruaj për Kombëtaren nën diktaturë. Sot diçka krejt normale. Duhet hyrë megjithatë në kohën e atëhershme për të kuptuar të vërtetën mbi lirinë e ndaluar të shtypit. Ishte viti 1989!…
Shënimin tim po e mbyll duke i kujtuar lexuesit se atë ditë tirazhi i “Sportit popullor” ishte 51.530 kopje, prej të cilave 49.060 të abonuar. Në kioska vetëm 2528 kopje. Popullariteti i gazetarisë sportive nën izolimin e pashembullt të regjimit komunist çuditërisht kishte mbërritur kulmin e rekordeve!…
Tiranë, dhjetor 2020