Grinta nuk mjafton, Laçi humbet me Anderlecht
Humbja 0-3 e Laçit në takimin e zhvilluar në “Elbasan Arena” ndaj Anderlechtit nuk të lë më të ëndërrosh
Kualifikimi i Laçit në “play off”-in e Conference League u duk mision i pamundur që kur u mësua se kundërshtar në raundit e tretë do të ishte Anderlechti, skuadra e famshme belge e drejtuar nga një emër i madh i futbollit europian, si Vincent Kompany.
Humbja 0-3 në takimin e zhvilluar në “Elbasan Arena” ndaj Anderlechtit nuk të lë më të ëndërrosh, takimi i kthimit në transfertë do të jetë një formalitet për belgët.
Grinta dhe vendosja e mirë e Laçit në minutat e para ishte thjesht një iluzion për rezultat pozitiv, pasi në minutën e 26-të, në zhvillimet e një këndoreje, Delcroix devijoi me gju topin për në rrjetë, 0-1.
Tentoi Lushkja të kthente ekuilibrat në rezultat me një goditje të kalibruar nga jashtë zonës, por topi përfundoi mbi tra. Pa u mbyllur pjesa e parë, sërish nga këndorja lindi goli i dytë i belgëve, këtë herë i shënuar nga Hoedt.
Gjatë pjesës së dytë skuadra e dytë nuk kishte as forcë dhe as moralin për të ndryshuar rrjedhën e lojës, pavarësisht disa shkëndijave në portën e miqve (55’), për të ardhur më pas te goli i tretë dhe I fundit I realizuar nga Rafaelov me një predhë nga distanca.
Dy minuta para fundit të kohës së rregullt (88′) Prenga vuri në vështirësi portierin Van Crombrugge, por pa mundur të realizonte golin e nderit për ekipin kurbinas, që pas një javë do të udhëtojë drejt Belgjikës thjesht për të bërë një paraqitje dinjitoze, pasi kualifikimi në këtë rast është thjesht utopi.