Paris Saint Germain fiton ndaj Troyes në transfertë
Paris Saint Germain e nis mbarë kampionatin në Francë, teksa në ndeshjen e parë iu imponua 1-2 Troyes në transfertë.
Paris Saint Germain e nis mbarë kampionatin në Francë, teksa në ndeshjen e parë iu imponua 1-2 Troyes në transfertë. Ende pa Neymarin, Di Marian, Verratin dhe Maqrquinhos në dispozicion, pasi i kanë nisur vonë përgatitjet për shkak të impenjimeve në Copa America dhe Europian, rolin e protagonistit në radhët e parizienëve e mori blerja e verës, Hakimi, i cili realizoi në minutën e 19-të në ndeshjen debutuese në Ligue 1 golin e 1-1, teksa që në minutën e 9-të vendësit i kishte kaluar në epërsi El Hajjam.
Vetëm dy minuta pas golit të ish-futbollistit të Interit, realizoi një tjetër ish-zikaltër, Mauro Icardi, që shfrytëzoi një top të pasuar nga Mbappe. Tre gola të shënuar brenda 21 minutave lojë, me Parisin që përmbysi shumë shpejt rezultatin, me shifrat që mbetën të pandryshuara deri në fund.
Duhet përmendur fakti që në minutat shtesë, portieri Keylor Navas kreu disa pritje të njëpasnjëshme, duke u mohuar golin e barazimit futbollistëve të Troyes. Me këtë fitore, PSG ngjitet menjëherë në krye, duke shfrytëzuar hapin e gabuar të Lyonit dhe Monacos.