Kliton Bozgo, “makineria” e golave

Goleadori i tretë më i mirë në historinë e Tomorit dhe dy herë kryegolashënues  në Slloveni, sot rrefehet për rrugëtimin e tij sportiv edhe te Kombëtarja


Nga Agron Kaja, gazetar sportiv

Sot ai është 50 vjeç, por kur u largua nga Tomori sapo i kishte kaluar të 20-at. Kliton Bozgo bëri histori me Tomorin, edhe pse karriera e tij në Berat ishte e shkurtër në vite. Fanela me numrin 10 që Përparim Kovaçi i dorëzoi pas lënies së karrierës së tij, i dha Klitonit shkëlqimin e duhur edhe në shënimin e golit. Në sezonin 1990-1991 ai u shpall golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me 29 gola, shifër kjo që rrallë është arritur nga të tjerë goleadorë, kur bëhet fjalë për një kampionat me dy faza. Pas largimit nga Shqipëria, Klitoni u end vendos në Maribor të Sllovenisë ku jeton e punon ende, por ai asnjëherë nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me futbollin shqiptar dhe atë beratas. Si futbollist i Kombëtares ai krenohej që vinte nga Berati, edhe pse vendlindja e tij është Gjirokastra. Kur Tifozët.al i kërkoi këtë bashkëbisedim, Bozgo tregoi gjithçka për karrierën e tij në futboll, që nga fëminia e deri më sot që është bërë baba i një djali (KlitonStavri 19 vjeç).

***

-Nostalgji keni ju për Beratin, nostalgji e respekt kanë beratasit për Kliton Bozgon, si ndjeheni 30 vite larguar nga Shqipëria?

Jam shumë nostalgjik për Beratin dhe nuk e kuptoj jetën time pa kujtimet që kam kaluar në atë qytett, të cilin po e quaj “Magjik”. Dhe fanella e Tomorit ka mbetur për mua më e rëndësishme nga fanellat e tjera që kam veshur në karrierë.

-Shtëpia juaj në Berat me stadiumin e vjetër janë shumë afër në distancë, ishte kjo një nga mundësitë për të qenë afër me futbollin?

Kam pasur një fëmijëri shumë të bukur e të lumtur, kemi pasur një familje të madhe. Kisha fat, sepse midis apartamenteve ishte një oborr, që shpejt u kthye në fushë futbolli. Vetëm 50 metra larg ishte stadiumi i vjetër i Tomorit, ku bënte stërvitje ekipi. Çdo ditë shkoja të shikoja stërvitjen dhe bashkë me shokë të tjerë kapnim topat pas porte. Këtu filloi ëndrra ime për futbollin.

-Sot pas 30 viteve larguar nga Berati, si i kujtoni fillimet e para me lojën e futbollit?

Për dy trajnerë unë jam mirënjohës, pasi kanë meritë për karrierën time. Trajnerët Njazi Shehu dhe Mandi Xhamo bënin ndeshje në shkollat fillore të Beratit ku seleksiononin talente. Unë luajta një ndeshje te aneksi pas stadiumit të vjetër dhe pas saj më pranuan. Nga shkolla “22 Tetori” kalova te shkolla sportive “1 Maji” deri sa mbarova klasën e tetë. Ka qenë një periudhë e shkëlqyer, ku organizimi i shkollës dhe stërvitjes kanë qenë në një nivel të lartë.

-Në Kampionatin e shkollave sportive që u zhvillua në Lezhë, e quani ju hapin e parë të prezantimit të vlerave tuaja?

Në Lezhë zhvillohej kampionati midis shkollave të të gjithë Shqipërisë 1983. Ne si Tomori shkuam në finale, ku luajtëm ndaj Besëlidhjes së Lezhës që kishte në ekip lojtarin më të mirë, më vonë shokun tim të Kombëtares, Bledar Kolën. Aty unë preka për herë të parë emocionet e një realiteti ndryshe, që do të më shoqëronte më vonë, por duke i rritur përmasat vit pas viti.

-Më pas, Shkolla e Mjeshtërisë në Tiranë ishte një përvojë juaja për kalimin në futbollin e elitës?

Në Shkollën e Mesme të Mjeshtërisë Sportive në Tiranë kam shkuar pasi fitova me konkurrim, mes një konkurrence të madhe me nxënës nga e gjithë Shqipëria. Ishte fillim ishte shumë vështirë, por ajo ishte shkollë që prioritet kishte futbollin dhe aty me ne punuan emra të njohur të trajningut, si Mehmet Spahiu, Ramadan Shehu, Besnik Çela, Bujar Kasmi etj. Shkolla e mjeshtërisë ishte një bazë shumë e mirë për formimin si sportist dhe si njeri.

Pse erdhët në Berat pas përfundimit të Shkollës së Mesme të Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” në Tiranë?

Për mua kishte dy arsye: E para nostalgjia e dëshira për të veshur fanelën e Tomorit; E dyta: Sepse mua nuk ma dhanë bursën për në ILKF. Dy trajnerët “Legjendë” te Tomori, Guxim Mukli dhe Andrea Xheblati më afruan me shumë dashamirësi. Edhe pse në atë periudhë te Tomori luanin Kovaçi, vëllezërit Kokalari, Kiço Mile, Vëllezërit Arbëri, Dume, Voda, Gega, Çaushllari, Zëre e disa të tjerë të njohur në futbollin shqiptar, nuk u diskutua prania ime në formacion.

-Si ishte atmosfera te Tomori në atë periudhë, kur drejtohej nga Guxim Mukli, trajner korrekt në stërvitje e lojë?

Unë kujtoj se trajneri Guxim Mukli kërkonte punë dhe disiplinë në stërvitje e në lojë. Por faktor në Berat ishin dhe janë tifozët, të cilët në ditët e ndeshjeve nuk diskutoheshin të mbushnin stadiumin. Edhe në ditët e stërvitjes, e kryesisht ditën e enjte kur zhvillonim takimin e kontrollit javor, stadiumi mbushej si në një ndeshje zyrtare. Tomori në atë kohë kishte lojtarë që sot mund të luanin në çdo klub të Europës.

-Me Tomorin ju u shpallët edhe golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me 29 gola, ishte ky një kulm që ju dha ngjitjen drejt suksesit?

Them se po. Unë me Tomorin luajta tre sezone të plota si titullar, 1988-1991 dhe në sezonin 1990-1991 u shpalla golashënues i Shqipërisë me 29 gola. Unë bëja shumë stërvitje për golin, dhe mbaj që për herë të parë me fanelën e Tomorin shënova në një ndeshje të Kupës së Shqipërisë në Burrel. Ne fituam 0-1, ndërsa në kampionat e shënova në Kavajë ndaj Besës ku fituam 2-3. Kisha fatin e madh, sepse luajta dhe mësova shumë nga Kovaçi dhe Arben Arbëri.

-E quani moment të veçantë të karrierës suaj dorëzimin e fanelës me numrin 10 nga Kovaçi?

Për mua ishte një moment emocionues kur Kovaçi më dorëzoi fanelën me numrin 10 pasi i dha fund karrierës së tij në futboll. Ai ishte dhe është një Ikonë dhe Legjendë në futbollin beratas dhe për mua numri 10 më solli shumë fat. Në tre sezone me fanellën e Tomorit kam shënuar mbi 50 gola, shifër që më afroi me ekipin Kombëtar të Shpresave (U21).

-Si erdhi largimi juaj nga Shqipëria, e kishte një shtysë?

Pas përfundimit të sezonit 1991-1992, e pashë që një mundësi jashtë futbollit shqiptar do të më jepte mw shumw shanse në karrierë. Por në atë periudhë sikur erdhi si një detyrim profesional kalimi në kampionate të huaja. Më ka ndihmuar trajneri Edmond Gëzdari, ku së bashku me Besnik Prengën kaluam një provë te Dinamo e Zagrebit, ku luanin Vllahoviç, Çvitanovic, Vladiç e Mariç, të cilët më vonë me kombëtaren kroate shkruan historinë duke dalë vendin e tretë në Botë. Pas një ndeshje me të rinjtë më afruan kontratë 4-vjeçare, por unë nuk e pranova.

-Dogjët një shans të artë, por në vazhdimësi si përfunduat te Maribori në Slloveni?

E quaj rrugë të gjatë e të vështirë, edhe pse në harkun e një viti luajta me Dubravën, u provova te Duisburg në Gjermani, por menaxheri nuk i pranoi kushtet e kontratës që afruan gjermanët. Dhe shumë shpejt shkova për provë te Maribori, në vitin 1993, ku pasi luajta një ndeshje më pranuan dhe e firmosa kontratën me këtë skuadër, dhe këtu filloi historia ime në futbollin slloven te skuadrat Maribor dhe Olimpia e Lubjanës.

-Si ka qenë aktivizimi juaj në këto dy skuadra të mëdha në futbollin slloven?

Luajta katër sezone me Mariborin, ndërsa me Olimpian luaja në tre vjet e gjysmë. Edhe në Slloveni kam dalë dy herë golashënuesi më i mirë me 29 dhe 19 gola dhe jam shpallur si golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e futbollit slloven. Me Mariborin shënova 110 gola në 179 ndeshje, fitova dy tituj kampion dhe dy kupa të Sllovenisë: Me Olimpian fitova një titull kampion, një kupë dhe një superkupë.

-Me këto dy skuadra, si ishte prezantimi juaj në Europë?

Me skuadrën e Mariborit arrita të luaj ndeshje edhe Ligën e Kampionëve, sepse kjo skuadër çdo vit luante ndeshje në Europë. Kujtoj një gol të veçantë ndaj Borusias në Dortmund e cila atë sezon luajti deri në finale, ndërsa ekipit të Normës Talin i shënova 4 gola në Maribor. Këto janë si momente më të veçantë, por ka shumë për ti kujtuar.

-Këtu mund të themi se Maribori u bë pedana dhe shtëpia e karrierës suaj për kalimin në ekipin Kombëtar?

Unë kisha luajtur me kombëtaret e moshave, me ekipin Shpresa U21 si dhe me Kombëtaren A që në vitin 1991. Ekipi Shpresa atëherë drejtohej nga trajnerët Bahri Ishkën e Sulejman Starova. Ata më aktivizuan rregullisht e kujtoj një ndeshje të bukur me Francën në Berat që barazuam 0-0, të cilët pas disa vitesh dolën kampionë bote, si Lizarazu, Loko e Zidan. Fituam me Islandën dhe u mundëm me Spanjën dhe më pas unë morra ftesë nga trajneri Bejkush Birçe për Kombëtaren A.

-Keni luajtur 15 ndeshje zyrtare e disa miqësore me Kombëtaren, si e mbani mend fillimin në përfaqësuese?

Në ndeshjen në Greqi, në muajin shtator të vitit 1991 jam afruar fillimisht në Kombëtare nga trajneri Bejkush Birçe, ku ne fituam 2-0 me dy gola të Sokol Kushtës. Më pas më ftuan rregullisht në Kombëtare edhe Neptun Bajko e Astrit Hafizi dhe kjo zgjati deri në vitin 1997. Më shumë jam aktivizuar si mesfushor i majtë dhe si ndeshjen time më të mirë veçoj barazimin 1-1 me Bullgarinë në Tiranë. Kam pasur një duel shumë të fortë gjatë gjithë ndeshjes me Leçkov, e besoj se ja dola me sukses.

-Kombëtarja pas Euro 2016, sa mendoni që ka bindur në lojë e rezultate?

Pas Euro 2016, nga Kombëtarja prisja një ngjitje. Por ndodhi ajo që shpesh pritet te ekipet e vogla, një rënie që po zgjat. Drejtimi nga Edi Reya më duket shumë profesional, por pandemia nuk është në favor të futbollit sot. Gjithsesi, gjithmonë duhet të jemi optimistë, sepse një punë e mirë jep rezultate të mira.

-Si e kujtoni sot largimin tuaj nga futbolli i luajtur?

E kujtoj si një ditë të veçantë, njëherësh edhe si një ditë të mirëpritur. Si futbollist profesionist, u tërhoqa në 2007-ën, në moshën 37-vjeçare, por luajta disa vite edhe në disa klube jo profesioniste në Austri,  deri në vitin 2015. Sot jam i lumtur për karrierën time.


PASAPORTA SPORTIVE E KLITON BOZGO

Datëlindja: 05.12.1971/ Vendlidja: Gjirokastër

Sporti i ushtruar: Futboll/ Pozicioni në fushë: Sulmues

Numri këmbës: 41/ Shtatlartësia: 173 cm

Arsimi: Shkolla e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” 1985-1989

Skuadrat ku ka luajtur: Tomori Berat 1989-1992; Dubrava Zagreb 1992-1993; Maribor Slloveni 1993-1995; Olimpija Slloveni 1995-1998; Maribor Slloveni 1998-2000; Admira Vacker, Austri 2000-2004; Drava PTUJ, Slloveni 2004-2006; Vac ST Andra 2006-2007; Mura 05 Slloveni 2007-2008; hartberg austri 2008-2009; Union Gamlitz 2009-2012; SVS Sachesenburg 2015.

Kryegolashënues: Në Shqipëri, sezoni 1990-1991 me 29 gola (i treti në Europë); në Slloveni, sezoni 1999-2000 me 24 gola dhe sezoni 2004-2005 me 18 gola.

Ndeshjet dhe golat në karrierë: 1989-1992 Tomori, 70 ndeshje 50 gola; 1992-1993 Dubrava Zagreb, 32 ndeshje 12 gola; 1993-1994 Maribor, 44 ndeshje 31 gola; 1995-1998 Olimpija, 84 ndeshje 31 gola; 1998-2000 Maribor, 90 ndeshje 49 gola; 2000- 2004 AdmiraVacker, 132 ndeshje 21 gola; 2004- 2005 Maribor, 45 ndeshje 31 gola; 2006 TSV Hotberg, 9 ndeshje 7 gola; 2006-2007 ËAC St Andria, 12 ndeshje 4 gola; 2007 Mura 05, 21 ndeshje 2 gola.

Në karrierë me klubet: Luajtur 539 ndeshje, shënuar 238 gola.

Fituar: Lojtari i huaj më i mirë në Slloveni dhe në 11 më të mirët në historinë e futbollit Slloven; Golshënuesi i tretë më i mirë në historinë e futbollit Slloven

Me Kombëtaren: Në periudhën 1993-1997, luajtur 15 ndeshje.

Si trajner: Mura 2007-2008; Menaxher FC Glamitz 2009-2010 dhe 2011-2012;  asistent trajner U17 Sllovenia 2012-2013;  asistent trajner U19 Sllovenia 2013-2014; asistent SC Alumij 2013-2014; SVS Sachesenburg 2015; SV Kaindorf 2015-2016 dhe 2017-2018; USV Ragnitz 2018-2019; SV Strab 2019-2020; USV Ragnitz 2020-2021.

Titulli Sportiv: Mjeshtër Sporti; Pllakata e Sportit Shqiptar nga FSHF

Kualifikimi si trajner: Licensën UEFA PRO.

Aktualisht: Nga viti 1994 jeton në Maribor, Slloveni.

Statusi: I martuar me Danica Bozgo, djali KlitonStavri 19 vjeç.

Angazhimi jashtë futbollit: Biznes privat

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…