Gjerdan suksesesh bardheblu, SK Tirana, krenari e futbollit shqiptar

Eshtë meritë e shumë brezave nga themelimi i kësaj skuadre e deri më tani që ka ditur të intensifikojë në mënyrën më autoritare të mundshme shkallën e ambicieve të saj për trofetë e kampiones së Shqipërisë


Nga Bedri ALIMEHMETI dhe Bektash POJANI

Zanafilla……

Në gazetën turke “Hyriet” e vitit 1908, është botuar një lajm i shkurtër në të cilin bëhet fjalë për një ndeshje futbolli luajtur në Kamëz. Protagonistë të atij takimi kanë qenë një grup djemsh nga Kamza dhe një grup djemsh nga Tirana, ardhur enkas në ambjentet e fermës së atdhetarit Refik Bej Toptani “Nderi i Kombit”, i cili sipas shkrimit në fjalë ka qenë ideatori e organizatori kryesor i këtij eventi vërtetë të pazakontë për kohën, që u zhvillua për nder të ardhjes në pushtet të xhonturqve (23 janar 1908). Ndeshja është luajtur në një fushë mbuluar nga bari, ku në dy skajet anësore të së cilës në vend të portave me trarë vertikal e traversë horizontale kanë shërbyer veçse dy “hunj”. Gjithsesi edhe pse në kushte të tilla, që (sot) lënë për të dëshiruar takimi ka qenë shumë interesant e, është ndjekur nga një numur i konsiderueshëm shikuesish dhe ka përfunduar me fitoren e thellë të Tiranës 8-1!

Kaq thuhet në atë informacion të shkurtër, të asaj gazete turke faksimilen e së cilës për fat të keq nuk e kemi siguruar. Megjithë mungesës së këtij dokumenti, mendojmë se ky “fakt” dëshmon më së miri për hershmërinë e topkambës luajtur në Tiranë. Madje në një farë mënyre zhvillimi i kësaj ndeshje shënon edhe derbin e parë historik Tirana-Kamza. Vërtetësinë e këtij lajmi na e përforcon edhe ajo çka shkruan në dokumentat e tij Lef Nosi, sipas të cilit “në Tiranë ka patur shoqëri sportive të organizueme që në vitin 1906”.

Por nuk mbaron këtu. Një fakt tjetër shumë interesant, i cili gjendet bukurfort pasqyruar me detaje në gazetën “Zgjim e Çqipërisë” me drejtor Abdyl Kadri e datës 21 prill 1911, fq. 2, art. 174. Në atë artikull bëhet fjalë për një turne futbolli zhvilluar gjatë një panairi në Rahije të Fierit ku merrnin pjesë qytetet: Tirana, Lushnja, Kavaja, Peqini, Berati, Elbasani, Vlora dhe Fieri. Me pak fjalë ja ç’ka shkruante gazeta e atij viti të largët lidhur me zhvillimin e atij turneu futbolli, deri më tani i evidentuar si i pari turne futbollistik në Shqipëri:

“…Në Rahije të Fierit bëhet një panair i madh. Në këtë panair kishin ardhur nga Tirana, Elbasani, Kavaja e Peqini, e nga vise të tjera. Për të mbledhur të hollat e vendit që n’ në shitblerësit, katundaria kish caktuar të birë e Mydyrit…..këtu u mblodhën shumë popull, ku me këtë rast u zhvillua edhe një aktivitet sportiv top’kambë, me skuadra të formuara nga qytetarë e katundarë të ardhur nga këto qytete, gjithsej 8 skuadra, që u ndeshën në këtë lojë të re, për të fituar një shpërblim, i cili kishte një vleftw sa 6 monedha ari…”Nga data 7-14 prill, në qytetin e Fierit, u zhvillua një turne futbolli me pjesmarrjen e 8 skuadrave të Tiranës, Kavajës, Elbasanit, Peqinit, Lushnjes, Beratit, Vlorës e Fierit. Skuadrat u ndanë në 4 çifte, duke u ndeshur me sistemin e eliminimit, me nga një takim. Më pas 4 fitueset, u ndeshën në gjysëmfinale dhe më pas në finale. Të gjitha takimet janë luajtur në Fier. 1/4 FINALE; FIER, 7 deri më 10 PRILL 1911. 07.04.1911, ora 15.00 “TIRANA” – “ELBASANI” 9-4. 08.04.1911, ora 15.00 “KAVAJA”-“BERATI” 8-2, ora 15.00 “PEQINI” – “VLORA” 11-3. 10.04.1911. ora 15.00 “TIRANA” – “KAVAJA” 4-0. 12.04.1911 ora 15.00 “FIERI” – “PEQINI” 2-16. FINALJA , FIER 14 prill 1911, ora 15.00 “TIRANA” – “PEQINI” 6-1. TIRANA SHPALLET FITUESE E TURNEUT, NË PANAIRIN E FIERIT. Kupën dhe çmimin e mori kapiteni i Tiranës z. Zyber Hallulli.”

 

Më pas nëpër lagjet e atëhershme të qytetit si: “Abdulla Bej”, “Sulejman Pasha”, “Ali Efendi”, “Poshtri”, “Lagja e Re” etj, si dhe në sheshet pranë xhamive, teqeve, kishave, shkollave e sidomos në kopështet e familjeve të nderuara tiranase: Petrela, Toptani, Lleshi, Kokonozi, Fortuzi, Çeliku, Alimehmeti, Qorrali, Pazari, Kika, Gjinali, Qyqja, Tufina, Xhafa, Lundra etj. Sipërfaqe të tëra kopshtesh liheshin pa mbjellë e punuar, për t’u ofruar djemve të tyre mundësinë e argëtimit, kryesisht nëpërmjet zhvillimit të lojrave të shumta popullore. Pak nga pak, e nxitur kryesisht nga mjaft djem që studionin në universitete europiane, të cilët kur ktheheshin gjatë verës me pushime, sillnin me vete jo vetëm mënyrë të re veshje e sjellje, menduari apo të jetuari, libra e kulturë, arte pamore apo muzikë, por edhe të rejat më të fundit të sporteve e lorajve që ushtroheshin në vendet ku studionin, si edhe mënyrat e përparuara të grupimit e organizimit në shoqëri sportive. Nxitur prej kësaj fryme të re që po vinte perëndimi, rinia tiranase filloi ta ndjente, shijonte dhe bënte pjesë të vet edhe lojën e bukur të futbollit.

Gradualisht nëpër të gjitha lagjet e Tiranës apo edhe në rrugica të veçanta të saj, linden grupimet e para sportive me emra tejet domethënës si: “Djelmnia”, “Agimi”, “Shpresa”, “Pashko Vasa”; “Moisi Golemi”, “Naim Frashëri” etj. Veçmas futbollit dhe lojrave me dorë, djelmnija tiranase në ato vite kishte pasoin të veçantë marshimet dhe shëtitjet turistike, ku zbulonin e njiheshin me bukuri të rralla të natyrës, që treva e Tiranës ti ofronte me tepri. Shpesh kryenin ngjitje në malin e Dajtit në kalatë e Petrelës dhe Prezës, apo organizonin gara me biçikleta deri tek ura e Beshirit ose Tiranë-Vorë e kthim. Grupet e bojskautëve ishin të shumtë dhe aktivitetet ku ato merrnin pjesë ishin të panumurta. Gjatë ditëve të nxehta të verës ushtrohej rregullisht noti nëpër pellgjet e Erzenit, Tërkuzës e Riglatës (Lumi i Tiranës), por padyshim që më të frekuentuarat mbeteshin pellgjet e Urës së Brarit. Të djelave, ende pa feksur dielli mbi Dajt, shumë familje tiranase por kryesisht grupe të rinjsh, udhëtonin kush me këmbë, biçikleta, kuaj e karroca si dhe autovetura për të zënë një vend në ullishten përqark shkëmbit gjigand, të cilin rryma e ujit e kishte çarë më dysh, duke krijuar një konfiguracion mjaft interesant prej shtatë “odash” (pellgjesh të ndarë nga njëri tjetri që komunikonin nëpërmjet kanalit të rrjedhës së ujit) me thellësi të konsiderueshme, ku uji ishte sa i ftohtë po aq edhe i kulluar. Aty në hapësirën e shtatë odave, djemtë konkuronin në gara noti të stileve të ndryshme, si dhe në hedhje nga lartësitë e thepisura të shkëmbit!

Veprimtari e dendur sportive zhvillohej ne dy shkollat e qytetit, Gjimnazin e Shtetit dhe Shkollën Teknike Harry Fultz. Një prej nismëtarëve për krijimin e shoqatës “Fryma e Re” në Gjimnazin e Shtetit u bë Prof. Dr. Shefqet Ndroqi bashkë me shokët e tij të ngushtë Dr. Isuf Dashi, Prof. Abdulla Shehri, Selman Stërmasi, Rexhep Maçi, Rexhep Luga etj. Kjo shoqatë kishte si qëllim zhvillimin e kulturës e sportit. Fill pas ngritjes së grupit teatral ata formojnë skuadrën e futbollit, e cila shumë shpejt do bëhej e njohur në gjithë qytetin. Dhe kjo jo vetëm për fitoret e bujshme që arriti ndaj Shkollës Teknike apo Gjimnazit të Shkodrës, por sidomos për talentet e vërtetë të futbollit që spikatën në radhët e saj. Bëhej fjalë për një grup djemsh të talentuar që e luanin me shumë pasjon futbollin, të cilët në të parin kampionat kombëtar do përbënit bazën e formacionit badheblu të Sportklub Tiranës.Ndërkohë të vëmendshëm ndaj këtyre veprimtarive që po tërhiqnin gjithnjë e më shumë shikues, u treguan disa familje të njohura tiranase që merreshin me tregëti. Falë kujdesit të tyre u zhvilluan mjaft veprimtari sportive ndërmjet shoqërive që Tirana i kishte të shumta. Kështu orëndreqësit e njohur Tufina, organizonin rregullisht kupën “Tufina”. Fituesit, veç kupës së trofeut, përfitonin edhe nga një orë dore të markës “Longines”. Të njejtën gjë bënte edhe familja Gjinali. Bashkë me kupën futbollistët fitonin edhe nga një kostum stofi të cilësisë së lartë të firmës “Marzzotto”, më e mira e kohës!

Lindja, themelimi dhe riçelja.

Do të ishte Kongresi i Lushnjes (21-31 janar 1920) ai që përveçse caktoi Tiranën Kryeqetet provizor, nisi edhe ngritjen insitucionale të sportit shqiptar. Drejtuesit e këtij Kongresi inicuan një grup të rinjsh pjesmarrës në të, që ishin anëtarë të shoqatave të përmendura më lart, të formonin një komision të veçantë për hartimin e një statuti sportiv. Ky komision merrte përsipër të zhvillonte në përgjithësi të gjitha llojet e sportit, por në veçanti atë të futbollit.Nxitur prej tij, por nisur prej shembujsh të shumtë të vendeve përreth, apo edhe lindjes së simotrës “Vllaznia” në Shkodër, si dhe prej nevojës për të dale nga ai “ngujim” ndeshjesh vetëm ndërmjet lagjesh apo grupesh shoqërore, u bë e domosmoshme që më 15 gushtin e vitit 1920, Në ambjentet e kafe “Kursal” që ndodhej në qëndër të qytetit përkarshi Bankës Kombëtare: Z. Toger PALOKË NIKAJ(Kryetar), së bashku me zotërinjtë e nderuar Toger ALI EREBARA, Toger PJERIN JAKOVA, Sekretar ABEDIN HOXHA, Sekretar ANASTAS KOJA, Nëpunës PALOKË BERISHA, Drejtor i Strehës, AVNI ZAJMI, Nëpunës HASAN FORTUZI, Kapter BESIM PAZARI, Aspirant LORO BERISHA, Nëpunës SKËNDER FRASHËRI, Nëpunës HASAN FEJZI ALIZOTI, Nëpunës AGATOKLI GJITOMI e ViI Fekeçi, vendosën krijimin e Shoqërinë Sport Club Tirana. Pas këtij akti, u hartua programi, statuti dhe u caktua emblema, që i kishte rrënjët në bardheblunë e flamurit të oxhakut toptanas dhe në thellësitë oqeanike të genit tiranas, që karakterizohet nga bardhësia e shpirtit dhe çiltërsia e ndjenjave qiellore. Të gjitha familjet tiranase sipas dëshirës dhe mundësive kontribuan financiarisht për Sportklub Tiranën. Sidomos tregëtarët e njohur derdhën sasi monetare të konsiderueshme në arkën e klubit.

Në javët e para, pas disa konflikteve të brëndëshme Kryetari i Shoqërisë Palokë Nikaj largohet nga drejtimi i saj. Ndërkaq zgjidhet Kryetari i ri Toger Ali Erebara. Veprimi i pare që do të bënte kryesia e përbërë prej Ali Erebarës, Avni Zajmit dhe Loro Berishës, ishte institucionalizimi zyrtar i Shoqërisë. Ata ju drejtuan Ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu, i cili menjëherë nxorri njëkohësisht vendimin për legalizimin e Shoqërisë dhe një ndihme financiare prej 1000 frangash ari. Sakaq, njëkohësisht ju nis një shkresë e njejtë kryeministrit të kohës Z. Sulejman Delvina dhe Kryetarit të Bashkisë Z. Fuat Toptani, për dhënien e lejes në caktimin një sheshi, ku Sportklub Tirana të zhvillonte normalisht aktivitetin e saj sportiv. Kryetari Bashkisë z. Fuat Toptani bëri të mundur dhënien me qera të truallit në Shallvare. Kjo fushë në atë kohë shtrihej në zonën përballë hotel Dajtit. Saktësisht në hapësirën ku sot shtrihet parku “Rinia” dhe më tej matanë rrugës nga bregu i Lanës në truallin ku janë ngritur pallatet e Shallvares e deri aty ku ndërpritet me rrugën e sotme “Myslym Shyri”. Vlen të theksohet se ajo ishte natyralisht një fushë ideale, qoftë prej shtrirjes në gjatësi në pozicionin gjeografik veri-jug, apo edhe prej drenazhimit që kullonte direkt në Lanë. Shpjegohej në dy mënyra emërtimi “Shallvare” i kësaj fushe. Sëpari thuhej se ky emër i kishte mbetur qysh nga koha e pushtimit ottoman. Ku ushtarët e garnizonit turk të vendosur në Tiranë stërviteshin dhe kryenin gara të karakterit fizik e ushtarak. Gjatë aktivitetit ushtarët zhvisheshin nga mesi e lart dhe i kryenin ushtrimet vetëm me shallvare (mbathje të gjata burrash që në gjuhën turke quhen shallvare)! Ndërsa sipas mënyrës së dytë thuhej se ky emër trashëgohej prej ishpronarit të saj arumunit Mihal Shallvari!

Këto ishin vetëm fillimet. Më pas në vitet 1929-1930 “Shallvarja” u rrethua me dërrasa, u ndërtua pista e atletikës me katër korsi, gropa e hedhjes etj. Madje kampionët e pare të saj Sportklub Tirana i ka pasur në atletikë, në të parin kampionat kombëtar të zhvilluar në vitin 1929. Rekordet e Zabit Çokut në 100 m 11” 02, të Abdyl Këllezit në 200 m 24” 1, të Isuf Dashit në 100 m/p 19” 8 etj, janë jo pak domethënës për kohën. Tashmë Shoqëria që mbështetej njëkohësisht nga Ministria e Arësimit dhe ajo e Brendëshme, nisi punën për ndërtimin e fushës së “Shallvareve” dhe ndërtimin e zyrës së saj. Por fatkeqësisht trazirat e vitit 1922 bënë që të humbeshin materialet e mbledhura për ndërtim, ç’ka shkaktoi edhe ndërprerjen e punimeve. Pas kësaj Kryetari Erebara jep dorëheqjen dhe Shoqëria pas dy vitesh aktivitetesh kalon një situate të vështirë. Kështu do të kalonin dy vitet pasardhës. Në vitin 1924 lind ideja e një organizimi të ri. Shoqëria e quajtur Gjurmësia Shqiptare, mori drejtimin e skuadrës së futbollit. Kjo Shoqëri që financohej nga Ministria e Arësimit, kishte si mision kryesor të saj organizimin e udhëtimeve të rinisë shkollore për njohjen e të gjitha vendeve të Shqipërisë.Gjurmësia Shqiptare e riorganizoi tërësisht skuadrën që përbëhej prej djemsh të rinj kryesisht shkollarë. Për vetë specifikën e tyre, udhëtimet në mbarë vendin, Gjurmuesit kudo që shkonin organizonin ndeshje futbolli. Kjo do t’i jepte skuadrës së Tiranës një rëndësi mbarëkombëtare. Një vit më pas skuadra njihej me emrin Gjurmuesit Republikanë. Ajo filloi të stërvitej gjatë gjithë javës dhe kërkoi ndeshje me skuadra të tjera. Ky ishte vetëm fillimi. Skuadra zhvilloi ndeshje pambarim anembanë vendit duke korrur fitore të shumta si në Korçë, Shkodër, Pogradec, Kolonjë, Delvinë, Kavajë, Durrës, Elbasan, Peqin, Fier etj. Vetë 11-shi i Tiranës mori emër të mire ngado, duke u bërë kështu promotor në përhapjen e lojës së futbollit në mbarë Shqipërinë.Në radhët e skuadrës gjatë kësaj periudhe u aktivizuan lojtarë të tillë si: Xhevat Sarezi, Hysen Kusi, Anastas Koja, Isuf Dashi, Hasan Reçi, Qemal Shkalla, Galip Mati, Dilaver Qerimi, Hysen Hallulli, Vedat Frashëri, Shefqet Ndroqi etj.

Në vitin 1925 fillon lartësimi i figures së të madhit Selman Stërmasi. Shoqëria zgjodhi Këshillin e ri Drejtues të saj të përbërë prej: Zotërinjëve Avni Zajmi, Selman Stërmasi, Bahri Toptani, Irfan Gjinali e Anastas Koja. Në harkun e këtij viti u zhvillua edhe takimi i parë ndërkombëtar me “Cernagorac” të Cetinës. Kjo ndeshje u zhvillua në Tiranë dhe u humb me rezultatin 1:3. Me nismën dhe këmbënguljen (pas konsultimeve të shumta me studentë që studionin jashtë e që vinin gjatë verës për pushime) e zotërinjëve Selman Stërmasi, Ali Erebara, Avni Zajmi e Anastas Koja, në 3 janar 1926 vendosën unanimisht të riçelin klubin me emrin e pare Sportklub Tirana.

“Sot data 3 kallnur 1926, dita Djel – ora 10 p.d. të posht-nënshkruemit u mblodhën në sallën e Bibliodhekës (Muze) për me vendos mi pikat e pashtshënjueme: 1. Si nisjatorët e Shoq. Sport – Clubit të Tiranës i formuem më 15 Gusht 1920, vendosëm t’a riçelim Clubin me emrin e tij Sport – Club” me qendër në Tiranë” (ky është teksti i plotë i pikës së parë së Proçes Verbalit të mbajtur gjatë kësaj mbledhje që gjindet në AQSH, ç’ka vërteton edhe njëherë datën e themelimit të Sporklubit). Gjatë periudhës deri në pragkampionatin e parë kombëtar, Sportklubi zhvilloi shumë ndeshje miqësore brenda vendit. Të tilla ishin ato me “Lulëzimin” e Durrësit, “Tomorin” e Beratit, me ekipet e Shkodrës etj. Lojtarët që u aktivizuan në këto vite ishin: Llazar Miha, Bexhet Jolldashi, Irfan Gjinali, Selman Stërmasi, Stefan Shundi, Adem Karapici, Hysen Kusi, Anastas Koja, Xhelal Kashari, Fiqiri, Bahri e Iliaz Toptani, Reshat Tafalla, Aqif Domini, Isuf Dashi, Shefqet Ndroqi, Besim Pazari, Ramazan Hidi, Qemal Dibra, Gjergj Koja e Selman Qinami.

VITI 1930
Më 5 shkurt 1930, Sportklubi njofton riformimin e “Parisë vepruese” të përbërë nga Z. Teki Selenica (kryetar) ,Z. Petro Korçari dhe Z. Zoi Xoxa (këshilltar), Z. Anastas Shundi (sekretar) dhe Z. Anastas Koja (arkëtar). Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Z. Kostaq Kota, pranoi të jetë Kryetar nderi i Sportklub Tiranës. Po këtë ditë Paria e Sportklubit, konfirmoi zyrtarisht pjesmarrjen e tij në Kampionatin e Parë Kombëtar të Futbollit. Në pragkampionat, një javë para fillimit të tij, më 31 mars, përurohet Fusha e re e Shallvares me ndeshjen “Urani” i Elbasanit – Sportklub Tirana 1- 0. Sipari i kampionateve kombëtare shqiptare të futbollit u ngrit më 6 prill të vitit 1930. Ndeshjet filluan në orën 15 30. Qysh në start Sportklubi luan në Shkodër përballë “Bashkimit Shkodran” në finale e pare të atij që hyri dhe mbeti në histori, si “derbi shqiptar”. Shkodranët fitojnë 3-2 duke i shkaktuar humbjen e vetme në këtë kapionat tiranasve.

 

Rexhep Maçi, autor i golit nr: 1 bardheblu!

Ka ndodhur më 6 prill 1930 në ndeshjen e parë të kampionatit të parë të topkëmbës shqiptare në transfertën shkodrane ndaj “Bashkimit Shkodran”. Vendasit udhëhiqnin me avantazhin e një goli, ishte pikërisht Rexhep Maçi ai që i dha topit goditjen përfundimtare për në rrjetë dhe i rëndësishëm mbetet fakti që ky është goli i pari historik bardheblu, në vazhdën e qindra të tjerëve që do t’i hapnin rrugën vargut të gjatë të 3257 golave, që kanë shënuar deri tani në kampionatet kombëtare futbollistët e FK Tirana.

 

Në kampionatin e parë morën pjesë 6 skuadra: Sportklub Tirana, “Skënderbeu” i Korcës, “Bashkimi Shkodran”, “Teuta” e Durrësit, “Urani” i Elbasanit dhe Sportklub Vlora. Pas përfundimit të gjithë ndeshjeve, Sportklub Tirana dhe “Skënderbeu” i Korçës u renditen në vëndin e pare me pikë të barabarta në klasifikimin përfundimtar. Komisioni i Kampionatit të Futbollit (FSHF-ja aktuale), i përbërë nga Z. Said Toptani (kryetar), Z.Mihal Sherko (anëtar), major Ali Erebara (anëtar), major O. Morra (anëtar) dhe prof. G. De Marchis (anëtar), vendosën 29 qershorin në Korçë dhe 6 korrikun në Tiranë, si datat e dy ndeshjeve finale për përcaktimin e titullit kampion. Por korçarët të pakënaqur (kundërshtim gjykimi) nga rezultati 0-0 i takimit përmbylles së kampionatit, luajtur më 22 qershor në Fushën e Shallvareve, nuk pranuan të paraqiteshin fare në të dyja takimet. Megjithatë, Sportklubi zbriti në fushë e lojës dhe priti 45 minuta sipas rregullores. Nisur nga ky fakt, në datën 9 korrik 1930 K.K.F.(Komisioni i Kampionatit të Futboltit) shpalli Sportklub Tiranën si kampione të Shqipërisë

Dorëzimi i titullit u zhvillua me një ceremoni të veçantë. Më 20 korrik 1930, në orën 10: 30 skuadra e Sportklub Tiranës, u paraqit para Naltmadhnisë së Tij Mbretit, në banjat e Durrësit, shoqëruar prej Z. De Marchis (përfaqësues i K.K.F-së), prej Këshillit të Shoqërisë dhe prej lojtarëve të Tiranës. Ceremonia madhështore u përcoll nga banda e qytetit të Durrësit. Mbreti Zog shoqërohej prej Princeshës Myzejen. Lojtarët gjatë ceremonialit mbanin të veshur uniformë krejtësisht të bardhë dhe jo atë karakteristiken bardheblu, me të cilën luajtën gjatë gjithë kampionatit. Kjo për faktin se kjo uniformë e bardhë ishte vendosur si protokollare për prezantimin para Mbretit. Binte në sy një fakt tjetër interesant, mbi fanelën e secilit futbollist ishte vendosur shqiponja dykrenare në shenjë nderi për kampionen. Të cilën gjashtë here Sportklub Tirana dhe një here “Skënderbeu” si kampionë të viteve ’30, i kanë mbajtur gjatë gjithë sezonit, për t’ja dorëzuar fituesit pasardhës. Një traditë e ngjashme me “scudetto-n” tringjyrëshe të flamurit vendosur në fanelën e futbollistëve fitues të Seria A, për çdo vit në Itali.

Në fjalën e rastit, Naltmadhnija e Tij Mbreti Zog theksoi:

“Tani due me ju porositë tre sende që janë tre parime që dëshiroj t’ju rekomandoj. E para: të ndjekni zhvillimin e plotë të dashnisë për Atdhe. E dyta: zhvillimin me zemër të kulluet e pa asnjë djallëzi të vllaznimit të plotë midis Djelmnisë dhe zhvillimin e bashkimit kombëtar. E treta: Disiplinë. Duhet të dini se pa disiplinë nuk mërrihet në asnjë sukses. Po s’pati disiplinë në mes, ç’do gjë humbet vleftën e vet. Djalëria po s’dha shëmbëllën e disiplinës, përpjekjet qe bën janë nul. Kini për udhëheqës këto tre këshilla e duke iu mbëdhtetur këtyre parimeve, ecni para, ju që jeni shpresa e të arthmes. E arthmja e kombit asht sigurue e pra e arthmja e juej asht e sigurtë. Shpresoj se do të vazhdojë edhe pas kësaj suksesi qi keni fitue dhe uroj të përparoni edhe ma”. Pastaj u luajt hymni kombëtar, i cili gjatë gjithë kampionateve të paraluftës qe një detyrim për t’u egzekutuar para çdo ndeshje në ato qytete ku kishte orkestër frymore. Kupën e kampionatit, një top futbolli prej bronzi, kapitenit Irfan Gjinali ja dorëzoi Princesha Myzejen. Në mbrëmje, drejtuesit e Sport Klubit, futbollistë, dashamirës, autoritete vendore dhe persona të tjerë festuan në ambjentet e hotel restorant “Metropol” në rrugën “Mbretërore” (sot “Barikada”), që i bie të ketë qenë diku aty në mes ku sot janë godinat nëntëkatshe. Nga personalitetet e kohës në atë festë ishin të pranishëm edhe figura publike si profesor Ramazan Jarani apo gazetari i njohur Nebil Çika etj.

Dhe pas këtij triumfi të parë në historinë e tij vargëzimi i titujve kampionë, i fitimit të Kupës së Shqipërisë dhe i Superkupës në harkun kohor të një shekulli do të regjistroi në galerinë e arsenaleve të FK Tirana plot 53 trofe kombëtarw, pa përmendur ato lokalë si kupa përvjetorësh, kupa gazetash, turne të Spartakiadave Kombëtare etj.

25 fomacionet, që kane fituar 25 titujt kampion

Kampionati I 1930 – Titulli I

R. Gurashi, A. Shehri, I. Gjinali, Xh. Kashari, V. Kajano, Sabati, Ll. Miha, M. Gurashi, B. Jolldashi, Sh. Ndroqi, I. Dashi, S. Stërmasi, A. Karrapici, Begolli, E. Hajnali, H. Kosova, Z. Çoku, R. Maçi. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati II 1931 – Titulli II

R. Gurashi, Samini, Shehri, Çoku, Kajano, B. Jolldashi, Gjinali, Agolli, Sabati, Karrapici, Dashi, Kusi, Kosova, M. Gurashi, Begeja, Hajnali, Miha, Stërmasi. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati III 1932 – Titulli III

Shehri, Tirana, B. Jolldashi, Agolli, Kajano, R. Jolldashi, Kusi, Karrapici, Maluçi, Begeja, Stërmasi, Hajnali, Dashi, Korça, Jegeni, Sabati. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati V 1934 – Titulli IV

R. Gurashi, Çoku, F. Janku, H. Maluçi, Jakova, Keçi, Karrapici, Lleshi, Stërmasi, Lushta, Petrela, Begeja, Korça, Aleksandwr Stamati, M. Gurashi. Tr. Samu Singer

Kampionati VI 1936 – Titulli V

R. Gurashi, Zebishti, Hobdari, F. Janku, Çoku, Hima, Kusi, Karrapici, Jakova, Aleksandwr Stamati, Alla, Mirdita, Lushta, Petrela, Hajnali, M. Gurashi, I. Gjinali. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati VII 1937 – Titulli VI

Gurashi, Zebishti, Skuka, F. Janku, Llambi, Karrapici, Plluska, Jakova, Hasan Balla, Mirdita, Lushta, M. Gurashi, Hajnali, Kashariqi, M. Petrela. Lisi, Alla. Tr. Selman Stërmasi

Kampionati XVII 1964-1965 – Titulli VII

Elini, Bathorja, V. Konomi, Gjoka, Xhaçka, Bukoviku, A. Mema, S. Hyka, B. Ishka, O. Mema, Saraçi, Halili, Kasmi, Bylyku, Frashëri, Bytyçi, Verrija. Tr. Myslym Alla

Kampionati XVIII 1965-1966 – Titulli VIII

I. Elini, B. Tafaj, Frashëri, Halili, Kasmi, A. Mema, N. Bylyku, O. Mema, Xhaçka, Bukoviku, Bytyçi, S. Hyka, B. Ishka, Gjoka, Kazanxhi, Verrija. Tr. Myslym Alla

Kampionati XXX 1968 – Titulli IX

B. Tafaj, Habibi, Frashëri, Dhales, O. Mema, A. Mema, Bytyçi, Xhaçka, Bukoviku, Kazanxhi, S. Hyka, B. Ishka, Gjoka, Çela, Nurishmi, Gjoni, Verrija. Tr. Myslym Alla

Kampionati XXXI 1969-1970 – Titulli X

B. Tafaj, Mihallaq Konomi, Frashëri, Dhales, Kasmi, A. Mema, Çela, Xhaçka, Hyka, Hatibi, Bytyçi, Kazanxhi, Ishka, Gjoka, Bukoviku, Shala. O. Mema, Nurishmi. Tr. Myslym Alla

Kampionati XLIII 1981-1982 – Titulli XI

Sharra, Gj. Dinella, Baçi, Bimo, Vladi, Armadhi, Naçi, Hyseni, S. Mema, Omuri, Alimehmeti, Sengla, Muça, Minga, Kola, Vila, Gëzdari, Josa, Liti, L. Metani, A. Demneri. Tr. Enver Shehu

Kampionati XLVI 1984-1985 Titulli XII

Mersini, Sharra, Rroga, Baçi, Hodja, Bimo, A. Lekbello, Omuri, Liti, S. Mema, Josa, Minga, Muça, Kola, Ramadani, A. Bylyku, Stoja, Alimehmeti. Tr. Enver Shehu

Kampionati XLIX 1987-1988 Titulli XIII

Mersini, Sharra, Kepi, Sako, A. Lekbello, Alimehmeti, Josa, Stoja, Omuri, Minga, Muça, Kola, Daja, Riza, A. Fortuzi, Ramadani, A. Ruci, Liti, Hodja, D. Papadhopulli, Bardhi, Ismaili. Tr. Shyqyri Rreli

Kampionati L 1988-1989 Titulli XIV

Mersini, Sharra, A. Lekbello, Hodja, Alimehmeti, Josa, Bardhi, Stoja, Ramadani, Kepi, Minga, Kola, Riza, Liti, Daja, F. Ismaili, Sako, Sh. Lekbello, R. Hyka, Luzi, Ar. Mema, Omuri. Tr. Shyqyri Rreli

Kampionati LVI 1994-1995 Titulli XV

Kokuri, E. Kasmi, Nallbani, Dede, Minga, Gallo, Baholli, Kukli, E. Hyka, Ar. Mema, Kola, Fejzolli, Stoja, Miloti, I. Fortuzi, Malko, Tole, F. Dhales, Prenga, Sula, Zela, Merkoçi, Mulleti Tr. Shkëlqim Muça

Kampionati LVII 1995-1996 Titulli XVI

Nallbani, Kasmi, Minga, A. Mergjyshi, Mulleti, Kola, E. Sula, Mema, Baholli, Gallo, Malko, Dede, Ruhi, Dhales, Kukli, E. Hyka, Prenga, Miloti, Alimehmeti, S. Bulku,

Çoçlli, C. Caslli, Ismaili, I. Fortuzi. Tr. Sulejman Mema

Kampionati LVIII 1996-1997 Titulli XVII

Nallbani, E. Kasmi, Kapllani, Alimehmeti, Dede, Çoçlli, Ruhi, Gallo, Ismaili, Hushi, Sina, Domi, Shaba, Kukli, Merkoçi, Mema, S. Bulku, Baholli, T. Stërmasi, Miloti, Riza, Zalla, Ohri, I. Fortuzi, Kola, Bushi, Drita, A. Tafaj, Ilir Karaj, Stavre. Tr. Enver Shehu

Kampionati LX 1998-1999 Titulli – XVIII

Nallbani, Hidi, Ferhati, Alimehmeti, Ruhi, Sina, A. Tafaj, A. Zëre, O. Osmani, Ilir Karaj, Çoçlli, S. Bulku, Duro, Iliazi, Ohri, E. Bulku, Stërmasi, Liti, Xhafa, Merkoçi, Malko. Muka, Dabulla, Prenga, Ishka, Mema, A. Zeqo, Ismaili, Gallo, Dede, A. Demneri. Tr. Sulejman Mema

Kampionati LXI 1999-2000 – Titulli XIX

Nallbani, Ferhati, F. Kasmi, Sina, Alimehmeti, Dede, Dabulla, Ar. Mema, A. Tafaj, Z. Kenesei, L. Vukovics. P. Sutori. S. Bulku, Memishi, E. Bulku, Prenga, Rizvanolli, Riza, J. Kapaj, A. Vito, I. Hidi, J. Driza, F. Ymeri. Liçi. Tr. Shkëlqim Muça

Kampionati LXV 2002-2003 – Titulli XX

Egbo, Hidi, Sina, Dabulla, Dede, Venhof, Ar. Mema, A. Tafaj, E. Bulku, S. Bulku, Merkoçi, I. Fortuzi, A. Veraj, M. Halili, A. Agolli, G. Hajdari, R. Jupi, S. Lici, F. Xhafa, S. Patushi, R. Vata, Muka, Prenga, Begolli (Baqolli), L. Vladi. Tr. Fatmir Frashëri, Krenar Alimehmeti

Kampionati LXVI 2003-2004 – Titulli XXI

Hidi, Sina, Dabulla, A. Tafaj, Dede, Pinari, Muka, G. Hajdari, I. Fortuzi, M. Halili, A. Agolli, Lici, S. Bulku, Patushi, Prenga, E. Bulku, Merkoçi, Nebiu, A. Muça. Shkreli, F. Xhafa, Devolli, Kalari, Tafaj, Manastirliu. Tr. Mirel Josa

Kampionati LXVII 2004-2005 – Titulli XXII

Hidi, Merkoçi, E. Bulku, Behari, Dabulla, A. Agolli, A. Tafaj, Patushi, Muka, F. Xhafa, I. Fortuzi, M. Halili, Sina, A. Muça, S. Bulku, G. Hajdari, Pape Sene, Ardit Beqiri, Duro, G. Çipi, Nallbani, Bakalli, Eleandro Pema, Fagu. Tr. Sulejman Starova

Kampionati LXIX 2006-2007 – Titulli XXIII

Nallbani, Pisha, Dede, Abraham, E. Bulku, Allmuça, Patushi, Fish, Muka, K. Duro, Penja, Sinani, E. Pema, Salihi, Merkoçi, G. Hajdari, Hidi, Bakalli, Sefa, Çeliku, Fation Muhamedi, Kalari, Fjolla, Çapja, Abazaj, Turdiu, Arapi, A. Duro, Gl. Tafaj, Çela, M. Metani, Hysa, E. Sharra. Tr. Shkëlqim Muça

Kampionati LXXI 2008-2009 – Titulli XXIV

Nallbani, Koronovski, Dabulla, Kçira, Tusha, A. Lila, T. Osmani, Devolli, Abraham, S. Lilaj, Deliallisi, D. Xhafaj, Memelli, B. Hajdari, Sefa, Arapi, Muka, Sorra, Migel Metani, Pashaj, Endri Tafaj, Ferra, Kuka, Toni Pezo. Kristiano Muzaki, Patushi, Rinush Karaj, Rrudho Tr. Blazh Sliskoviç, Agustin Kola, Mauro Bençivenga, Alban Tafaj

Kampionati LXXXI 2019-2020 – Titulli XXV

Lika, Bakaj, Doka, Hoxhallari, Muça, Vangjeli, Osmani, Karabeci, Ismailgeci, Çelhaka, Batha, Kale, Torasa, Ngo, Cobina, Dunga. Morina, Hasani, Muçi, Stafa, Berishaj, Kraja. Sigiide, Halili, Tr. Ardian Mema, Emanuel Egbo.

Futbollistë kampionë bardheblu ndër vite

Abazaj 07; Abraham 07, 09; Alimehmeti 82, 85, 88, 89, 96, 97, 99, 00; Prof. Alla M. 36, 37; Alla 88; Allmuça 07; Dr. Agolli M. 31,32; Agolli A. 03, 04, 05; Arapi 09; Arrmadhi 82; Baçi M. 82,85; Baholli 95; Bakalli 05, 07; Ed. Bakaj 20, Balla 37; Bardhi 88, 89; Bathorja 65, 66; Batha 20; Begeja H. 31,32; Begolli 30; Behari 05; Berishaj; Beqiri A. 05; Bimo 82, 85; Bukoviku 65, 66, 68, 70; Bulku E. 99, 00, 03, 04, 05, 07; Bulku S. 96, 97, 99, 00, 03, 04, 05; Bushi 96, 97; Bylyku N. 65, 66; Bylyku A. 85; Bytyçi 65, 66, 68, 70; Caslli 96; Cobina 20; Çapja 07; Çela A. 68, 70; Çela 07; Çelhaka 20; Çipi G. 05; Çoçlli 96, 97; Çoku 30, 34, 36; Dabulla 99, 00, 03, 04, 05, 09; Daja 88, 89; Dr. Dashi I. 30, 31, 32; Dede 95, 96, 97, 99, 00, 03, 04, 07; Deliallisi E. 09; Demneri A. 82; Devolli 09; Dinella Gj. 82; Domi 97; Doka 20; Driza 00; Duro A. 05, 07; Duro K. 99, 07; Dunga 20; Drita 98; Dhales P. 68, 70; Dhales F. 95; Egbo 03, 04; Elini 65, 66; Fagu 05; Faqolli 03; Fejzolli 95; Ferraj 09; Fish 07; Fjolla 07; Frashëri F. 65, 66, 68, 70; Fortuzi I. 95, 96, 97, 03, 04, 05; Gallo 95, 96, 97, 99, 00; Gurashi M. 30, 31, 34, 36, 37; Gurashi R. 30, 31, 34, 36, 37; Gjinali I. 30, 31; Gjinali S. 36; Gjoka 65, 66, 68, 70; Habibi 68; Hajdari 03, 04, 05, 07, 09; Hajnali 30, 31, 32, 36, 37; Halili S. 65, 66; Halili M. 03, 04, 05; Halili G.20; Karabeci 20; Hasani 20: Hatibi 70; Hidi 99, 00, 03, 04, 05, 07; Hima R. 36; Hobdari 36; Hodja 85, 88, 89; Hoxhollari 20; Hushi 97; Hyka S. 65, 66, 68, 70; Hyka R. 89; Hyka E. 95, 96; Hysa 07; Iljazi 99; Ishka B. 65, 66, 68, 70; Ishka S. 99; Ismaili 96, 97, 99; Ismailgeci 20; Janku F. 34, 36, 37; Jakova 34, 36, 37; Jegeni 32; Jolldashi B. 30, 31, 32; Jolldashi R. 32; Jorgji 66; Josa 82, 85, 88, 89; Jupi 03; Kajana 30, 31, 32; Kale 20; Kapaj 00; Kapllani 97; Karaj 97, 99; Prof. Karapici A. 30, 31, 32, 34, 36, 37; Kashari 35; Kashariqi 37; Kasmi G. 65, 68, 70; Kasmi E. 95, 96, 97; Kraja 20; Kazanxhi 66, 68, 70; Kçira 09; Keçi 34; Kenesei Z. 00; Kepi 88, 89; Kokuri 95; Kola A. 82, 85, 88, 89, 95, 97; Konomi V. 65, 66, 68; Konomi Ll. 70; Korça H. 32, 34; Korunovski 09; Kosova 30, 31; Kryeziu 36, 37; Kukli 95, 96, 97; Kusi 30, 31, 32, 36; Lazar M. 00; Lekbello A. 85, 88, 89; Lekbello Sh. 89; Lici 03, 04; Liçi 00; Lila A. 09; Lila S. 09; Lika 20; Lisi 37; Liti L. 82, 85, 88, 89; Liti M. 99; Lushta 34, 36, 37; Luzi 89; Llambi S. 37; Maçi 30; Malko 95, 96, 99; Maluçi 32, 34; Mema A. 65, 66, 68, 70; Mema Ar. 89, 95, 96, 97, 99, 00; Mema O. 65, 66, 68, 70; Mema S. 82, 85; Memelli 09; Memishi 00; Merkoçi 95, 96, 97, 99, 03, 04, 05, 07; Mersini 85, 88, 89; Metani L. 82; Metani M. 07, 09; Mergjyshi 96; Miha 30, 31; Miloti 95, 96, 97; Minga 82, 85, 88, 89, 95, 96; Mirdita 36, 37; Morina 20; 20Muça A. 04, 05; Muça Sh. 82, 85, 88; Muça 20; Muçi E. 20; Muhameti 07; Muka D. 99, 03, 04, 05, 07, 09; Mulleti 95, 96; Muzaka 09; Naçi 82; Nallbani B. 95, 96, 97, 99, 00, 05, 07, 09; Dr. Ndroqi 30; Ngo 20: Nurishmi 68, 70, Ohri 97; Omuri 82, 85, 88, 89; Osmani O. 99; Osmani T. 09. 20; Papadhopulli D. 88; Papa Sene 05; Pashaj 09; Pema 05, 07; Pena 07; Pezo Toni 09; Patushi 03, 04, 05, 07, 09; Pinari 04; Pisha 07; Plluska 37; Petrela 34, 36, 37; Prenga 95, 96, 99, 00, 03, 04; Ramadani 85, 88, 89, Riza 88, 89, 96, 97, 00; Rizvanolli 00; Ruci A. 88, 89; Ruhi 96, 97, 99, 00; Rraklli 05; Rrapi 07; Rrudho 09; Torasa 20; Sabati 30, 31, 32; Salihi 07; Dr. Samimi 31; Saraçi 65, 66, Sefa 07, 09; Sengla 82; Sina 97, 00, 03, 04, 05; Sinani 07; Sigide 20; Skuka 37; Sorra 09; Stamati 34, 36; Stafa 20; Stavre 97; Prof Stërmasi S. 30, 31, 32, 34; Stërmasi T. 96, 97, 99; Stoja 85, 88, 89, 95; Sula 95, 96; Sutori 03; Vangjeli 20; Veenhoff J. 03; Veraj 03; Verria A. 65; Vila A. 82; Vito 00; Vladi B. 82; Vladi L. 03; Vukovics L. 00; Xhaçka 65, 66, 68, 70; Xhafa A. 99; Xhafa D. 09; Xhafa 04, 05; Ymeri 00, 03, 04; Zalla 97; Zebishti 36, 37; Zela 95; Zeqo 99.

 

Golashënuesit bardheblu në kampionate

1 – Indrit Fortuzi nga viti 1993-2008 152 gola

2 – Agustin Kola nga viti 1979-1997 133 gola

3 – Arben Minga nga viti 1977-1996 105 gola

4 – Petrit Dibra nga viti 1971-1980 70 gola

5 – Skënder Hyka nga viti 1965-1974 60 gola

6 – Devi Muka nga viti 1995 -1999 61 gola

7 – Niko Xhaçka nga viti 1961-1972 53 gola

8 – Ali Mema nga viti 1963-1972 52 gola

9 – Shkëlqim Muça nga viti 1979-1988 51 gola

10 – Mahir Halili nga viti 2001-2005 46 gola

11 – Pavllo Bukoviku nga viti 1964-1970 45 gola

12 – Mirel Josa nga viti 1982-1991 44 gola

13 – Hamdi Salihi nga viti 2005-2006 42 gola

14 – Josif Kazanxhi nga viti 1966-1972 42 gola

15 – Eldorado Merkoçi nga viti 1994-2008 40 gola

16 – Riza Lushta nga viti 1934-1937 40 gola

Trajnerët e 25 titujve kampionë

Koleksionimi si asnjë skuadër tjetër i kaq shumë trofeve nga superklubi Tirana, nuk mund të arrihej kurrsesi pa punën kolosale të drejtuesve të pankinës ndër vite. Ndaj në mënyrë të padiskutueshme meritë të veçantë në këto arritje kanë trajnerët, “ustallarët” e gjithçkaje që e ka çuar grupin e djemve bardheblu në “prekjen” e kaq shumë titujve kampionë. Dhe lidhur me këtë duhet thënë se të pakët janë rastet, kur në tetëdhjetë e një kampionate të luajtura deri tani në historinë futbollistike të një vendi njëra nga skuadrat konkretisht Tirana të ketë bërë të sajat njëzet e pesë, gati një të tretën e tyre. Madje jemi të mendimit që kjo është një arsye më shumë për t’u dhënë meritën e duhur këtyre specialistëve, falë punës të të cilëve ekipi u ngrit në ato nivele cilësorë, që e kërkonte domodoshmërisht arritja e qëllimit final.

Me pesë tituj

Selman Stërmasi: 1930, 1931, 1932, 1936, 1937

Me katër tituj

Myslym Alla: 1964-1965, 1965-1966, 1968, 1969-1970

Me tre tituj

Adem Karrapici: 1930, 1931, 1932

Enver Shehu: 1981-1982, 1984-1985, 1996-1997

Shkëlqim Muça: 1994-1995, 1999-2000, 2006-2007

Sulejman Mema: 1995-1996, 1998-1999, 2003-2004

Me dy tituj

Shyqyri Rreli: 1987-1988, 1988-1989

Krenar Alimehmeti: 2002-2003, 2003-2004

Mirel Josa: 2003-2004, 2006-2007

Me një titull

Samo Singer (Hungari): 1934

Enver Haxhiabdiç (Bosnje) 2002-2003

Fatmir Frashëri: 2002-2003

Sulejman Starova: 2004-2005

Blazho Sliskoviç (Kroaci): 2008-2009

Agustin Kola: 2008-2009

Alban Tafaj: 2008-2009

Mauro Bençivenga (Itali): 2008-2009

Ardian Mema 2019-2020

Emanuel Egbo (Nigeri) 2019-2020

 

PRESIDENTE TE SUKSESSHEM

Bahri Toptani – vitet ’20-’30

Stefan Shundi – vitet ’30

Said Toptani – vitet ’30

Selman Stërmasi – vitet ’30 – ’40

Lame Konomi – vitet ’60-’70

Nuri Bylyku – vitet ’80

Çlirim Hysi – vitet ’80

Zija Shaba – vitet ’80-’90

Metush Seferi – 1993-1998

Lutfi Nuri – 1998-1999

Metuali El Sajed Abdylrrahman – 1999-2004

Refik Halili, Avni Nuri, Agron Papuli, Shefikat Ngjela 2004 – 2008

Refik Halili – 2008-2009, 2019-2020

KAPITENË KAMPIONE

Adem Karrapici, Irfan Gjinali, Nuri Bylyku, Pavllo Bukoviku, Fatmir Frashëri, Millan Baçi, Arben Minga, Agustin Kola,

Krenar Alimehmeti, Blendi Nallbani, Adrian Mema, Nevil Dede, Devi Muka, Andi Lila, Erando Karabeci, Genti Muça

 

FUTBOLLISTE KAMPIONE ME EKIPE TE HUAJA

 

Naim Kryeziu – Më 1941-1942 me Romën (Itali)

Alban Bushi – Më 1997-1998 dhe 1998-1999 Liteks (Bullgari)

 

TRAJNERE TE HUAJ QE KANE DREJTUAR PANKINEN E TIRANES

 

Paolo Bianchi (Itali) 1933,Samu Singer (Hungari) 1934, Miklosh Temeshvari (Hungari) 2000-2001,Enver Haxhiabdiç (Bosnje) 2001, Leandro Menikini (Itali) 2006, Blazh Sliskoviç (Kroaci) 2008, Mauro Bencivenga (Itali) 2009, Lazar Lonçareviç (Kroaci) 2009, Misho Kërstiçeviç (Kroaci) 2011, Emmanuel Sançes Rubio (Spanja) 2011-2012, Joze Marcelo Ferreiro-Ze Maria (Braziljan)- 2017-2018, 2018-2019, Emmanuele Ndubuisi Egbo (Nigeri) 2019-2020.

 

FUTBOLLISTE ME TITUJ SHKENCOR

Prof. Dr. Shefqet Ndroqi, Prof. Dr. Sulejman Lleshi, Prof. Selman Stërmasi, Prof. Adem Karapici, Prof. Abdulla Shehri,

Prof. Dr. Skënder Begeja, Prof. Asoc. Dr. Shyqyri Rreli, Prof. Dr. Bahri Ishka, Dr. Isuf Dashi, Prof. Dr. Vasfi Samini,

Dr. Vasil Kajano, Prof. Dr. Agim Pirdeni, Dr. M. Agolli, Prof. Naim Balla, Dr. Stefan Pavli, Dr. Petrit Dibra, Prof. Asc. Dr. Bujar Kasmi.

 

FUTBOLLISTE ARTISTE GAZETARE

Kujtim Buza – futbollist, piktor “Artist i merituar”, Myrteza Fushekati – futbollist, piktor, Gut Tafaj – futbollist, piktor, Pirro Çako – futbollist, kompozitor kantautor (aktivizuar me të rinjtë e Tiranës), Reiz Çiço – futbollist, gazetar, Glendi Tafaj – futbollist, gazetar.

 

LIBRA PER EKIPIN E TIRANES

 

“Shpërthimi” roman nga Skifter Këlliçi

“Tirana dy orë para përjashtimit” roman nga Skifter Këlliçi

“70 vjet Sport Klub Tirana” (1990) nga Adriatik Dosti

“75 vjet bardheblu” (1995) nga Ismet Bellova

“75 vjet Sport Klub Tirana” (1995) nga Bektash Pojani

“80 vjet Sport Klub Tirana” (2000) nga Bedri Alimehmeti

“Skënder Halili, vezullimi i një ylli” (2008) nga Bedri Alimehmeti

“Gjigandi Arben Minga” (2009) nga Bedri Alimehmeti

“Osman Pengili, njeriu e sportisti model” (2010) Bedri Alimehmeti

“Shyqyri Rreli, një jetë për futbollin shqiptar”(2010) Bedri Alimehmeti

“Xhavit Demneri-Gjithkushi” – (2015) Fatmir Mëneri

“Zebrat e Tironës” – (2018) Manush Thanasi

 

FILMA ARTISTIK E DOKUMENTAR PER FK TIRANA

 

“Fushë e blertë, fushë e kuqe” (film artistik) skenari: Skifter Këlliçi, regjisor: Hysen Hakani

“Shokë të një skuadre” (film artistik) skenari: Flamur Topi, regjisor: Besim Kurti

“Selman Stërmasi-një emër i madh i Tiranës” (dokumentar) skenari e realizimi nga Xhemal Reçi

“Hasan Balla, një jetë për futbollin” (dokumentar) skenari e realizimi Sokol Balla

“80 vjet Sport Klub Tirana” (dokumentar) skenari: Bedri Alimehmeti, realizimi; Vladimir Grillo

“Profesori, që titullin ia dha jeta” dokumentar skenari dhe kamera: Xhemal Reçi, regjia: Engjell Ndocaj

“Ali Mema” (Dokumentar) operator: Xhemal Reçi, skenari dhe realizimi: Fatmir Mëneri

“Ne jemi Tirona” (dokumentar) skenari Gert Selenica, realizimi Armand Vllahu

 

KENGE PER EKIPIN E TIRANES

“Kënga e Tironës” (1965) teksti e muzika Mustafa Budini, kënduar nga Sotir Buneci, Kasem Hallulli dhe Rik Buneci.

“Gol, i bukuri gol” (1985) teksti: Teodor Laço, muzika: Agim Prodani, kënduar nga Ema Qazimi “Mjeshtre e Madhe”.

“Golin bëri babi” (1989), këngë për fëmijë teksti: Bedri Alimehmeti, muzika: Violeta Filaj, kënduar nga grupi i fëmijve “Dorela”

“Këngë për skuadrën e Tiranës” (1995) teksti: Alqi Boshnjaku, muzika dhe kënduar nga Luan Zhegu (“Mjeshtër i Madh”)

“Tirona gjithmonë kampion” (1999) muzika: Dritan Baftjari kënduar nga Pajtim Struga

“Para Tirana” (1999) teksti e muzika: Rexhep Demetja, kënduar nga Hysen Koçia (Artist i Merituar)

“Tirana-Tirana” (2002) teksti; Stefan Prifti, muzika edhe kënduar në gjuhën shqipe dhe arabe nga Luan Sula.

“Marrshi Tirones” (2009) teksti e muzika Dritan Baftjari.

“Tirana 100 vjet” muzika Dj. Sardi, këndon Romela Hajati.

 

BARDHEBLUTE NE KUPAT E EVROPES

Fakti që në ranklistën e skuadrave pjesmarrëse në kompeticionet e kupave të Europës, ekipeve shqiptare u prin në rendije FK Tirana, dëshmon për ecurinë e suksesshme të saj, në përballjet mjaft dinjitoze që ka zhvilluar ndaj skuadrave të nivelit të lartë si “Ajaks” i Amsterdamit, “Bajern” i Mynihut, “Kilmarnok” i Skocisë, “Linfild” i Irlandës së Veriut, “Standard” i Liezhit (Belgjikë), “Dinamo” e Bukureshtit, “Sturm” i Gracit (Austri) etj. Gjithsesi nga gjithë këto përballjeve me rastin e jubileut të 100 vjetorit të themelimit të FK Tirana themi se ia vlen tw ndalemi tek dy përballjet me Dinamon e Bukureshtit.

Kualifikim i bujshëm

Padyshim eleminimi i “Dinamos” së Bukureshtit në turin e parë të Kupës së Kupave nga Tirana, si dhe ai i “Partizanit” të Beogradit në Kupën UEFA prej “Flamurtarit”, mbeten kualifikimet më historike të ekipeve tona në kupat e Evropës. i pari ka vlerë të dyfishtë, pasi u arrit pas dy fitoresh. Por si e arritën tiranasit këtë sukses?

Në 17 shtatorin e vitit 1986, fituesja e kupës së Shqipërisë FK Tirana, u vu përballë fitueses së kupës së Rumanisë, Dinamo e Bukureshtit me këtë formacion: Mersini, Baçi, Hodja, Lekbello, Bimo, Liti, Josa, Omuri, Muça, Minga e Kola. Edhe Dinamo nga ana e saj aktivizoi nw 11- shin e vet futbollistët më të mirë. Katër lojtarë të saj Morau, Redniçi, Balaçi e Kamataru ishin të formacionit bazë në përfaqësuesen rumune.

Qysh në fillim të lojës u lexua qartë taktika e kundërshtarit, mbrojtje e fuqishme me shumë forca në kundërsulmin e shpejtë. Skuadra jonë nga ana e vet iu kundërvu me sulmin e saj karakteristik të fuqishëm. Gjatë pjesës së parë patën raste shënimi Muça, Kola, Josa, Minga e Omuri. Rumunët u përgjigjën në tri raste me Kamataru, Balaçi e Mihalesku. Pjesa e dytë sërisht pati si protagonist lojtarët e Tiranës. Loja e tyre pati frymëmarrje më të madhe, sidomos kur fuqizohej njëherësh nga disa lojtarë që sulmonin në tërë gjerësinë, pa humbur thellësinë. Krahas Mingës e Kolës, shpesh në mes futej Muça, në të majtë Josa, e në të djathtë Liti apo Omuri. Kjo mënyrë loje solli mjaft pështjellim në mbrojtjen kundërshtare. Por goli megjithatë nuk po dukej, megjithëse Minga e Kola patën përsëri raste shënimi. Gjatë kësaj pjese sulmi rumun pothuajse e humbi fare forcën goditëse. Kjo për meritë të mbulimit të rreptë të mbrojtësve Baçi, Hodja, Lekbello e Bimo. Mesfusha u vu plotësisht nën këmbët e bardhebluve, ku ra në sy veçanërisht loja e shkëlqyer e Josës. Ndërkohë me kalimin e minutave mbërrijmë thuajse në limitet e kohës së rrregullt kur kishin mbetur edhe katër minuta lojë, është e 86-ta minuta ajo që e kishte fshehur në vetvete golin e shpresës së madhe. Gjuajtja kros e Baçit i kalon mes këmbëve portierit Morau, e Kola pranë me një mgoditje të rrufeshme përshëndet rrjetën. Gëzimi është i ligjshëm si në fushë ashtu edhe në shkallët e stadiumit të mbushur plot. Bardheblutw fituan një ndeshje që duhet ta kishim të paktën me një gol më shumë. Përfundimisht 1-0 me meritë. Gjithçka mbetej të vendosej pas dy javësh në Bukuresht. Ndeshja e kthimit. Minuta e dytë e lojës, kombinim i saktë Kola-Minga e ky i fundit e përcjell qetësisht topin në rrjetë. Pas kësaj një pështjellim i pazakontë që do të zgjaste gjatë në radhët e Dinamos së Bukureshtit. Megjithse më saktë do të qe të thonim që ky ishte një “shok” psikologjik i rëndë për ta. Ndërkohë nga ana tjetër lojtarët e Tiranës fituan mjaft lirshmëri në lojë. Kështu portieri Mersini ndjeu siguri më të madhe, kur sheh se ka para vetes Baçin, Hodjen, Lekbellon, Bimon e Alimehmetin, të cilët nuk lënë asnjë shteg të lirë. Edhe mesfusha është mjaft e fuqishme, me Omurin, Josën e Muçën, që shpesh u këmbye me Kolën, për t’i ardhur në ndihmë Mingës në sulm. Pjesa e parë u mbyll me dy raste të rrezikshme të Kamataru e Balaçi, të cilët u neutralizuan mjaft mirë prej Mersinit. Edhe në pjesën e dytë sutuata nuk ndryshon. Rumunët sulmojnë dëndur e me shumë forca, e tiranasit mbrohen në mënyrë efikase. Në minutën e 62-të, Muça, pasi vallëzon mes mbrojtësve rumunë duke shmangur tre prej tyre, gjuan fort në të hyrë të zonës, por vetëm shtyllë. Kur mbërrin minuta e 82-të pas një momenti pasigurie të mbrojtjes sonë, blutë e Bukureshtit shënojnë golin e barazimit me autor Kamataru. Por tashmë është shumë vonë, teorikisht Dinamo është e eleminuar. Dhe si për të vulosur përfundimisht këtë gjë, Muça tri minuta më pas ndërmerr sërish një aksion tjetër përsonal, por, pasi shmang dy mbrojtës ndodh tragjedia. Redniç ndërhyn dhumshëm ndaj tij, e teksa e sheh se çka bërë, vë duart në kokë e largohet i lebetitur. Muça dërgohet urgjent në spital. Ky dëmtim i rëndë qe vërtet fatal për një futbollist tejet të talentuar si Shkëlqim Muça, ngaqë i afroi shpejt fundin e karrierës si futbollist. Ndërkohë atë që nuk e bëri dot Muça, e realizoi në mënyrë të përkryer Josa, një minutë para mbarimit, duke shënuar golin e dytë, atë që vulosi përfundimisht fitoren e bardhebluve, 2-1. Atë natë, rrjetet televizive perendimore do të shpreheshin: “kjo është mbrëmja e madhe për futbollin shqiptar”. Vite më vonë duke rrëfyer rreth asaj ndeshje trajneri Enver Shehu do të shprehej: “Nuk e harroj kurrë. Kemi përjetuar një mbrëmje të paharruar, i gjithë Bukureshti ishte me ne. Tifozë të Steaos e të Rapidit, të gjithë u bënë me Tironën. Na duartrokitnin e na përshëndetnin me shumë dashamirësi”. Por nuk mbaron këtu. Një ditë më pas, “tërmetit” tiranas që lëkundi stadiumin e Dinamos së Bukureshtit, do t’i gjindeshin viktimat tjetërkund. Me urdhër, u shkarkuan nga Minstria e Punëve të Brendshme tri gjeneralë, e bashkë me ta edhe trajneri i mirënjohur e Dinamos e përfaqësueses rumune, Luçesku. E gjithë kjo mrekulli e bardhebluve, ndodhi më 1 tetor 1986.


SKEDA

 

KLUBI FUTBOLLIT TIRANA

 

Data e themelimit: 15 gusht 1920

Vendi i themelimit: Qyteti i Tiranës

Selia e klubit: Stadiumi “Selman Stërmasi”

Telefon / Fax: 00 355 4 22 56 899, 00 355 4 22 56 898

E-mail: [email protected]

Stadiumi ku i zhvillon ndeshjet:

“Selman Stërmasi” kapaciteti 9 500 shikues

Ambjenti stërvitor: Kompleksi “Skënder Halili”

Presidenti i Klubit: Refik Halili

Numri i trofeve që mban: 53

Kampion i Shqipërisë: 25 herë

1930, 1931, 1932, 1934, 1936, 1937, 1964-1965, 1965-1966, 1968, 1969-1970, 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989, 1994-1995, 1995-1996, 1996-1997, 1998-1999, 1999-2000, 2002-2003, 2003-2004, 2004-2005, 2006-2007, 2008-2009, 2019-2020

Fitues i Kupës së Shqipërisë: 16 herë

1939, 1963, 1976, 1977, 1983, 1984, 1986,1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006, 2011, 2012, 2017

Fitues i Superkupës së Shqipërisë: 11 herë

1995, 1999, 2001, 2003, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011, 2013, 2017

Kampion në kategorinë e parë: 1 herë

2017-2018

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…