Teuta firmos me mesfushorin ganez Reuben Acquah
Acquah, me shtetësi ganeze, do të jetë pjesë e bluve pas eksperiencës te disa ekipe si, Ried, Lask apo Lokomotiva Zagreb
Teuta njoftoi në faqen zyrtare marrëveshjen me futbollistin Reuben Acquah. Drejtuesit e klubit dhe mesfushori afrikan kanë gjetur akordin për bashkëpunim, ndërkohë që lojtari është prezantuar në ambientet e stadiumit “Niko Dovana” dhe tashmë është pjesë e bluve.
Acquah, me shtetësi ganeze, do të jetë pjesë e bluve pas eksperiencës te disa ekipe si, Ried, Lask apo Lokomotiva Zagreb. Kujtojmë që ky lojtar ka përvojë edhe në kampionatin shqiptar, pasi në sezonin 2016-2017 ka luajtur me Tiranën, i huazuar nga LASK Linz. Një afrim tepër cilësor për “Djemtë e Detit”, që konfirmojnë ambiciet për të mbrojtur titullin kampion në Shqipëri apo për të “sulmuar” Kupën e Shqipërisë.
Drejtuesit e Teutës nuk do të ndalen me kaq, pasi këtë të martë pritet të zyrtarizohet mbrojtësi 29-vjeçar serb Filip Ivanovic, prania e të cilit do t’i shtojë cilësi repartit të pasmë.
Te Teuta, në fakt, lëvizjet janë në të dy kahet. Burime pranë klubit durrsak bëjnë të ditur se Erando Karabeci e ka mbyllur bashkëpunimin me kampionët në fuqi, pasi ka vendosur ta vijojë karrierën në Kosovë, te Prishtina.