Mbrojtësi serb Filip Ivanovic firmos për Teutën
Futbollisti vjen nga kampionati azer teksa në tre sezonet e fundit është aktivizuar me skuadrën e Sabah.
Teuta kompleton mbrojtjen me afrimin e një shtatlarti serb.
Kampionët e Shqipërisë e kanë gjetur zëvendësuesin e kapitenit Renato Arapi i cili u tërhoq nga futbolli i luajtur pas eliminimit të durrsakëve nga Conference League duke lënë një boshllëk të madh në qëndrën e mbrojtes së djemëve të detit nga të cilët në këtë merkato verore u largua edhe Rustem Hoxha, megjithatë drejtuesit e Teutës e kanë zgjidhur shpejt këtë problem duke vendosur në dispozicion të trajnerit Edi Martini 29-vjeçarin serb Filip Ivanovic.
Futbollisti vjen nga kampionati azer teksa në tre sezonet e fundit është aktivizuar me skuadrën e Sabah ndërkohë që përpara se të transferohej në Azerbajxhan spikati në Superligën e Serbisë teksa në sezonin 2017-2018 me skuadrën e Radnik Surdulica u aktivizua në 31 takime duke shënuar dhe 4 gola.
Kohëzgjatja e kontratës që ka firmosur Filip Ivanovic me Teutën nuk bëhet e ditur nga klubi durrsak, ndërkohë që lojtari pasi është prezantuar në ambientet e stadiumit Niko Dovana ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me Teutën.