Vendos Haaland, Borussia rikthehet te fitorja në Bundesligë
Protagonist ishte Erling Haaland, që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe në suksesin 3-2 ndaj Hoffenhaimit.
Borussia e Dortmundit rikthehet te fitorja në kampionat dhe e bënë këtë vetëm në minutat shtesë, teksa protagonist ishte sulmuesi norvegjez, Erling Haaland, që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe në suksesin 3-2 ndaj Hoffenhaimit.
Verdhezinjtë vinin pas një humbjeje befasuese në transfertën ndaj Freiburg dhe në sfidën e sotme në “Signal Iduna Park” vuajtën jo pak ,teksa pas një pjese të parë pa gola, ishte mesfushori Reyna që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 49’.
Miqtë u kundërpërgjigjën me anë të Baumgartner, duke rikthyer baraspeshën, por në të 69’-ën ishte talenti anglez Jude Bellingham, që pas asistit në golin e parë, këtë herë shënoi vetë, duke rikthyer në avantazh Dortmundin.
Dabbur bëri që në “Signal Iduna Park” të bjerë heshtja në minutën e 90’, pasi riktheu edhe njëherë baraspeshën, por vetëm për pak sekonda, pasi Haaland nuk e kishte thënë ende fjalën e tij dhe e bëri këtë në të 91-tën, duke shënuar golin me vlerë tre pikëshe për Dortmundin.