Mbrojtësit Enes Isufi dhe Endri Reçi firmosin për Kastriotin
Kastrioti vijon punën për kompletimin e ekipit, duke arritur akordin me dy mbrojtës.
Kur na ndajnë edhe dy javë nga starti i sezonit të ri, Kastrioti vijon punën për kompletimin e ekipit dhe sot ka njoftuar akordin me dy mbrojtës, që pritet të kompletojnë repartin e prapavijës së skuadrës krutane.
Bëhet fjalë për shkodranin e talentuar, Enes Isufi, i cili është rritur në akademinë e Vllaznisë dhe së fundi ka luajtur me Luftëtarin në Kategorinë Superiore, por edhe me Tomorin e Beratit në Kategorinë e Parë.
Emri tjetër është Endri Reçi, i cili sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Dinamos dhe ka dhënë kontributin e tij që kryeqytetasit të rikthehen në elitën e futbollit shqiptar pas shumë vitesh në ligat më të ulëta.
Të dy futbollistët janë 21-vjeçarë, por me eksperiencën dhe dëshirën e duhur për të bërë mirë në Krujë, me Kastriotin që edhe këtë sezon do të ketë si mision mbijetesën në Kategorinë Superiore.