Shqipëria zhgënjen në Poloni
Rezultat zhgënjyes për Shqipërinë në transfertën polake, pasi mposhtet me rezultatin 4-1, që duket vërtetë i gënjeshtërt për të gjithë ata që ndoqën 90-minutat në Varshavë.
Rezultat zhgënjyes për Shqipërinë në transfertën polake, pasi mposhtet me rezultatin 4-1, që duket vërtetë i gënjeshtërt për të gjithë ata që ndoqën 90-minutat në Varshavë.
Ndeshja nisi malore për kuqezinjtë, pasi brenda 10 minutave të para u ndëshkuan me kartonë të verdhë Abrashi, Bare e Hysaj, me këta dy të fundit që nuk do të luajnë në sfidën ndaj Hungarisë tri ditë më vonë në “Elbasan Arena”.
Në minutën e 12’; vendasit fituan një goditje dënimi dhe pas një topi në zonë pa shumë pretendime, Kamil Glik u harrua nga Manaj në shtyllën e dytë e shërbeu saktë për Lewandowskin, që u gjend në vendin e duhur për të shtyrë sferën në rrjetën e portës së Berishës.
Goli zgjoi kuqezinjtë, që morën kontrollin e lojës dhe pas disa zbritjeve radhazi, arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 25-të. Sokol Cikalleshi lëvizi bukur drejt zonës dhe po kaq bukur shërbeu edhe Gjasula, teksa bomberi kavajas u koordinua saktë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Minutat e mira për kuqezinjtë vijojnë, pasi më vonë Szczesny bën një pritje të bukur në gjuajtjen ndaj Manajt, ndërsa reflekset e portierit polak i provojnë edhe futbollistë të tjerë, por pa rezultat.
Në momentin më të mirë të kuqezinjve, vjen një goditje këndi për polakët dhe në zonën kuqezi ka sërish mungesë përqendrimi e gabim në vendosje, nga e cila përfiton mjaft mirë Buksa, që shënoi edhe golin e dytë.
Pjesa e dytë nisi sërish mirë për kuqezinjtë, por në minutën e 54-t polakët gjetën edhe golin e tretë. Një nënvlerësim i Kumbullës ndaj bomberit Lewandowski, bëri që ky i fundit të përfitonte dhe të shërbente për Krychoviak, që e pati të thjeshtë ta dërgojë sferën në rrjetë.
Më pas vijnë edhe dy kartonë të verdhë për Gjasulën e Manajn, të cilët gjithashtu humbin ndeshjen e ardhshme ndaj Hungarisë dhe pavarësisht një loje të mirë të kuqezinjve, golin e bëjnë sërish polakët, që dërgojnë topin në rrjetë për herë të katërt në minutën e 89’ me Linetty, duke vulosur suksesin 4-1.
Kjo është humbja e dytë e kuqezinjve në grup, që pas 4 ndeshjesh numërojnë vetëm 6 pikë dhe pozicionohen momentalisht në vendin e katërt, ndërsa tre ditë më vonë do të presin Hungarinë në “Elbasan Arena”.
Trajneri Reja do të duhet të bëjë llogaritë me katër mungesa të konfirmuara si Hysaj, Bare, Gjasula e Manaj, megjithatë reagimin e pret nga reparti i mbrojtjes, aty ku skuadra ka edhe më shumë cilësi, por që për fat të keq zhgënjeu së tepërmi në Poloni.