Sokol Cikalleshi: Të pësosh katër gola janë shumë
Sokol Cikalleshi vijon të tregojë një formë të mirë , duke shënuar një gol mjaft të bukur dhe sjellë barazimin e përkohshëm të rezultatit (1-1) në humbjen 4-1 në Poloni.
Sokol Cikalleshi vijon të tregojë një formë të mirë edhe te kombëtarja, pasi nxori nga repertori një gol mjaft të bukur, duke sjellë barazimin e përkohshëm të rezultatit në Poloni, por në fund nuk e fshehu zhgënjimin për humbjen dhe mbi të gjitha për mënyrën si erdhi ajo.
Sa i zhgënjyer jeni për mënyrën si erdhi kjo humbje?
Mendoj që ndeshjen e filluam mirë, edhe pse pësuam që në fillim me goditje standarde. Arritëm të barazonim, kishim raste edhe për të shënuar e kaluar në avantazh, por fati nuk deshi dhe mendoj që duke pësuar kështu bie morali i ekipit. Rezultati tregon që ndoshta nuk e meritonim, por duhet të shohim para e përmirësohemi, pasi kemi punë për të bërë.
Mos ndoshta jemi më mirë kur luajmë në pritje dhe provojmë kundërsulmin?
Mendoj që në këto kohë jemi munduar të bëjmë futboll më ofensiv e sulmues, por duke bërë këtë futboll krijohen shumë hapësira mbrapa dhe risku është pjese e kësaj taktike. Mendoj se duke tentuar të luajmë më shumë në sulm, mund të pësojmë me këtë mënyrë, mendoj se kemi strukturën dhe mënyrën tonë të lojës, në grup në sulme mbrojtje, edhe pse sulmojmë me pikatore, kemi pikën tonë të fortë dhe sot nuk treguam këtë.
Jeni veteran në dhomat e zhveshjes. A ka inat brenda grupit, për mënyrën si erdhi kjo humbje?
Në dhomat e zhveshjes të gjithë çunat ishin shumë të mërzitur dhe patëm edhe biseda mes nesh se 4 gola janë shumë edhe pse nuk e meritonim ndoshta këtë rezultat. Katër gola janë shumë dhe nuk kemi as kohë e do të duhet të rigjejmë ndeshjen shpejt pas tre ditësh, të bëjmë ndeshjen mirë, të jemi grup i fortë, por katër gola janë shumë dhe uroj që në të ardhmen të bëjmë përmirësime e të rritemi.