Fatmir Ismaili, “gardiani” i Partizanit të Boriçit dhe Naftëtarit të Birçes
Portieri që ka shkruar pjesën më cilësore në historinë 95-vjeçare të katërkëndorit te skuadra kuçovare
Nga Agron Kaja, gazetar sportiv
Nëse brezat e sotëm shohin futboll më shpesh, apo edhe kanë mundësi komunikimi më të afërt me futbollin, dekada më parë këto ishin të pamundura. Kështu ka qenë kjo situatë edhe në periudhën kur Fatmir Ismaili luajti në karrierën e tij futbollin me Naftëtarin, më pas në katër sezone me Partizanin, për tu rikthyer më pas po me Naftëtarin për 10 vite rresht deri në mbylljen e karrierës së tij në moshën 34 vjeçare. Në deklaratat e tij Fatmiri tregon se kur ishte në shkollën e mesme më shumë ishte i angazhuar në lojërat me dorë, volejboll e basketboll, ndërsa hyrja në futboll ka qenë një rastësi që e zbuloi ish-trajneri i të rinjve të Naftëtarit në vitin 1968. Kjo do të ishte lidhja e parë dhe më e forta që e “dashuroi” me futbollin, dhe duke patur shtatlartësi e reflekse, trajneri e piketoi si portier. Këtë rol Fatmir Ismaili tregon se e ka kryer me shumë pasion, ku në 15 vite karrierë ai kujton se nga drejtuesit e pushtetit vendor, të KF Naftëtari dhe nga tifozeria kuçovare është ndjerë shumë i respektuar. Ky është rrëfimi i tij për Tifozët.al, në të cilin “gardiani” Ismaili tregoi edhe për “armiqësinë” e përhershme me Tomorin.
-Dikur një ish-portier që provuat edhe Partizanin e madh, sot si ndjeheni pa futbollin e luajtur?
Natyrisht që kur vitet kalojnë, ndjeshmëria është edhe më e madhe për atë çka kemi lënë pas. Unë jam krenar që kam qenë pjesë e Partizanit dhe e Naftëtarit, dy skuadra që më dhanë shumë emër si sportist, por edhe në jetën e përditshme. Që në fillimet në rikthimin me Naftëtarin morra epitetin si: Porta e kyçur me Naftëtarin e Birçes.
-Ju nuk keni ndonjë angazhim të drejtpërdrejtë, që tu pyesnim se jeni afër apo larg futbollit?
Më thuaj një ish-futbollist që është shkëputur nga futbolli gjatë gjithë jetës së tij? Unë e ndjek me interes e pasion futbollin shqiptar, Partizanin në Kategorinë Superiore dhe Naftëtarin në çdo kategori që luan. Këtë sezon, unë nuk jam ndjerë mirë për Naftëtarin, skuadra ime e zemrës, e cila nuk arriti të ngjitej në Kategorinë e Parë.
-Në memorien tuaj, si e kujtoni nisjen e karrierës në futbollin shqiptar, e pikërisht në rolin e portierit?
E kam mësuar futbollin në fushat e lagjes e me topa llastiku, ndaj jam ndjerë i lumtur në vitin 1968 që më thirrën tek të rriturit e Naftëtarit. Gjatë rinisë kisha pasion lojërat me dorë, volejboll e basketboll, por në shkollën e mesme trajneri Fiqiri Duro më tha se të rinjtë nuk ka portier. Më provoi dhe që ditën e parë më morri titullar, pak muaj me të rinjtë e pastaj luajta te skuadra e parë.
-Një vit përvojë me Naftëtarin e mbyllja me këtë skuadër, si kujton ndeshjet ekstreme në karrierë me këtë skuadër?
Kur unë luajta në vitin e parë me skuadrën e Naftëtarit, luante në Kategorinë e Dytë dhe ndeshjen e parë e luajta në Delvinë në shtator 1968, të cilën e fituam 1-0. Ndërkohë që ndeshjen mbyllëse të karrierës sime me Naftëtarin e kujtoj në Shkodër ndaj Vllaznisë. Humbëm 0-1 e Vllaznia u shpall kampione në atë sezon.
-Partizani ju “vodhi” shumë shpejt nga Naftëtari, e quani këtë kulmin e karrierës suaj?
Partizani më kishte piketuar, dhe kujtoj që trajneri Loro Boriçi ma ka bërë ftesën në vitin 1969, gjatë një ndeshje në Tiranë me Studentin. Unë u paraqita mirë dhe ai më ftoi të kaloja te Partizani. Atë vit kisha dhënë normat për studime në ILKF “Vojo Kushi”, por menjëherë më erdhi ftesa për shkollën ushtarake. Nuk pranova të studioja për oficer, por Partizani këmbënguli dhe menjëherë më veshën ushtar.
-Në atë periudhë Partizani kishte emra të mëdhenj, si kaluan katër sezone te skuadra e kuqe?
Katër vite te Partizani, për mua ishte një shkollë e madhe në karrierë. Luajta me Panajot Panon, Lin Shllakun, Astrit Ziun, Agim Jankun e shumë të tjerë që në atë periudhë ishin futbollistët më cilësorë në futbollin shqiptar. Luajta në shumë ndeshje, por edhe alternativë e të madhit Bashkim Muhedini, ndërsa fillimisht si titullar kam qenë në vitin 1970 në një ndeshje të Kupës ndaj Vllaznisë në Shkodër.
-Katër sezone në Tiranë e më pas rikthim përsëri në Kuçovë, si erdhi ky largim?
Naftëtarin në atë periudhë e drejtonte trajneri Bejkush Birçe, dhe ky ishte motivi kryesor i rikthimit tim në Kuçovë. Skuadra luante në elitën e futbollit shqiptar dhe kërkesa e Birçes që unë të rikthehesha nuk mund të refuzohej, edhe pse largimi nga Partizani nuk ishte i lehtë për karrierën time.
-Dhe Naftëtarin nuk e “tradhtuat” për dhjetë sezone rresht, çfarë ruani më shumë në kujtesën tuaj për këtë eksperiencë?
Unë e quaj si pjesën më të bukur të karrierës sime, edhe pse me Partizanin luajta shumë ndeshje, brenda e jashtë Shqipërisë. Kujtoj se kur unë shkova në Kuçovë, skuadra sapo ishte ngjitur në Kategorinë e Parë dhe trajneri Bejkush Birçe kishte nisur kompletim me futbollistë të nivelit cilësor. Atëherë u formua një skuadër kompakte, që më pas u quajt simpatike.
-Tradicionalisht, ndeshjet Naftëtari-Tomori dhe anasjelltas ishin “derbi”, sillni në memorie ndonjë të veçantë mes tyre?
Në periudhën që unë luajta futboll, por edhe historikisht, ndeshjet mes Tomorit e Naftëtarit ktheheshin në “derbi”, ku shpesh kishte edhe tension, sikundër edhe ndodhi në 12 dhjetorin e vitit 1979. Në atë kampionat ne ishim më mirë se Tomori dhe në Berat shkuam për të fituar. Por kjo ndeshje hyri në historinë mes këtyre dy skuadrave si më e zeza. Arrestime, dënime e kartonë e më pas burgime, ky ishte ndëshkimi për disa futbollistë të Naftëtarit.
-Në karrierën tuaj, keni patur një moment të mirë, por edhe një moment të keq që ju kanë mbetur ende në kujtesë?
Po e filloj nga moment i keq të cilin më sipër edhe e përmenda, pra ndeshja me Tomorin në vitin 1979, ndërkohë që ndeshjet e tjera kanë qenë në përgjithësi të mira, por do të veçoj ato kur Naftëtari drejtohej nga i madhi Bejkush Birçe. Atëherë ne konkurronim me dinjitet, ku edhe morëm etiketimin “skuadër simpatike”. Si një ndeshje të veçantë sjell në kujtesë në Durrës në vitin 1976, ku ne fituam dhe unë prita shumë raste goli.
-Si e vlerësoni sot karrierën tuaj 15-vjeçare në futbollin e luajtur, të plotësuar, apo me pengje?
Po natyrisht të plotësuar, sepse që të luash edhe me Partizanin, kryesisht në atë periudhë që në atë skuadër thuajse luanin të gjithë lojtarët e Kombëtares, për mua mbetet një kulm i karrierës. Kjo përvojë mbetet e paharrueshme, por edhe me Naftëtarin kontributi im ishte i madh dhe ndjehem krenar që vesha fanelat e tyre.
-Po në ekipet kombëtare, si ka qenë përfaqësimi juaj?
Që ditën e parë që shkova te Partizani në vitin 1969 kam luajtur me Shpresën U21. Ndeshjen e parë me RFGJ-në dhe ndeshja tjetër ishte me Gjermaninë Lindore. Një vit më pas luajta edhe me Kombëtaren A dhe si ndeshje të parë kujtoj që në pjesën e dytë me Gjermaninë Perëndimore hyra në lojë e pësova një gol. Katër vite te Partizani kam qenë pjesë e rregullt te Kombëtarja, njëherësh morra pjesë edhe në turneun miqësor në Kinë ku luajta në katër ndeshje si titullar.
-Atëherë skuadra e Partizanit ka zhvilluar ndeshje edhe në kupat e Europës, për ju kishte minuta lojë?
Patjetër që kishte minuta lojë edhe për mua dhe unë kujtoj me shumë nostalgji ndeshjen në Suedi kundër Lonkoping që zëvendësova Bashkim Muhedinin. Do veçoj një moment, kur luajtëm me austriakët e Vacker Insbruk, ne me vetëdije e humbëm ndeshjen 2-3. Sepse shorti na binte të ndesheshim me Real Madrit që atëherë kishte në pushtet dikatorin Franko, dhe politika jonë nuk e pranonte këtë përballje.
-Pas lënies së futbollit të luajtur keni qenë vetëm drejtues klubi, ka qenë e menduar më parë kjo rrugë?
Kjo është zgjedhja ime. Unë asnjëherë nuk e kisha menduar rolin e trajnerit pasi të largohesha nga futbolli, por asnjëherë nuk u ndava nga ritmika e tij te Naftëtari. Sepse në 16 vite, me disa ndërprerje, kam qenë shef klubi ku jam marrë me organizim e klubit. Por kontribut kam dhënë edhe në përgatitjen e portierëve, si Gurraj e Vashaku.
-Si ju duket niveli i futbollit sot, me atë kur ju luajtët për Partizanin e Naftëtarin?
Këto janë dy periudha që në gjykimin tim nuk kanë shumë të krahasuar mes tyre. Në atë periudhë që unë luajta, futbolli ishte më korrekt, më i bukur dhe më i afërt me sportdashësit. Sot, me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri edhe futbolli ka ndryshuar, por në raport me kohën, besoj se duhet të ishte në nivele më të mira. Sot kushtet janë shumë më të mira, por më shumë luhet për përfitim, e më pak për fanellën që përfaqësojnë. Ky është ndryshimi më thelbësor mes dy kohëve.
PASAPORTA SPORTIVE E FATMIR ISMAILI
Datëlindja: 25 qershor 1949
Vendlindja: Kuçovë/ Vendbanimi: Kuçovë
Arsimi: ILKF “Vojo Kushi” 1973-1976
Lidhjet me futbollin profesionist: Në vitin 1968
Pozicioni në fushën e lojës: Portier
Numri i këmbës: 42/ Shtatlartësia: 189
Skuadrat ku është aktivizuar: Në sezonin 1968-1969 me Naftëtarin (28 ndeshje); në periudhën 1969-1973 me Partizanin (128 ndeshje); në periudhën 1973-1983 me Naftëtarin (290 ndeshje)
Ndeshja e parë në karrierë; Me Naftëtarin, viti 1968 Delvina-Naftëtari 0-1
Ndeshja e fundit në karrierë: Me Naftëtarin, viti 1983 Vllaznia-Naftëtari 1-0
Tituj e trofe të fituara me Partizanin: Kampion Kombëtar 1970-1971; Kupën e Shqipërisë 1969-1970 dhe 1972-1973; Kampion i Ballkanit 1970 ndaj Beroe Stara Zagora, 3-0 dhe 1-1.
Ndeshje ndërkombëtare 10: Me Tomorin kundër Kombëtares së Kinës dhe me Trepçen e Mitrovicës; Me Partizanin katër ndeshje në Kinë dhe katër ndeshje në kupat e Europës.
Ndeshje me Kombëtaret 8: Me U21 në 4 ndeshje dhe me Kombëtare A në 4 ndeshje.
Ndeshje në total në karrierë 464: Në kampionate e kupë 446; Ndeshje ndërkombëtare me klubet 10; Ndeshje me U21 dhe Kombëtarja A 8.
Titulli sportiv: Mjeshtër Sporti; Nderi i qytetit të Kuçovës; Pllakata e mirënjohjes nga FSHF-ja.
Detyra në sport: Sekretar i FK Naftëtari, 1984-2000 (me disa ndërprerje)
Aktualisht: Në pension.