“Uniforma Ime” mbërrin edhe në Gjirokastër
Projekti madhor i FSHF-së “Uniforma Ime” vijon të zbatohet në të gjithë vendin
Projekti madhor i FSHF-së “Uniforma Ime” vijon të zbatohet në të gjithë vendin, ndërsa impakti që po i jep zhvillimit të futbollit të bazës ka qenë vërtetë impresionues. Këtë mesjavë ky projekt zbarkoi në Gjirokastër përmes një aktiviteti ku u shpërndanë një pjesë e bazës materiale për fëmijët e disa prej ekipeve të moshave të këtij qyteti.
Në eventin e organizuar nga FSHF në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Gjirokastër në stadiumin e qytetit ishte i pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kryebashkiaku Flamur Golemi, figura të futbollit gjirokastrit dhe prindër e futbollistë të vegjël.
Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit, Presidenti Duka theksoi se mesazhi që FSHF jep përmes këtij projekti madhor, që do t’i ofrojë falas të gjithë fëmijëve të Shqipërisë që luajnë me ekipe bazën materiale flas, është shumë i madh se sa thjeshtë uniformat dhe synon të masivizojë akoma më shumë futbollin. Gjithashtu, Presidenti Duka bëri apel që në Gjirokastër të ketë sa më shumë vajza që luajnë futboll me skuadra të organizuara, pasi mbështetja e FSHF-së nuk do të mungojë.
“Projekti ‘Uniforma Ime’ që ka nisur të zbatohet në të gjithë Shqipërinë prezantohet edhe në Gjirokastër. Synimi i projektit nuk është thjeshtë partneriteti me familjet shqiptare për të lehtësuar barrën financiare të tyre, por mesazhi që japim ne për rëndësinë e futbollit. Mesazhi që duhet të japim ne për unitetin me fëmijët për t’i afruar ato me lojën më të bukur në botë, futbollin. Objektivi kryesor i një federate futbolli kudo është që të ketë sa më shumë fëmijë që luajnë futbollin dhe sa më shumë vajza kryesisht. Sepse vajzave të futbollit ne i detyrohemi akoma më shumë. Për një periudhë të gjatë Shqipëria nuk kishte futboll vajzash, ne e kemi nisur në vitin 2008 dhe kjo periudhë ka qenë një luftë me mentalitetin, nëse ky është vetëm sport mashkullor apo edhe femëror. Unë besoj se e kemi tejkaluar këtë fazë, e kemi fituar këtë luftë dhe futbolli është për të gjithë, futbolli është sport, është shëndet, është edukim. Objektivi ynë kryesor mbetet futbolli i fëmijëve dhe kryesisht ai i vajzave. Dhe për këtë ne kërkojmë mbështetjen e të gjithëve. Padyshim që kemi investuar dhe incentivuar të gjithë mësuesit e edukimit fizik, shkollat që t’i afrojnë vajzat me futbollin dhe Gjirokastra si të gjithë qytetet e tjera të ketë ekipet e vajzave në të gjitha moshat dhe ekipin A për të konkurruar denjësisht në garë”, – tha kreu i qeverisë së futbollit shqiptar, duke e vënë më tej theksin tek infrastruktura dhe projektet që mund të transformojnë terrenet sportive në qytetin e Gjirokastrës.
“Për të zhvilluar futbollin nuk mjafton një uniformë, nuk mjafton një top. Elementët e tjerë që duhen janë mësuesit, trajnerët dhe terrenet sportive. Edhe me mësuesit besoj se jemi në një nivel të kënaqshëm me përgatitjet që bën FSHF nëpërmjet shkollës së saj, duke edukuar vit pas viti shumë trajnerë të niveleve të ndryshme nga licencat UEFA C e deri te ajo UEFA PRO.
Kolona tjetër e rëndësishme është infrastruktura, që ka ndryshuar shumë në Shqipëri, kanë ndryshuar shumë stadiume si rezultate i investimeve dhe i bashkëpunimit të FSHF-së me pushtetet vendore dhe qeverinë qendrore. Janë ndërtuar disa stadiume të niveleve europiane si ai i Shkodrës, i Elbasanit, i Kukësit dhe qershia mbi tortë, perla e infrastrukturës sportive shqiptare, stadiumi “Air Albania” në Tiranë. Janë ndërtuar shumë fusha stërvitjeje në të gjithë Shqipërinë, por duhet bërë akoma më shumë. Sa më shumë projekte të bëjmë apo incentivime të tjera për vajzat aq më shumë do të kemi futbollistë, aq më shumë do të na duhen fusha futbolli. Në këtë kontekst në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës dhe kryebashkiakun Flamur Golemi kemi projekte për të ndërtuar dy fusha të tjera stërvitore së bashku dhe të rinovojmë edhe fushën e stadiumit të qytetit. Vëmendja e të gjithëve është te fëmijët”, – tha Presidenti i FSHF-së.
Ndërsa, kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, pasi falënderoi Presidentin e FSHF-së për mbështetjen e madhe që po i jep futbollit.
“Dua të falënderoj Presidentin Duka për mbështetjen që po i jep projekteve të mëdha dhe jam shumë i lumtur për projektin që kemi për të ndërtuar dy fusha të reja dhe rinovimin e fushës së stadiumit. Çdo qindarkë që investohet në sport, te fëmijët, shumëfishohet dhe më vjen mirë që e nisim vitin me këtë bashkëpunim me FSHF-në për infrastrukturën”, – tha Golemi.
Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë edhe setet e çantave me bazën materiale për futbollistët e vegjël që aktivizohen me ekipet e moshave të Gjirokastrës. /FSHF.org