Rino Gatuzo piketon Adnan Januzajn
Mesfushori shqiptar është emri i piketuar nga trajneri italian i Valencias
Rino Gatuzo duket se pëlqen shumë futbollistët shqiptarë pasi ka pasur vazhdimisht të tillë në përbërje të skuadrave ku ka drejtuar. Edhe te Valencia, ai ka kërkuar që të afrohet një lojtar shqiptar në përbërjen e ekipit, ndonëse në fakt bëhet fjalë për një futbollist i cili në arenën ndërkombëtare përfaqëson Belgjikën.
Adnan Januzaj është emri i piketuar nga trajneri italian, i cili i ka kërkuar klubit të nënshkruajë me futbollistin. Ky i fundit në verë iu bashkua si lojtar i lirë Seviljes, pasi i kishte mbaruar kontrata me Real Sociedad, por nuk po aktivizohet me këtë skuadër. Valencia duket si një ekip i cili mund t’i japë minutat dhe mundësinë për të luajtur më me rregullsi atij dhe palët janë në negociata konkrete.
Për momentin bëhet fjalë për një huazim deri në fund të sezonit, me palët që po diskutojnë vetëm pjesën sa i përket ndarjes me përqindje të mbulimit të rrogës që përfiton futbollisti. Megjithatë, në Spanjë janë të bindur se marrëveshja do të finalizohet dhe Januzaj do të vihet nën urdhrat e trajnerit italian.