Elseid Hysaj: Kam ndryshuar në gjithçka!
Mbrojtësi shqiptar jep sinjalet se është kthyer në një lojtar i rëndësishëm për Lacion.
Elseid Hysaj pak nga pak po jep sinjalet se është kthyer në një lojtar i cili mund të japë kontributin e tij të rëndësishëm për Lacion. Mbrojtësi shqiptar, pas një sezoni të kaluar me shumë luhatje, po luan më rregullisht dhe po dhuron paraqitje të mira, ndeshje si ajo në Kupë ndaj Bolonjës ku Lacio fitoi 1-0.
Pas sfidës, Hysaj është shfaqur para mediave duke folur për fitoren, por dhe për paraqitjet e tij personale, që kanë ardhur në rritje në këtë periudhë.
“Ishte pak e vështirë për mua që të futesha në botën e re të Sarrit, por këtë vit jam më mirë fizikisht, po stërvitem, po mundohem të kuptoj ku mund të përmirësohem. Herët a vonë, puna do të shpërblehet. A është Sarri ndryshe nga si ishte më parë? Jo ndryshe, vetëm se skuadra, duke ndryshuar rreshtim, kishte nevojë për pak më shumë kohë për të kuptuar lëvizjet, gjërat që kërkon trajneri. Tani gjërat po u dalin mirë djemve si Luis Alberto, Milinkoviç-Saviç, janë të aftë të ndryshojnë mentalitet. Ne po ecim përpara, shihet dhe në ndeshje, po bëjmë atë që kërkon trajneri.
Në çfarë kam ndryshuar në këtë sezon? Pak nga gjithçka. Të vija këtu pas 6 vitesh te Napoli ishte e vështirë edhe për mua, pavarësisht faktit se kam eksperiencë. Të ndryshosh gjithçka është e vështirë. Tani ndjehem mirë me të gjithë shokët e skuadrës, me të gjithë ekipin, po fillojmë të bëjmë lojën që kërkon trajneri, po hyj edhe unë në manovrën e tij dhe është shumë e bukur.
Milani? Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, që sot jemi të përqendruar të gjithë te Milani, nëse fitojmë do jemi 1 pikë larg, nëse humbim mund të jetë një rrezik për ne. Mund të mendojmë se jemi larg, por deri në fund do të jemi aty afër. Duhet vetëm të mendojmë që të bëjmë gjërat siç po i bëjmë tani, do të jetë fusha ajo që do të japë përgjigjet”, theksoi mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare.