Kupa e Shqipërisë për vajza, triumfojnë Kinostudio, Apolonia, Tirana dhe Vllaznia
Rezultatet e ndeshjeve të turit të parë eliminator. Sfidat e kthimit do të luhen javën e ardhshme.
Të shtunën, Kinostudio mundi Partizanin në takimin e parë të kësaj faze, në një ndeshje spektakolare që përfundoi me rezultatin 4-3 të Kinostudios. Takimi i dytë mes dy skuadrave do të zhvillohet javën e ardhshme, ku pritet të përcaktohet edhe gjysmëfinalisti i parë i këtij edicioni.
Sakaq, Tirana duket se ka siguruar një biletë për në gjysmëfinale pas fitores me shifrat e thella 9-2 kundër Teutës. Vajzat bardheblu realizuan gjashtë gola që në pjesën e parë të takimit, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe tre gola të tjerë.
Në sfidat e ditës së sotme, Apolonia triumfoi me rezultatin 6-0 në transfertën e Laçit. Dy skuadrat zhvilluan një ndeshje shumë të fortë, teksa pjesa e parë e lojës u përmbyll me shifrat 0-1, ndërsa në fraksionin e dytë, fieraket realizuan edhe pesë gola të tjerë.
Një rezultat me goleadë mori edhe Vllaznia, duke mundur Kukësin me shifrat 7-0. Një takim që foli vetëm për shkodranet gjatë gjjthë 90 minutave.
Ndeshjet e kthimit do të luhen javën e ardhshme, nga ku do të përcaktohen edhe 16 ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni.
Rezultatet e ndeshjeve të turit të parë eliminator:
Teuta 2-9 Tirana
Kinostudio 4-3 Partizani
Kukësi 0-7 Vllaznia
Laçi – Apolonia 0-6
Sipas skemës së re të përcaktuar nga Departamenti i Garave, në garë për të fituar Kupën e Shqipërisë për vajza janë 8 ekipe, ndërsa dy skuadrat e renditura në vendin e parafundit dhe të fundit, respektivisht Skënderbeu e Lushnja nuk do të marrin pjesë. Kjo skemë është përllogaritur në bazë të renditjes së skuadrave pas përfundimit të fazës së parë.