Kombëtarja U-17, dy miqësore me Bosnjë-Hercegovinën
Kombëtarja U-17 po përgatitet për fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2022-2023 të kësaj grup-moshe
Kombëtarja U-17 do të zhvillojë edhe dy miqësore të tjera ndërkombëtare në muajin shkurt me ekipin kuqezi që po përgatitet për fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2022-2023 të kësaj grup-moshe. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur një marrëveshje me Federatën e Bosnje-Hercegovinës për të luajtur dy miqësore mes ekipeve Kombëtare të moshës U-17 në muajin shkurt dhe të dyja takimet do të zhvillohen në Shqipëri.
Trajneri i ekipit kuqezi, Ervin Bulku do të ketë në dispozicion për këto ndeshje lojtarët e vitlindjes 2006, ndërkohë që takimi i parë do të luhet më datë 14 shkurt , ndërsa sfida e dytë Shqipëri U17 – Bosnje Hercegovinë U17 do të zhvillohet më datën 16 shkurt. Oraret dhe stadiumet ku do të luhen ndeshjet mbeten ende për t’u konfirmuar.
Stafi teknik i Kombëtares U-17 është duke bërë përgatitje intensive para turneut zyrtar, teksa pak ditë më parë ekipi kuqezi zhvilloi edhe dy miqësore me Turqinë, që u luajt po në Shqipëri, dhe ku u aktivizuan po lojtarët e vitlindjes 2006. Ndeshjet janë mundësia më e mirë për të mbajtur në vëzhgim lojtarët e ekipit bazë e gjendjen e tyre, por edhe për të testuar të rinj që mund të jenë të vlefshëm për turneun apo edhe për të testuar module të ndryshme loje. Në ditët në vazhdim stafi teknik do të shpallë edhe listën e lojtarëve që do të grumbullohen për këto miqësore.
Shqipëria U-17 është shortuar në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë në fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2022-2023, ndërsa ndeshjet e grupit do të luhen në muajin mars 2023 në Shqipëri në datat 22, 25 dhe 28 mars 2023.
Në fazën Elite Round marrin pjesë 32 skuadra të ndara në tetë grupe me nga katër ekipe secila. Në fazën finale të Europianit U-17 do të kualifikohen 15 skuadra, të cilave do të t’u bashkohet edhe Hungaria, vendi pritës i kësaj faze që do të zhvillohet në datat 17 maj – 2 qershor 2023.