Vllaznia triumfon ndaj Kukësit
Kuqeblutë kanë dominuar plotësisht ndaj verilindorëve, duke dhuruar një lojë shumë të mirë ofensive
Vllaznia ka mundur Kukësin në ndeshjen e javës së 20 të Superiores me shifrat 2-0, duke siguruar një fitore shumë të rëndësishme për renditjen.
Kuqeblutë kanë dominuar plotësisht ndaj verilindorëve, duke dhuruar një lojë shumë të mirë ofensive, sidomos në pjesën e parë ku ia dolën edhe të finalizonin dy herë. Nëse goli i parë ishte një kryevepër falë aftësive personale të Herald Markut, te i dyti i erdhi një ndihmë nga portieri Halimi i cili nuk kontrolloi gjuajtjen e Jonuzit.
Në pjesën e dytë, shkodranët menduan të administronin lojën dhe forcat, duke u siguruar që të ruanin portën të paprekur. Shifrat nuk ndryshuan dhe kjo i dha Vllaznisë 3 pikë që e ngjitin në vendin e dytë, teksa lënë Kukësin përsëri në zonën e rrezikshme të klasifikimit.
VLLAZNIA-KUKËSI 2-0
19′ H. Marku, 45′ Jonuzi