Europiani U-19 për vajza, FSHF organizon ndeshjet e raundit të dytë
FSHF do të mirëpresë ndeshjet e raundit të dytë të vlefshme për Kampionatin Europian 2023 për U-19
Që në fillim të muajit mars, Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n kanë organizuar disa turne zhvillimorë e europianë në vendin tonë për grupmoshat U-16 për vajza, ‘Elite Round’ U-17 për djem e ndeshjet e raundit të dytë për Kampionatin Europian për vajza U-17.
FSHF do të mirëpresë gjithashtu edhe ndeshjet e raundit të dytë të vlefshme për Kampionatin Europian 2023 për këtë grupmoshë, ku Shqipëria është shortuar në grupin B7 në Ligën B, së bashku me Skocinë dhe Lihtenshtejnin.
Shqipëria e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi është shortuar në të njëjtin grup me Skocinë e Lihtenshtejnin në grupin B7 në Ligën B. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri, në datat 5, 8 dhe 11 prill.
Tre ndeshjet e këtij raundi të dytë do të luhen në tre ditë të ndryshme. Do të jetë pikërisht sfida Shqipëri – Skoci, ajo që do të hapë këtë mini-turne. Takimi është planifikuar të luhet më 5 prill ,në ora 11:30 në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’.
Sakaq, më 8 prill, Kombëtarja U-19 do të jetë ‘pushim’, teksa në fushën e stadiumit kombëtar ‘Air Albania’ do të zbresin Skocia dhe Lihtenshtejni, me takimin që do të luhet në ora 11:30 në kryeqytet, në stadiumin ‘Air Albania’. Ndeshja e tretë dhe e fundit do të jetë ajo mes Shqipërisë dhe Lihtenshtejnit, që është programuar të zhvillohet më 11 prill në ora 11:30 në stadiumin ‘Air Albania’.
Kujtojmë që edhe ndeshjet e raundit të parë për këtë grupmoshë, të vlefshme për ‘Kampionatin Europian 2023; u zhvilluan në Shqipëri në muajin tetor.
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë përgatitjet e duhura për të organizuar me sukses ndeshje të tilla të niveleve europiane, teksa ka organizuar me sukses gjatë këtij muaji edhe ndeshjet e fazës ‘Elite’ për djemtë e grupmoshës U-17 dhe takimet e raundit të dytë të Shqipërisë U-17 për vajza, të vlefshme për Kampionatin Europian U-17. /FSHF