Luigi Di Biagio, trajneri i ri i Dinamos
Trajneri Di Biagio dhe stafi i tij do të përfitojnë 300 mijë euro në sezon
Luigi Di Biagio ka marrë zyrtarisht drejtimin e Dinamos dhe nis punën nga Italia, ku 18-herë kampionët do të kryejnë fazën përgatitore. 52-vjeçari ka nëshkruar një kontratë 2-vjeçare me të drejtë rinovimi dhe për një tjetër vit, ndërkohë që ndihmës të tij do të jenë ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Ledian Memushaj si dhe Fabrizio Piccareta.
SuperSport mëson se trajneri Di Biagio dhe stafi i tij do të përfitojnë një kontratë rekord, teksa do të marrë plot 300 mijë euro në sezon. Trajneri italian pritet që ta ketë pagën vjetore rreth 180 mijë euro, ndërkohë që pjesa tjetër e shumës do të jetë për Memushajn dhe Piccareta.
Stafi i Dinamos do të plotësohet nga ish-përgatitësi atletik i Partizanit, Korrado Sakone, ndërkohë që trajner i portierëve do të jetë Blendi Baholli. Skuadra blu do të përgatitet për disa ditë në Itali, ku trajneri Di Biagio do të njihet nga afër me skuadrën, ndërkohë që pritet të ketë disa afrime gjatë këtyre ditëve.
Dinamo ka nisur një projekt të ri, afatgjatë dhe tejet ambicioz, e kërkon që të ndërtojë që këtë edicion një skuadër komeptitive. Krahas presidentit Ardian Bardhi, në klub janë afruar dhe tre donator të tjerë që do të rrisin buxhetin për skuadrën.
Dinamo pritet që të ketë një kompleks të ri stërvitore, teka qeveria shqiptare i ka dhuruar 70 mijë metra në rrethinat e Durrësit, për të ndërtuar qëndrën e re. “Nëndetësja blu” do të jetë skuadra që do të bashkëpunojë me akademinë e Manchester City-t, falë marrëveshjes së nënshkruar pak muaj më parë mes klubit anglez dhe shtetit shqiptar.