Një fitore historike!
Në afro 60 vjet jetë dhe mbi tri dekada karrierë profesionale si gazetar sportiv, fitorja sonte kundër Polonisë më shijoi si rrallë herë, pse jo si një fitore historike.
Nga Defrim Methasani
Në afro 60 vjet jetë dhe mbi tri dekada karrierë profesionale si gazetar sportiv, fitorja sonte kundër Polonisë më shijoi si rrallë herë, pse jo si një fitore historike.
Pas fitores kundër Greqisë kampione e europës 2-1 në shtator 2004, kjo kundër polakëve të Levandovskit, (që i ngjante një dielli në perëndim), ishte një fitore me shumë shkëlqim, kurorëzuar me dy gola për vitrinë që mbajnë firmën e Asanit (eurogol) dhe Dakut, një tjetër lojtarë i fituar tashmë në kombëtare. Ky trepikësh i fituar me meritë dhe dinjitet, na ngjit në krye të grupit me 10 pikë, por si hijet që të ndjekin pas, janë Rep Çeke dhe Moldavia me 8 pikë në vendet dy dhe tre.
Ne tashmë nuk kemi fituar thjesht një ndeshje të rëndësishme, por kemi fituar grupin dhe një trajner si Silvinjo, qê i gjen vendin secilit prej futbollistëve, pa harruar që asetet janë edhe në stol, kur mendon që Muçi apo Broja e Laçi, janë emra potent për kuqezinjtë.
Ndaj i përgëzoj skuadrën dhe trajnerin, sepse i dhanë shqiptarëve në stadium dhe miliona të tjerëve në ekran, një natë gëzimi dhe krenarie.
Të duket se treni europian i kualifikimit është nisur drejt Berlinit dhe Gjermanisë ku luhen finalet një vit më pas.
Por rrugës janë edhe tre stacione, dy prej të cilëve janë po kaq të rëndësishëm si sonte, kundër të dytëve, Çekisë dhe Moldavisë.
Në 2016 në Francë debutuam për herë të parë si finalistë, një vit më pas, uroj të përsërisim historinë, tashmë me të tjerë emra në fushë dhe timon, por me të njëjtin emër, të njëjtin flamur dhe të njëjtin hymn, më të bukurin në botë, ato të Shqipërisë.!