Nga Kryeministri Rama, Ambasadori Buçi, Sacchi, Gravina deri te kampionët Cabrini, Tardelli & ish-arbitri Klein, rrëfejnë për karrierën e Rossit
U inagurua në Muzeun Kombëtar, ekspozita “Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit”,
“Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit”, ekspozita e famshme mbi jetën dhe karrierën e ish-sulmuesit të madh italian si edhe legjendave të futbollit botëror që kanë lënë gjurmë në kujtesën e futbolldashësve u inagurua pasditen e sotme në Muzeun Kombëtar.
Nën praninë e veçantë të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, Kryeministrit Edi Rama, Ambasadorit italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, Presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, bashkëshortes së Paolo Rossit, Federica Cappelletti, ish-trajnerit Arrigo Sacchi, ish-futbollistëve të famshëm Antonio Cabrini dhe Marco Tardelli, arbitrit izraelit të gjysmëfinales së Botërorit 1982, Itali–Brazil, Abraham Klein si edhe personaliteteve të futbollit shqiptar dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, kjo ekspozitë u çel sot për të qëndruar e hapur e për t’u vizituar nga të gjithë futbolldashësit deri më 24 shkurt.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ndihet i kënaqur që kjo ekspozitë mbërriti edhe në Tiranë, teksa i ftoi të gjithë për ta vizituar atë në ambientet e Muzeut Kombëtar.
“Jam i kënaqur që erdhi ky moment për të hapur dyert dhe për të mirëpritur të gjithë ata që duan të bëjnë këtë shëtitje në të shkuarën dhe të mendojnë për të ardhmen. Për ne, futbolli ka qenë një imazh i një bote tjetër, prania e një jete tjetër. Mundësia për të parë një pasqyrë që lëvizte, të një ëndrre të ndaluar. Për ne ishte dritarja e lirisë në errësirën e asaj kohe. Dua t’i ftoj të gjithë, të vijnë të ndjekin këtë ekspozitë. Futbolli hyn në çdo shtëpi, të paktën nga një anëtar i familjes. Forca e futbollit nuk është vetëm në atë çka ndodh për 90 minuta. Futbolli ndryshon, kultura dhe Paolo Rossi shkoi tej limiteve pa e humbur buzëqeshjen. Faleminderit që na dhatë mundësinë të mirëprisnim këtë ekspozitë” – tha Kryeministri Edi Rama.
Sakaq, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, i cili tha se ndihet i nderuar që është pjesë e inagurimit të ekspozitës “Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit” në Tiranë.
“Dua të falenderoj Kryeminstrin Edi Rama që pranuat që kjo ekspozitë të vinte këtu. Shumë faleminderit nga ana jote President Armand Duka, për gjithçka çfarë ke bërë dhe bën për futbollin në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare. Faleminderit për ndjesitë e miqësisë që ke dëshmuar gjithë kohës ndaj meje personalisht dhe futbollit italian. Jam i nderuar që jam sot këtu. Kjo ekspozitë është diçka e mrekullueshme që krijon një hapësirë midis rëndësisë së kohës të lidhur me memorien. Paolo Rossi është hero që nuk njeh kohë. Ai e mëshiron në mënyrë perfekte këtë gjë. Tani do të keni mundësi që ta shihni nëpërmjet ekspozitës. Dua të nënvizoj atë që tha edhe Arrigo Sacchi, kjo ekspozitë është projekti i bukurisë”- tha Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.
Ndërkaq, Ambasadori Italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci tha se Paolo Rossi është pjesë e rëndësishme e historisë italiane.
“Kam kënaqësinë që të jem sot këtu në këtë ngjarje të jshtëzakonshme. Faleminderit të gjithëve që keni bërë të mundur të sillni këtë ekspozitë, këto kujtime të mrekullueshme, të një personi të jashtëzakonshëm, të Paolo Rossit. Ai është një pjesë e historisë italiane. Rossi i futbollit me atë skuadër të mrekullueshme të vitit 1982 përfaqëson historinë tonë” – tha Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.
Një fjalë përshëndetëse në inagurimin e kësaj ekspozite mbajti edhe ish-trajneri i famshëm italian, Arrigo Sacchi.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu në këtë vend të mrekullueshëm, qyteti ka ndryshuar shumë. Futbolli dhe sporti në përgjithësi të ndihmojnë që të jetosh më mirë dhe ky aktivitet është për të gjithë. Është një kënaqësi për mua që të jem këtu dhe sa herë që do doni që unë të vij, do të vij me kënaqësi” – tha ish-trajneri i famshëm italian, Arrigo Sacchi.
Drejtori i Ekspozitës, Marco Schembri falenderoi FSHF-në për bashkëpunimin për të sjellë ekspozitën edhe në Shqipëri.
“Dua të falenderoj FSHF-në, në veçanti Presidentin Duka, që na kanë ndihmuar dhe na kanë dhënë mbështetjen e tyre. Sonte po e inagurojmë këtë ekspozitë dhe i ftojmë të gjithë që të vijnë ta vizitojnë”. – tha Drejtori i Ekspozitës, Marco Schembri.
Bashkëshortja e Paolo Rossit, Federica Cappelletti, tha se ndihet e nderuar që ekspozita “Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit” vjen në një vend mik siç është Shqipëria.
“Marco më propozoi mundësinë për ta sjellë ekspozitën në Shqipëri dhe sot dua të them që jam shumë e lumtur që ekspozita vjen në një vend mik si Shqipëria. Dua t’i falenderoj shumë ata që e bënë të mundur këtë gjë dhe shpresojë shumë që kjo ekspozitë të mund të sjellë vlera, parime dhe një pjesë shumë të rëndësishme të Italisë, në këtë realitet shumë të bukur që quhet Shqipëri dhe Tiranë” – tha Bashkëshortja e Paolo Rossit, Federica Cappelletti.
Edhe ish-futbollistët e famshëm Marco Tardelli e Antonio Cabrini mbajtën një fjalim të shkurtër, duke rikujtuar edhe njëherë figurën e Paolo Rosit.
“Faleminderit për ftesën, gjithçka që ka bërë Paolo ka ndryshuar futbollin italian dhe jo vetëm. Ishte një mik i mirë dhe një djalë i mrekullueshëm, ishte një personazh pozitiv dhe i veçantë. Kanë kaluar tre vite që Paolo ka ndërruar jetë, humbi një pjesë e grupit dhe skuadrës sonë, tani ai po na sheh nga lart” – tha Antonio Cabrini.
“Besoj që e njihja Paolon shumë mirë, ishim shumë miq së bashku, kënaqësi të flasësh për të. Një njeri fantastik, person me shumë besim, kishim gjithnjë nevojë për të në skuadrën tonë.”– tha Marco Tardelli.
Pjesë e inagurimit të ekspozitës ishte edhe një i ftuar special, Abraham Klein, ish-arbitrit izraelit i gjysmëfinales së Botërorit 1982, Itali–Brazil.
“Është hera e parë që e vizitoj Tiranën. Kam qenë kudo në botë, por për herë të parë jam sot këtu. E kam njohur Paolo Rossin në fushë, pasi e kam arbitruar pesë herë kur ai ka qenë duke luajtur. Gjithmonë do të mbahet mend si një nga futbollistët më të mëdhenj që ka kontribuar për Italinë dhe për futbollin në përgjithësi. Humbja e tij ka qenë një tragjedi për familjen, futbollin dhe për të gjithë botën” – tha Abraham Klein.
Hapësirat e ekspozitës do të përshkruajnë në mënyrë kronologjike jo vetëm jetën dhe karrierën e Paolo Rossit, por të gjithë të apasionuarit pas futbollit do të kenë mundësinë që të shohin relike dhe sende personale që u përkasin personaliteteve më të mëdha të futbollit botëror. Ekspozita do të jetë e hapur nga sot (1 shkurt) deri më 24 shkurt në Muzeun Kombëtar.