Drejtoria Teknike e FSHF, mbledhje me Komisionin e Ekipeve Kombëtare
Drejtoria Teknike e FSHF-së ka organizuar këtë javë një mbledhje me Komisionin e Ekipeve Kombëtare.
Drejtoria Teknike e FSHF-së ka organizuar këtë javë një mbledhje me Komisionin e Ekipeve Kombëtare.
Të pranishëm në këtë takim ishin, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, Kryetari i Komisioni të ekipeve Kombëtare i cili mban edhe postin e Zv. Presidentit të FSHF-së, Lutfi Nuri, drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta dhe dy anëtarët e Komisionit të ekipeve Kombëtare, Afrim Tola dhe Eldorado Merkoçi.
Në këtë mbledhje u diskutuan disa tema të rëndësishme, në lidhje me objektivat që duhet të arrihen, detyrat teknike dhe rolet e gjithsecilit me qëllim përmirësimin e cilësisë së futbollit të bazës, i cili është një prioritet për Federatën Shqiptare të Futbollit.
Gjithashtu një pjesë e diskutimit u fokusua te futbollistët e vitlindjes 2008, pasi do të jenë ata që do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalet e Europianit U-17 në vitin 2025, që do të zhvillohet në vendin tonë në stadiumet “Air Albania”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”.
Një vëmendje të madhe do të vijojë të ketë projekti “Step by Step” i krijuar nga Drejtoria Teknike e FSHF-së me qëllim zbulimin e talenteve për të ardhmen. Me projektin “Step by Step” po punohet sipas një programi të koordinuar në detaje me Departamentin e Ekipeve Kombëtare dhe trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave.
Dy ditë në javë futbollistët vendas të grup-moshës U-15, U-17 dhe U-19 të cilët janë pjesë e klubeve dhe akademive shqiptare, do të grumbullohen në “Shtëpinë e Futbollit” dhe do të punojnë me trajnerët e ekipeve të moshave. Nga ky projekt synohet të rritet cilësia e lojtarëve vendas në mënyrë që ato të bëhen baza e ekipeve Kombëtare të moshave.