In memoriam/ Dhimbje tek Kurtbegovët – Largohet Sandra

Përmetarja Aleksandra Ndreu – Kurtbegov, ishte lokomotiva e fuqishme e basketbollit durrsak


Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

Një e dielë e vranët kjo e 24 marsit 2024. Një erë trishtuese na përplaset në ballë, për të thënë që ende pranvera nuk e komandon stinën e saj. Dimri, gjithsesi i frikshëm në atë që ofron, ka ngulur thonjtë fort, për të vonuar sadopak shpresën dhe kënaqësinë që ofron pranvera. Por dalja e këtij marsi, nuk po bëhet pa dhimbje. Po ikin djemtë dhe vajzat tona. Po na lënë frymëmarrjen, për të na falur deri në fund mallin dhe dashurinë e pashuar.

Kur dita e goditi natën e 23 marsit, në inboksin tim, kishte arritur lajm i dhimbshëm, i mbushur me ngarkesë trishtuese, ku zemra e jonë tenton të dëmtohet, nga e keqja kur ndodh kështu.

– Bujar me hidhërim e dëshpërim të papërshkruar, po të njoftoj se Sandra na la, me një arrest kardiak!
Sapo kisha hapur sytë, e mendoja për hallet që më kanë zënë krejt papritur për t’ia dalë dhe për të shpresuar. Por këto lajme, por këto njoftime, por këto tmerre do t’i quaja rëndesa, aq sa duhet të bëhemi të fortë. Zemra duhet ti ngjajë shkëmbit, e dhimbja s’duhet të na dorëzojë. Ibrahim Kurtbegovi dhe familja e tij, kanë humbur shtyllën e shtëpisë. Opinioni qytetar durrsak dhe përmetar, kanë humbur pjesën aktive të lavdisë së tyre. E sa i takon basketbollit, Aleksanda Ndreu dhe prej 54 vitesh Kurtbegtovi, ishte dhe mbetet figurë qendrore, e asaj që quhet historia Shqipërisë së basketbollit.


Në Bitonto, një qytezë pranë kryeqendrës jugore të Italisë –Bari, jeton një pjesë e jona. Mund të jenë bërë më pak se tri dekada dhe çifti Ibrahim dhe Aleksandra Kurtbegovi, jetojnë shqiptarçe ditët italiane. Malli për Durrësin e tyre është aq i madh, saqë po të kesh rast t’i takosh, shikon mozaikun e lotëve në fytyrat e tyre. Janë të pranishëm, herë me shënime në treguesit elektronikë të komunikimit, herë me mesazhe dhe forma të ndryshme dhe në të gjitha rastet ua lexon sentimentin, mbresat e pashuara, mallin kurdoherë të ndezur për tokën e tyre, për Durrësin e tyre.

Me 13 nëntor të vitit 2018, kur po ktheheshim me Kostadinën nga turne i gjatë nga Franca, Spanja dhe Portugalia, në portin e Barit kishin dalë për të na pritur së bashku me çiftin Alma dhe Vasil Tati, Kurtbegovët tanë. Takimi ishte i paimagjinueshëm, aq sa më duket edhe tani e kam ngrohtësinë e dorës dhe të shpirtërave të përvëluar nga malli të Sandrës dhe të Bebit. Dhe kur u ndamë prej tyre, u lamë një copë Durrës dhe ato na dhanë mallin dhe sentimentin e pashuar.

Kur çifti i njohur Kurtbegovi erdhi në Durrës në vitin 1972, gëzimi i të flaktëve durrsakë të basketbollit, kishte kapur qiellin. Durrësi në basketboll për femra, ndërtoi formacionin më të famshëm në historinë e tij. Korçarja Zhani Averiku, kishte krijuar familje me gjyqtarin e njohur durrsak Shpëtim Averiku. Ishin dy motrat legjendë të këtij basketbolli Zhyljeta dhe Shpresa Veterniku. Nga Tirana ishte Klaudia Dragoni. Në mos gaboj nga Kavaja vinte Engjellushe Arapi.

Dhe ekipi plotësohej nga dy vajza shumë të talentuara Donika Belliu dhe Hanza Rrogozhina. Kjo e fundit me bashkëshort peshëngritësin e njohur Fatmir Shytaj.

Dhe Aleksandra Ndreu – Kurtbegovi, ishte lokomotiva e fuqishme që tërhiqte fort vagonat e ngarkuara me shpresë dhe optimizëm të basketbollit durrsak. Shtoji këtyre treguesve edhe drejtimin mjeshtëror të kalorësit të basketbollit Niko Hercek, “Lokomotiva” në basketboll për femra, u kthye në violinë e parë e basketbollit shqiptar.

73 vjetori i lindjes së Aleksandra Kurtbegovit, përkoi me 54 vjetorin e lidhjes së përjetshme Ndreu-Kurtbegovi. I bashkoi basketbolli. I bashkuan ëndrrat e dy të rinjve, që lindën në parket, u ushqyen nga parketi dhe më pas në përballje me dallgët e kohës. Çifti Kurtbegovi, i krijuar mbi rrënjët e një pemë të përbashkët, që kishin lëshuar degë të shëndosha, e që përkundeshin aq ëmbël dhe joshës m’u si një djep fëmije, nga erërat që frynin nga lugina e Vjosës dhe zinxhiri malor Trebeshinë- Dhëmbel-Nëmërçkë dhe detit Adriatik. Përmeti dhe Durrësi sa larg dhe sa afër.

Por përmbi vitet qëndron dashuria e prekshme, e lyer me mjaltin e jetës, ku çifti Kurtbegovi u shtuan fillimisht me dy vajza si drita Ira dhe Bena, më pas me dy dhëndurrë konkurues në të mirë dhe më tej me tri mbesa dhe dy nipër. Nga dy, u bënë 11-të, duke i marrë jetës optimalen e mundshme dhe duke shpresuar e shpresuar për më shumë kënaqësi e mbarësi.

Sandra ishte në kulmin e arritjeve. Mësuese e edukimit fizik. Sportistja më e mirë e Durrësit për shumë vite, dalë nga anketimet e më të spikaturve vendas. Anëtare e kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit. Përfshihet në 10 sportistët më të mirë të vëndit. Së bashku me shoqet e saja, e dërgon “Lokomotivën” në kulmin e arritjeve, tek fiton Kupën e Shqipërisë në vitin 1976 dhe nën kampione e vëndit.

Bebi nga më të mirët me “Dinamon”, përfshihet në ekipin kombëtar dhe forcon “Lokomotivën”, ku fuqia e tërheqjes së saj drejt cilësisë, ishte më e mirë se kurrë.

Aleksanda Kurtbegovi, është edhe tradita më e mirë e basketbollit kombëtar të të rriturave. Është një foto historike, që fikson kampionatin europian të basketbollit për femra në vitin 1972, zhvilluar në qytetin Halle të Republikës Demokratike Gjermane. Shqipëria e përbërë nga Aleksandra Ndreu e “24 Majit” të Përmetit, Artenca Tufa e “Vllaznisë”, Bukuroshe Shtiza, Dhurata Xhani, Vera Dojaka, Mereme Ferhati, Elida Beti të “17 Nëntorit”, Natasha Dhimitri e “Skëndërbeut”, Liliana Xhyra e “Labinotit”, Pavlina Llaci dhe Kaliopi Semanjaku të “Apolonisë” me trajnerë Qemal Shalësin dhe Sanije Stojkun, realizuan një fitore të paharruar me Zvicrën. Ishte 14 maji i vitit 1972 dhe rezultati i suksesit 64-48, ku me 12 maj u mundëm nga Danimarka vetëm për një kosh 56-54. Aleksandra Ndreu ishte më e reja në ekipin përfaqësues.

 

Ishte 15 shtatori i vitit 1970. Ekipi i “Dinamos” për të rritur dhe i “17 Nëntorit” për të rritura ishin grumbulluar në Tiranë, duke u stërvitur në pallatin e sportit “Partizani”. Pritej një turne një mujor në Kinë, në kuadër të përgatitjeve për kampionatin europian të basketbollit të vitit 1972 që organizohej në RDGJ. Befas topi nga duart e një basketbollisteje, kalon në anën ku stërviteshin djemtë.

Dhe vajza e brishtë, një simpatike 19-të vjeçare flet me një zë tërheqës, të butë si vetë butësia e pamjes së saj dhe e rrit zërin aq sa i duhej djalit 22 vjeçar:

-Ma hidh pak topin të lutem!
-Jam në ëndërr, apo diçka e beftë po ndodh me mua!

Kështu foli me veten e tij Ibrahim Kurtbegovi, basketbollisti më pikant i “Dinamos” së kohës. Ai e mësoi më vonë, që ajo vajzë përmetare, një gonxhe e sapo çelur në kopshtin tërheqës të trandafilave të basketbollit të femrave, kishte ditën e lindjes dhe ishte plot 19 vjeçe. Eh, kur zemra i flet zemrës dhe shpirti yt bashkohet me shpirtin e asaj që të ka taksur Zoti, gjërat ngjiten dhe nuk ndahen më.

Aleksandra Ndreu stërvitej edhe në ditët vijuese dhe kishte dëshirë, që topi kur largohej prej saj, të kapej nga i njëjti njeri, i cili dhe vetëm kaq, zemrën e kishte të tronditur nga pamja e saj.

Dhe tani Aleksandra, e mrekullueshmja e basketbollit, zemra e ndjeshme e tokës së saj, malli gjithnjë e më i kapluar në shpirtin dhe zemrën e saj për tëe afërmit, miqtë, mikeshat, shokët dhe shoqet, që ka mbi 30 vite që nuk i ka parë, ka mbyllur sytë. Nuk shikon më. Nuk merr më frymë. Nuk bisedon. Se kemi pranë. E kemi humbur?

Këtu është edhe më e prekshmja. Që nuk e kemi humbur. Ajo është pjesë e historisë së basketbollit dhe veçanërisht të basketbollit durrsa, që i dha emër dhe autoritet. Oh Sandra! Ndonëse larg, lotët nuk i mbajmë, e dhimbja na është varur në shpirt. Zemra rënkon. Por kujtimet për ty, bëhen më të prekshme, më të gjalla.

Nuk mund të mbarojë kështu, kjo zonjë kryelartë e qytetarisë dhe e sportit. Kjo shqiptare me dashuri lotuese për mëmëdheun. Dhe me Bebin s’do të ndahen, për të qenë së bashku në përjetësinë e tyre.
Sandra Kurtbegovi nuk jeton! Ngushëllime Bebi! Bëhu i fortë! Dhimbja vërtet ta çan kraharorin, por kujtimi për Sandrën është dhuratë e gjithkohshme.

Durrës, 24 mars 2024

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…