Hysaj: Të luftojmë për çdo pikë në Europian!

Mbrojtësi Elseid Hysaj doli në një konferencë për mediat nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau në Kamen.


Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, doli mesditen e kësaj të hëne në një konferencë për mediat nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau në Kamen.

Futbollisti kuqezi iu përgjigj interesit të gazetarëve duke komentuar edhe nisjen e përgatitjeve nga kampi bazë i kuqezinjve në SportCentrum Kaiserau për sfidën e parë ndaj Italisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Hysaj foli edhe për pritshmëritë e skuadrës në këtë Europian dhe tha se shanset reale janë edhe për Shqipërinë, ndërsa shtoi se Kombëtarja duhet të fokusohet vetëm në fushën e lojës.

Pas miqësoreve, ku ka konsistuar stërvitja e Kombëtares? – Kemi punuar shumë fizikisht dhe nuk kemi qenë në 100% tonë në këto dy ndeshje miqësore. Duhej kështu sepse duhej që të vendosnim pak peshë dhe forcë në këmbë përpara se të fillonim të përgatisnim ndeshjen me Italinë dhe të tjerat me radhë. Miqësoret shkuan mirë sepse treguam që jemi në formë të mirë, jemi mirë taktikisht në fushe dhe po stërvitemi qe të jemi më gati për ndeshjet e radhës.

Ku është fokusuar puna në stërvitje? – Theksi nuk është vendosur vetëm në një pikë. Po stërvitet i gjithë grupi që të jemi sa më kompakt bashkë, që të mos lemë hapësira në fushë për kundërshtarët dhe të mos jemi larg me njëri-tjetrit.

Ndeshjet në Kampionatin Europian? – Janë tre ndeshje shumë të forta, por edhe shumë të bukura. Duhet ta gëzojmë këtë Europian, nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Dikush mund të mos thirret pas Europianit, por ndodh në futboll. Të kemi besim te vetja, mund të jemi një nga surprizat e Europianit. Jemi të gjithë të qetë, jemi të sigurt në vlerat tona. Gjatë kualifikueseve askush nuk e priste ecurinë tonë, por treguam që mund të bëjmë gjëra të bukura dhe mund të jemi surpriza e këtij Europiani. Jemi të qetë, të sigurtë në vlerat tona, e dimë që kemi kundershtarë të vështirë, por siç thuhet në futboll, një top është dhe mund të ndodhë gjithçka.

Italia ka shënuar vetëm një gol në dy ndeshjet miqësore. Si e sheh Hysaj Italinë, duke qenë se i njeh edhe lojtarët? – I kam parë dy ndeshjet miqësore që ka luajtur Italia. Duket nga jashtë sikur është një skuadër në vështirësi dhe po i mungon goli. Por nuk është ashtu siç duket. E njoh Italinë, e kemi parë edhe në Kampionatet e kaluara Europiane, të gjithë thonin që nuk arrin askund, por në fund fitoi Europianin. Ne duhet ta dimë që Italia është një skaudër e fortë, ka individë të fortë. Unë kam luajtur kundër të gjithëve gati, disa i kam edhe në ekip. E di kualitetin që kanë lojtarët. Duhet ta marrim seriozisht sepse nuk është ashtu siç duket.

Çfarë ka diçka më tepër kjo skuadër nga ajo e “EURO 2016”? – Janë dy skuadra të ndryshme. Në vitin 2016 ishim një skuadër tjetër dhe të gjithë lojtarët kanë pasur gjëra të ndryshme nga njëri-tjetri. Tani është hera e dytë për mua, Berishën dhe Abrashin. E dimë që mund të bëjmë më tepër. Nuk është gjë e mirë nëse humbim, është problem nëse humbim ne Italinë. Të jemi më seriozë, mund dhe duhet ta provojmë kalimin e grupit. Që të jemi të qetë sa i përket dhënies së maksimumit dhe të dalim me kokën lart. Duhet ta provojmë që pastaj në fund të Europianit të themi që kemi dhënë maksimumin dhe po u eleminuam të ikim me kokën lart, jo sikur na mungoi diçka për të arritur qëllimin tonë. E njohim njëri-tjetrin, por nuk do të thotë se mund ta ndalësh kundërshtarin ngaqë e njeh. Nuk më pëlqen fraza që Italia nuk ka lojtarë të fortë. Është një skuadër ndër më të fortat. Edhe Europianin e fundit e fitoi pavarësisht se askush nuk besonte tek Italia. Ndihem më mirë kur më thonë që ne nuk jemi favoritët. Na motivon, është më bukur. Presioni kalon tek ata. Ne i dimë vlerat tona, mund të arrijmë diçka, mund të fitojmë edhe ndaj skuadrave të forta. Futbollit nuk i dihet kurrë.

Koment për AS që në analizën e saj tha se pika e dobët e Shqipërisë ishte mbrojtja nga ana e djathtë dhe çfarë kuptuat nga ndeshja me Azerbajxhanin?  – Kemi punuar shumë fizikisht në këto ditë. Kemi futur shumë vrapime dhe forcë në këmbët tona. Normal që minutat e fundit do të ishin pak më shumë të vështira për ne, për ta mbajtur ndeshjen në ekulibër. Ishte një miqësore e një faze që duhet të stërvitesh dhe duhet ta provosh veten njësoj, si i lodhur si i palodhur. Ne bëmë mirë, jam i kënaqur me atë që bëmë. Sa i përket analizave të mediave, që thonë që mbrojtja në krahun e djathtë është e dobët, unë po bëj gati 12 vite që luaj në Serinë A dhe e di potencialin tim dhe se ku gaboj. I di gjërat ku gaboj dhe ku bëj mirë. Po në këtë Europian do të jem i përqëndruar si të gjithë të tjerët, sepse e di këto ndeshje janë shumë të forta. Dhe shpresoj që të jap maksimumin për këtë fanellë, sepse nuk vij për pushime apo të luaj keq. Vij për të bërë më të mirën, të jap maksimumin, t’i ndihmoj lojtarët nëse mundem t’i ndihmoj. Në kombëtare mund të thirresh ose jo, luan ose jo, por gjithmonë duhet të bëhësh pjesë e një familje dhe të japësh kontributin tënd, si jashtë si brenda. Edhe në momente të këqija dhe në momente të bukura. Ne i kemi kaluar këto momente, tani jemi në momentin e bukur dhe dua ta gëzoj dhe ta shijoj këtë Europian.

Mediat italiane janë shprehur që kualifikimi i Italisë kalon nga Shqipëria? – Edhe për ne Italia është një pikë kyçe për të kaluar grupin, ashtu siç shprehen mediat italiane. Duhet të flasim në fushë kundër Italisë, jo me fjalë dhe të tregojmë që jemi gati për çdo ndeshje. I duam edhe ne pikët. Kemi ardhur këtu për t’i marrë.

A do të jetë e kënaqur Shqipëria edhe me një barazimi? – Normal, rëndësi ka të mos humbim, edhe pika është e mirë. Më mirë një sesa asnjë. Portugalia me tre barazimi kaloi grupin në vitin 2016-të. Duhet të kesh gjithmonë besim, mjafton të mos humbasësh.

Stërvitja e parë në Kaiserau? – Besoj që kemi bërë një ndërrim në mendje. Më parë ishim më të relaksuar, tani po afron ndeshja, jemi më të përqendruar në fushë dhe mundohemi t’i bëjmë gjërat më mirë në fushë. Tani është koha e Europianit.

Krahasimi i “ekipit 2016“ me “ekipin 2024” – Nuk i ndaj dot, kam kaluar shumë momente të bukura në 2016, me atë grup, me ata lojtarë, me të gjithë kualitetin që kishim në atë kohë. Për pak desh u kualifikuam, desh kaluam grupin por nuk ndodhi. Edhe me këtë grup jemi si një familje, unë po gjendem shumë mirë. Të gjithë çunat e rinj janë përshtatur shumë mirë me ne, siç po e shikoni edhe në ndeshje. Kuptohemi shumë mirë bashkë, kemi marrëdhënie në fushë dhe jashtë saj. Jemi një grup fantastik, jemi të gjithë bashkë, me një qëllim. Jemi një familje si në 2016, Shqipëria vështirë se ndryshon.

Si ndiheni në prag të Kampionatit Europian? – Ka qenë një pritje shumë e mirë, por nga shqiptarët e prisnim sepse e duan shumë Kombëtaren dhe lojtarët. E pamë në 2016-ën që ishte i gjithë stadiumi kuqezi. Mendoj që do jetë kështu edhe këtë Europian. Edhe në ndeshjen ndaj Italisë presim të njëjtën gjë. Ndihemi mirë, i dimë cilësitë tona dhe të Italisë. Duhet të jemi të qetë, të mos bëjmë gabime në fushë sepse Italia është ekip që mund t’i shfrytëzojë gabimet.

Pika e dobët e Italisë? – Të gjithë skuadrat kanë pika të dobëta. Do përpiqemi të gjejmë dobësi tek Italia, do na ndihmojë edhe trajneri. Italisë i mungon një bomber. Immobile është kampion, prisja të luaja përballë tij, më vjen keq që nuk është, por sezoni i fundit nuk ka qenë shumë pozitiv për të.

Luani Europiani e dytë në karrierë, çfarë ka ndryshuar nga Hysaj i vitit 2016-të? – Tani jam një Hysaj me më shumë eksperiencë, me shumë gjëra në kokë. Nuk kemi ardhur për të kaluar kohën këtu. Nuk kënaqem me pak bukë, dua bukën e madhe. Të mos kemi pengje në fund. Në 2016 isha i ri, isha shumë i kënaqur, tani dua të arrij më shumë. Shpresoj që të gjithë të kemi urinë e duhur.

Pritshmëritë në këtë Kampionat Europian? – Arritje do të jetë që gjithë Shqipëria të na duartrokasë pas ndeshjeve. Të jemi krenarë, si në humbje dhe në fitore. Të kthehemi në shtëpi me kokën lart.

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…