“Më të Mirët e Sportit 2024” në Korçë, Duka: Tradita e shkëlqyer sportive
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përshëndeti Mbrëmja Gala përmes një video-mesazhi
Në qytetin e Korçës u zhvillua të hënën Mbrëmja Gala “Më të Mirët e Sportit 2024”, ku u vlerësuan 10 sportistët më të mirë të qarkut, përfaqësues nga disiplina të ndryshme sportive.
Eventi u mbajt në teatrin “Andon Zako Çajupi” me pjesëmarrjen e personaliteteve të sportit dhe shumë të ftuarve të tjerë.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përshëndeti Mbrëmja Gala përmes një video-mesazhi, duke vlerësuar organizatorët dhe duke përgëzuar sportistët për sukseset e tyre gjatë vitit 2024.
Në mesazhin e tij, ai theksoi rëndësinë e investimeve të mëtejshme në infrastrukturën sportive për t’i hapur rrugë arritjeve të tjera në të ardhmen.
Më poshtë, përshëndetja e plotë e Presidentit Duka për eventin “Më të mirë e sportit 2024” të Qarkut Korçë:
Të nderuar të pranishëm, personalitete e të ftuar!
Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e kësaj mbrëmjeje të jashtëzakonshme ku vlerësohen 10 sportistët më të mirë të qarkut Korçë për vitin 2024, qoftë edhe virtualisht.
Tradita e shkëlqyer sportive e këtij rajoni, nga futbolli, atletika, deri te disiplina të tjera sportive, është një pasuri e çmuar për sportin shqiptar dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm.
Ju përgëzoj për këtë organizim dhe vlerësoj jashtëzakonisht shumë faktin që jeni bërë bashkë për të festuar arritjet e sportit korçar në një event gala.
Dua të shpreh mirënjohjen time të gjithë fituesit që me talentin dhe përkushtimin e tyre kanë ngritur lart emrin e qarkut Korçë. Ju përfaqësoni një motiv të madh krenarie për popullin korçar.
Ju ftoj të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të përmirësuar infrastrukturën dhe mjediset sportive në zonën e Korçës, pasi është një aspekt shumë i rëndësishëm që kërkon të gjithë vëmendjen tonë.
Korça është një qytet sportdashës dhe prej shumë vitesh është dalluar për prodhimin e elementëve elitarë në sporte të ndryshme.
Falënderime të përzemërta për organizatorët e këtij eventi të rëndësishëm dhe urime për të gjithë sportistët që janë sot pjesë e kësaj mbrëmjeje Gala. Uroj që suksesi i sportit në Korçë e veçanërisht futbolli të vazhdojë të shkëlqejë edhe në të ardhmen!